Kosova dominohet edhe sivjet nga çmimet e ‘shfrenuara’

Në Kosovë, nuk vlejtën dhe vazhdojnë të mos vlejnë edhe më tutje trendet e uljes, as të ngadalësimit të rritjes së çmimeve që kanë zënë të jetësohen në Eurozonë dhe gjithndej nëpër botë. Edhe më tutje vazhdojnë të ngriten, thuaja shumica e produkteve, edhe të atyre të shportës, edhe produktet bujqësore (pemë dhe perime), edhe produktet e higjienës. Tregtarët e Kosovës gjithnjë “gjejnë” ndonjë pretekst, qoftë edhe inekzistent, për të pasur çmime të reja të ngritura.

Mehmet GJATA

Gjithandej në Eurozonë, por edhe në vende të tjera të shumta të botës, njoftohet për ulje çmimesh të shumë produkteve, edhe sosh elementare ushqimore. Në Eurozonë, inflacioni ka shënuar rënie të vazhdueshme në muajt e fundit, ndërsa në muajin mars të 2024-tës (të këtij viti, pra) ka rënë saktësisht në 2.4 për qind. Dhe, ky fakt është një nga parakushtet që Banka Qendrore Europiane ka sinjalizuar se mund të nisë uljen e normave të interesit nga qershori. Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit edhe në Shqipëri.

Reklama e sponzorizuar

INSTAT bëri të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin mars 2024 është 2.3 për qind. Dhe, sipas medieve shqiptare ky ëshë niveli më i ulët i inflacionit, që nga korriku 2021, përpara se të niste një valë shtrenjtimesh, e ndikuar fillimisht nga pandemia e më pas nga pasojat në tregjet e mallrave e shpërthimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Në muajt e parë të 2024-s, sipas gazetës Monitor, inflacioni zbriti poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind. Në Shqipëri, tani ngritje çmimesh ka në disa grupe produktesh, numërikisht të pakta dhe në paluajtshmëri dhe në tregun e banesave, ku çmimet vazhdojnë të ngritën edhe brenda një muaji.

Në Kosovë, nuk vlejtën dhe vazhdojnë të mos vlejnë edhe më tutje trendet e uljes, as të ngadalësimit të rritjes së çmimeve. Edhe më tutje vazhdojnë të ngriten, thuaja shumica e produkteve, edhe të atyre të shportës, edhe produktet bujqësore (pemë dhe perime), edhe produktet e higjienës. Tregtarët e Kosovës nuk ndiejnë për tendenca dhe trende ulje çmimesh në botë, por, gjithnjë “gjejnë” ndonjë pretekst, qoftë edhe inekzistent, për të pasur çmime të reja të ngritura. Fillimisht, pretekst për ngritjen e vrullshme të çmimeve për tregtarët e këtushëm ishte pandemia, pastaj një pretekst tjetër dhe një valë e re ngritjesh të egra çmimesh ndodhi me nisjen e luftës ruso-ukrinase dhe krejt në fund, sërish u ngutën që si shkas të çmimeve të reja të ngritura, të merret, kriza e shpërfaqur në Detin e Kuq, për shkak të sulmeve të rebelëve të Huthit kundër anijeve të ndryshme tregtare dhe të transportimit të mallrave nga Lindja e Largët.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka numëruar çmimet e ngritura në disa produkte dhe shërbime publike. Sipas tij, është ngritur në stratosferë çmimi i qirave të lokaleve, dhe tani në zonën e qendrës së Prishtinës, çmimi për metër katror është 26-30 euro, ndërsa në disa qendra tregtare çmimi i qerasë për një metër katror ka shkuar deri në 40-50 euro për metër katror, ndërsa ky çmim i qirasë, sipas tij, nuk ndodhë as në Manhatan të New-Yorkut.

