Java e parë e regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot mban konferencë për media për të njoftuar me ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Konferenca me media ka për qëllim njoftimin me gjithë-përfshirjen e procesit të regjistrimit të Pmlopullsisë që ka filluar më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj të këtij viti.

Për procesin e regjistrimit të popullsisë në terren, do të flasë U.d Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati.

Reklama e sponzorizuar

“Regjistrimi i Popullsisë është një proces tejet voluminoz dhe kompleks që kërkon mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithëve. Kjo konferencë mbledhë të gjithat palët e përfshira, si dhe palët e interesit që mund të kontribuojnë në këtë proces për ta lehtësuar punën në terren të Regjistrimit të Popullsisë”, njofton ASK.

ASK ka bërë të ditur se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

ASK shpreh mirënjohje për angazhimin e stafit prej mbi 5.000 persona dhe të qytetarëve për një bashkëpunim në një moment kyç, ku çdo person ka rëndësi.

“Përfshirja juaj në regjistrimin e popullsisë është një hap drejt sigurimit të një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të barabartë për të gjithë’, thuhet në njoftim.

ASK u ka dërguar edhe mesazhe telefonike qytetarëve për t’i njoftuar lidhur me këtë proces.

ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.