Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i cili të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se kompanitë që kanë pasur kontrata me shtetin janë dëmshpërblyer me 8.5 mil euro për shkak të inflacionit. Sipas Hotit, kjo nuk ka ndodhur edhe me kategoritë e tjera shoqërore.
Por, këtë pretendim të Hotit, Hekuran Murati e ka cilësua si “propagandë të LDK-së”, duke shtuar se raporti të cilit i referohet Hoti tregon se pagat në rritje mesatare gjatë vitit 2023 kanë qenë 17 për qind, duke shtuar se në mandatin e Hotit janë rritur 4 për qind.
“LDK-ja vazhdon propagandën me shpresë që nëse e përsërisin mjaftueshëm, ndoshta dikush fillon dhe e beson. Kësaj radhe Avdullah Hoti paska thënë të pavërteta rreth buxhetit të vitit 2023. Po i njëjti raport të cilit po i referohet Avdullahu, tregon që kategoria buxhetore e pagave në sektorin publik në vitin 2023 është rritur për 114 milionë euro krahasuar me vitin paraprak, apo 17% rritje mesatare vjetore. Kur Avdullahu ka qenë Ministër i Financave, pagat i pati rritur për vetëm 4% në tërë mandatin, apo 15 euro për shumicën e shërbyesve publikë”, ka shkruar Murati.
Ai ka shkruar edhe për çështje tjera që lidhen me kateogrinë që marrin asistenca sociale, veteranët dhe kategori të tjera.
Po ashtu, Murati i ka thënë Hotit se gjatë pandemisë ka shpenzuar 70 milionë për pronarët e bizneseve.
“Po i njëjti raport të cilit po i referohet Avdullahu, tregon që për pensionistët dhe për fëmijët, në vitin 2023 Qeveria Kurti ka ndarë 70 milionë euro shtesë, nga 100 euro për secilin. Kurse familjet në asistencë sociale për herë të parë janë mbështetur për blerjen e druve për ngrohje me 5 milionë euro. Kur Avdullahu ishte Kryeministër në vitin 2020, 70 milionë euro i pati shpenzuar në emër të mbështetjes në pandemi, por ato para nuk patën shkuar as për pensionistë, as për fëmijë, e as për punëtorë madje. Përfitues të atyre 70 milionëve ishin pronarët e bizneseve, e ndër ta përfituesit më të mëdhenj ishin ata që në pandemi kishin fitimet më të mëdha – supermarketet. Propaganda nuk kalon”, ka deklaruar ministri i Financave. /Gazeta Express