Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka folur pas raportimeve mbi dyshimet e manipulimit me dokumente zyrtare nga ana e një operatori ekonomik në sektorin e mishit dhe një inspektori të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Sipas ministrit, veprimet e menjëhershme kanë qenë dërgimi i inspektorit në një komision disiplinor dhe vendosja e një ndalesë për eksport-import për operatorin ekonomik të përfshirë në këtë çështje.
“Ndaj këtyre dyshimeve serioze, është marrë vendimi për formimin e një komisioni profesional që do të merret me auditimin e thellë dhe gjurmueshmërinë e veprimtarisë së operatorit ekonomik,” tha Peci.
Ministri theksoi se ky komision do të përqëndrohet në verifikimin e përputhshmërisë së të gjitha hyrje-daljeve në fjalë, për të vërtetuar çdo dyshim të ngritur.
Ministri Peci gjithashtu bëri të ditur se autoritete tjera relevante, përfshirë Doganat e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë njoftuar për situatën dhe janë angazhuar në kontrollin e tyre përkatës.
“Koordinimi dhe mbështetja reciproke në mes institucioneve është thelbësore për të siguruar që të gjitha veprimet e dyshimta të identifikohen dhe trajtohen me seriozitetin e duhur,” shtoi ai.
Ministri u shpreh i vendosur se nëse dyshimet mbi manipulimin me dokumente zyrtare dhe mashtrimin konfirmohen, atëherë të gjithë individët e përfshirë – përfshirë operatorin ekonomik – do të përballet me pasojat përkatëse ligjore dhe administrative që dalin nga këto veprime./Telegrafi/