Nga 22 prilli, një ambalazhim prej 30 copë vezësh kushtojnë 2.90 euro dhe ky është çmim për të gjitha vezët, që nuk duken të jenë të klasifikuara. Kjo i bie saktësisht ngritje çmimi diku prej 20-25 për qind.
Buletini Ekonomik
Që nga dita e parë e kësaj jave (e hënë, 22 prill 2024), në tregjet e Kosovës (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, si dhe në tregje të gjelbra), është ngritur theksueshëm çmimi i vezëve.
Çmimi i ri i ngritur është aplikuar pas rreth 2 muajsh, kur në Kosovë vezët tregtoheshin me çmime të ulura ndjeshëm nga çmimet e këtij produkti gjatë muajve të dimrit. Në tërë muajin mars dhe në këto 20 ditët e kaluara të prillit, çmimi i vezëve, në zingjirin e prodhuesit të njohur kosovar të produkteve të shpezëve, praktikisht preku minimumin prej 2, 5 eurosh për një amballazhim prej 30 copë të këtij produkti të klasit të parë. Vezët e klasifikuara si klasi i dytë, janë tregtuar edhe nga 2, 20 euro për amballazhimin prej 30 copë vezësh. Por, nga 22 prilli, të njëjtat kushtojnë 2.90 euro dhe ky është çmim për të gjitha vezët, që nuk duken të jenë të klasifikuara. Kjo i bie saktësisht ngritje çmimi diku prej 20-25 për qind.
Përafërsisht me të njëjtin çmim, pra 2,90 euro, po nga i njëjti prodhues, këto ditë – 30 copë vezë po tregtohen edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete të shumta të Prishtinës. Ndërkaq, supermarketet dhe qendrat e mëdha tregtare ku dononojnë produktet ushqimore, çmimin e vezëve edhe tani në raste po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë, në raste të rralla, mund të gjenden mbase edhe me çmimin prej 2 eurosh. Ndërsa, në të shumtën, në to 30 copë vezë tregtohen me çmimin mbi 3 euro.
Të përkujtojmë se po në këtë rrjet shitjeje të këtij prodhuesi të njohur të produkteve të shpezëve në vend, gjatë një periudhe të caktuar të dimrave të kaluar (saktësisht, diku kah dhjetori 2022 dhe janari 2023) 30 copë vezë kanë kushtuar 3,5 euro, 4 dhe edhe 4,2euro.
Siç dihet dhe siç raportonin mediet dhe ASK-ja, nëpërmjet raporteve të përditësuara të evidentimit të çmimeve të produkteve ushqimore, në muajt e fundit në vitin 2022, e sidomos në prag të festave ka pasur rritje ekstreme të çmimit të vezëve. Në këtë kohë, në dhjetor të 2022-tës, 30 copë vezë në ca markete dhe supermarkete të kryeqytetit kanë kushtuar saktësisht 4.49 euro deri në 5,5 euro. Çmimet enorme të larta në dhjetor të vitit 2022 i kishte evidentuar edhe ASK-ja, sipas raportit të së cilës më 15-20 dhjetor një komplet me vezë ka kushtuar 4 euro e 29 centë. Dhe, po sipas ASK-së (përditësimit të çmimeve nga ASK-ja të produkteve bazike), është konstatuar se lëvizja më e madhe e çmimit në gjysmën e dytë të dhjetorit 2022, është shënuar pikërisht tek vezët.
Tani për tani, nuk ka shpjegime meritore nga tregtarët për fluksin e rinisjes së ngritjes së çmimit të vezëve në Kosovë. Për shkaqet e rikthimit të çmimeve të ngritura të vezëve, pas uljes që u shënua për disa javë në mars dhe në prill, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë, theksojnë se rëndom, në këtë sezon, në pranverë, një herë bie çmimi i vezëve, pastaj ngritet ai. Por, shumica e tregtarëve theksojnë të bindur se në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe në periudhën e deritashme të 2024-tës, megjithë lëvizjet – ulje-ngritjet e çmimeve të vezëve, ato janë tregtuar me çmim ndjeshëm më të ulët se sa në dimrin e 2022-tës dhe 2023-tës.
Vrojtuesit e ecurive të çmimeve, shkakun e çmimeve më të pranueshme të vezëve, e shohin edhe te ngritja e numrit të madh të pularive gjithndej në Kosovë, te shtimi i konkurrencës ndër prodhues dhe tregtarë, dhe mbushja e tregjeve të vendit me këtë produkt, të dominuara nga vezët e prodhuara në vend. /Buletini Ekonomik/