KEK-u i përfshirë në përgatitjet për ndërtimin e impiantit solar prej 100 megavatësh

Pas një ngurrimi të autoriteteve kompetente për mbi 24 muaj që kur ishte bërë publike ideja për ndërtimin e një kapaciteti solar 100 megavatësh në tokat e KEK-ut, më në fund sivjet nisi së vërteti të jetësohet ky projekt. Më 31 mars 2024, Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime (EIB) kanë nënshkruar marrëveshje investimi 33 milionë euroshe, me çka parashihet edhe nga EIB ndërtimi i impiantit fotovoltaik diellor me kapacitet deri në 100 MW. Aktualisht i tërë projekti gjendet në procedurë të miratimit nga Qeveria dhe pritet shumë shpejt të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Buletini Ekonomik

Ideja për ndërtimin e një kapaciteti elektroenergjetik solar në tokat e KEK-ut, në afërsi të drejtpërdrejtë me termocentralet Kosova A, ishte bërë publike nga zyrtarët e KEK-ut në janar të 2022-tës. Saktësisht, ishte paraparë që ky stabiliment për prodhimin e energjisë elektrike në bazë të diellit, të ndërtohet në deponinë e hirit të termocentraleve Kosova A, tokë kjo që në sipërfaqe goxha të madhe është djerrë.

Reklama e sponzorizuar

Kjo nismë nga Kompleksi Elektroenergjetik i Kosovës (KEK), e bërë atëherë publike edhe nga mediet kosovare dhe nga udhëheqja e KEK-ut, u vlerësua se është e favorshme dhe gjithanshëm e mirë. Nisma përkonte me momentumin e qëlluar, kur kriza energjetike ishte shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, dhe kur Kosovës i nevojitej një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.

Fillimisht, u mendua se ideja e KEK-ut do të nisë të jetësohet shpejt, madje me urgjencë, dhe nga shumë ekspertë në njëfarë mënyre ishte insistuar që të përfundojnë sa më shpejtë të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë vendosja e paneleve solare në deponinë e KEK-ut, në tokën djerrë të Kosovës, që në janar të 2022-tës vinte sikur e porositur për këtë dedikim, dhe besonin se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të jetë gati brenda një viti. Zyrtarët e KEK-ut mendonin se po të përshpejtoheshin të gjitha punët për ta përmbyllur sa më shpejtë këtë nismë, realizimi i këtij projekti, së paku i gjysmës së tij, nuk duhet të zgjatej më shumë se një vjet. Por, siç dihet, projekti sikur u harrua për një kohë të gjatë.

U hesht realizimi i tij dhe pas një ngurrimi të autoriteteve kompetente për mbi 24 muaj, që kur ishte bërë publike ideja për këtë impant solar, pa ndonjë shpjegim bindës, më në fund sivjet nisi së vërteti të jetësohet ky projekt. Më 31 mars 2024, Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime (EIB) kanë nënshkruar marrëveshje investimi 33 milionë euroshe, me çka parashihej edhe nga EIB ndërtimi i impianti fotovoltaik diellor me kapacitet deri në 100 MW, i cili do të prodhonte brenda vitit diku rreth 152 Gigavatë energji elektrike.

“Projekti në fjalë parasheh ndërtimin e impiantit fotovoltanik në një kapacitet deri në 100 MW të prodhimit të energjisë elektrike. Rëndësia e këtij projekti qëndron në faktin se pas finalizimit të projektit, impianti do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 160 Gigavatë orë energji në vit dhe të zëvendësojë mbi 170 mijë tonë të dioksidit të karbonit në baza vjetore. Kjo i kontribuon edhe më tutje pavarësimit të Kosovës nga përdorimi i burimeve tradicionale të energjisë, gjithashtu ja mundëson Kosovës që të bëjë punë përkitazi me agjendën e gjelbër të BE.

“Ky projekt më i madhi i llojit të tij, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, garanton zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë si parakusht për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit”, kishte theksuar ministri Hekuran Murati, pas nënshkrimit të kontratës me EIB, duke numëruar favoret dhe përfitimet që do të vinin pas finalizimit të projektit.

Edhe shefja e Sektorit Politik në Zyrën e BE-së në Kosovë, Anna Carin Platon, duke përmendur këtë ndihmë financiare dhe ndihmat e tjera që Kosova ka përfituar nga Bashkimi Evropian, kishte theksuar se projekti në fjalë “Është projekt shumë i rëndësishëm për shkak se ndihmon tranzicionin e KEK-ut dhe rajonit të Prishtinës dhe Obiliqit në rrugën drejt dekarbonizimit. Po ashtu do të mbështes strategjinë e energjisë që Kosova e ka miratuar dhe caqet për ngritjen e burimeve të reja të ripërtitshme të energjisë. KEK-u me këtë po e bënë hapin e parë për të diversifikuar portofolin dhe gjenerimin e elektricitetit”.

Sipas saj, BE-ja po kështu, “ka financuar një mbështetje të pakos energjetike me 75 milionë euro, që do t’i japë Kosovës qasje për subvencionet e grantit për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre dhe për bizneset që po ashtu kontribuojnë në kursimin e energjisë dhe përballueshmërinë e energjisë”.

Ndërkohë, të martën (më 23 prill 2024, zyrtarët e KEK-ut, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se në Korporatën Energjetike të Kosovës iu kanë qasur me tërë seriozitetin e mundshëm realizimit të projektit. Ekipet e ekspertëve të KEK-ut janë të përfshira gjithanshëm në këtë projekt dhe tashmë është punuar intenzivisht në bërjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm, dhe tashmë ky dokumentacion është krejt në fund të finalizimit dhe do të jetë gati shumë shpejt për fazën finale të vendimmarrjes.

Siç kanë njoftuar zyrtarët e KEK-ut, pas nënshkrimit të kontratës me Bankën Evropiane për Investime janë intensifikuar punët edhe në institucionet kompetente vendimmarrëse të shtetit. Aktualisht, i tërë projekti gjendet në procedurë të miratimit nga Qeveria dhe pritet shumë shpejt të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Komisionet përkatëse kanë arritur në fazën finale për përzgjedhjen e konsulencës, e cila do të përgatisë dosjen përfundimtare të tenderit të pritshëm për punëkryesin. Megjithatë, ende nuk është bërë publike se si do të përmbyllet e tërë kostoja e ndërtimit të impiantit solar në tokat e KEK-ut. Nuk është thënë akoma zyrtarisht kush do të sigurojë mjetet e tjera pos 33 milionëve të EIB-së dhe nuk dihet ende se sa do të jetë pjesëmarrja e KEK-ut në këtë financim dhe sa do të investojë Qeveria e Kosovës. Mirëpo, në ditët në vazhdim pritet të sqarohen të gjitha detajet. /Buletini Ekonomik/