Sipas Kllokoqit, çmimet e reja të rritura ndjeshëm janë bërë edhe te produktet ushqimore nga ato elementare deri të ato luksoze. Ai apostrofon çmimin prej 6 eurosh për një kilogram fasule, që më parë ka kushtuar 2,5 eruro. Ai ka saktësuar se çmimi i shportës së konsumatorit aktualisht është ngritur diku rreth 35 për qind.

Dje, Buletini Ekonomik ka raportuar se vaji i ullirit Monini, që vlerësohet si ndër më cilësorët ka shkuar tashmë në 20.99 euro për litër. Ky vaj, para kësaj ngritjeje, përkatësisht jo më larg se shkurti i këtij viti, ka pasur çmimin 12.79 euro, derisa diku-diku ke mundur ta gjesh edhe me zbritje prej 11.25 euro. Pra, kemi të bëjmë me një ngritje çmimi për dyfish më shumë.

Sipas vlerësimeve të njohësve të ecurive të çmimeve, çmimi i ushqimit, të të gjitha llojeve, praktikisht në lokalet kur servohet ushqimi në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera të Kosovës, është ngritur për 20 deri në 30 për qind. Prandaj, inflacioni në Kosovë në muajin shkurt 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), që ishte vetëm 2.2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur kishte arritur në 10.5%, nuk është real dhe shumë i besueshëm. Sepse, statistikat e ASK- së bëhen shumë shpejtë të vjetëruara për shkak të ngritjës së vrullshme të çmimeve dhe pamundësisë së futjes së çmimeve të reja në periudhat e vlerësimit statistikor.

Më konkretisht, në bazë të nivelit të ngritjës enorme të çmimeve të shumicës së produkteve, sidomos të atyre ushqimore, edhe në fund të muajit shkurt të këtij viti, por edhe në fund të marsit inflacioni realisht duhet të jetë shumë më i madh se 2,2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky fakt lehtësisht mund të konstatohet po të analizohet edhe sipërfaqësisht dhe fare përciptazi ecuria e çmimeve në Kosovë, sidomos të atyre të konsumit, gjatë këtyre ditëve me çmimet e prezentuara në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit të ASK-së, për vitin 2023, të rritura 4,9 për qind krahasuar me vitin 2022, me ç’rast shihet diferencë shumë më e madhe e rritjes së çmimeve këtyre ditëve.

Gjetjet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes analizës së Pulsit Publik, të lansuar muaj më parë, tregojnë se shpenzimet për nevojat bazë, duke përfshirë gjërat ushqimore, transportin, shërbimet komunale, shëndetësinë, qiranë dhe shpenzimet e arsimit, janë rritur gjatë tri viteve radhazi. Në analizën e cila synon të vlerësojë shkallën në të cilën inflacioni ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të njerëzve në Kosovë e UNDP, të bërë përmes anketimit të 1,500 ekonomive familjare dhe hulumtimit të plotë studimor konstatohet se “teksa në vitin 2021, 38.8% e ekonomive familjare shpenzuan 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore, kjo vlerë u rrit në 47.8% dhe deri në 59.5% të ekonomive familjare në vitet 2022 respektivisht 2023”. Duke i përdorur të dhënat e të hyrave dhe kufirin e varfërisë prej 1.85 euro për person në ditë, shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%. 10% e ekonomive familjare ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021, duke treguar një rënie në krahasim me vitin e kaluar”, thuhet në raport.

Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10% e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë, kur merren parasysh të dhënat për rritjen e çmimeve. Këto janë faktet për çregullimet sociala që shkakton ngritja e egër e çmi meve në Kosovë. Ndërkohë, as që mund të parashikohet ndonjë përmirësim i gjendjes kaotike në sektorin e çmimeve në Kosovë, i cili, praktikisht, në gjithë periudhën e pasluftës ka qenë jashtë kontrollit institucional. Tendenca anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çregulluara dhe jo normale në këtë sektor, po mbretërojnë në vendin tonë (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej), që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, rreth 2-3 vjet e më shumë në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi. Dhe po vazhdon të mbretrojë sot e kësaj dite. Deri kurë mbetet të shihet./Buletini Ekonomik