Ministri Peci: Jemi në proces të draftimit të ligjit për kooperativat bujqësore

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mëngjesin e të enjtes ka zhvilluar takim me Zanën dhe Hartimin nga shoqata Pepeko, Fatonin nga shoqata Organika, Kujtimin nga shoqata Mjedra e Kosovës.

Peci, ka thënë se në takimin e tyre kanë biseduar lidhur me sfidat dhe të arriturat e përbashkëta që kanë shoqatat e prodhuesve të kulturave të ndryshme bujqësore në vendin tonë, raporton Ekonomia Online.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, ministri ka thënë se kanë biseduar lidhur me planin legjislativ të ministrisë, ku në janar të këtij viti ka kaluar ligji për organizatat prodhuese, praktikë kjo e BE-së që mundëson bashkimin e fermerëve me qëllim të qasjes së përbashkët në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Një lajm shumë i rëndësishëm për fermerët, siç ka potencuar ministri është se gjatë këtij viti pritet të dërgohet në Parlamentin e Kosovës për aprovim edhe ligj i bazuar në praktikat e BE-së që do të iu mundësoj fermerëve ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta për fuqizimin e tyre.

Tutje, ministri Peci, ka theksuar se në mandatin e tij si ministër i bujqësisë në bashkëpunim me shoqatat dhe fermerët e ka fuqizuar bashkëpunimi me partnerin strategjik ndërkombëtar – GIZ.

Postimi i plotë:

I lumtur për partneritetin e shëndoshë që ndërtuam bashkë!

Mëngjesin e sotëm e nisa me një takim për kafe me Zanën dhe Hartimin nga shoqata Pepeko, Fatonin nga shoqata Organika, Kujtimin nga shoqata Mjedra e Kosovës, me të cilët biseduam “pa dorëza” për të arriturat e përbashkëta dhe sfidat që kanë shoqatat e prodhuesve të kulturave të ndryshme bujqësore në vendin tonë.

Që nga dita e parë e mandatit tim, MBPZHR ka qenë përkrah shoqatave dhe fermerëve, e këtë bashkëpunim e ka fuqizuar shumë edhe partneri strategjik ndërkombëtar GIZ (Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit).

Një ndër projektet e përbashkëta ishte edhe “Promovimi Ekonomik për Stabilizimin e Tregut të Punës në Kosovë dhe Promovimi i Ndërmarrësisë”, për të cilin bashkëpunim falënderova edhe Erjonën dhe ekipin e kompanisë implementuese të projektit Piar Creations, të cilët na ndihmuan për mbi një vit në dokumentet strategjike të komunikimit dhe promovimin e fermerëve dhe shoqatave.

Unë jam i hapur dhe tejet falënderues ndaj fermerëve, shoqatave, partnerëve ndërkombëtarë dhe secilit që ndihmon qëllimin tonë të përbashkët, fuqizimin e bujqësisë sonë.

Bashkë folëm edhe për planin legjislativ të ministrisë, ku në janar të këtij viti ka kaluar ligji për organizatat prodhuese, praktikë kjo e BE-së që mundëson bashkimin e fermerëve me qëllim të qasjes së përbashkët në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Jemi në proces të draftimit të ligjit për kooperativat bujqësore i cili gjatë këtij viti pritet të dërgohet në Parlamentin e Kosovës për aprovim. Edhe ky ligj i bazuar në praktikat e BE-së do të ju mundësoj fermerëve ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta për fuqizimin e tyre.