Pse s’ka transparencë të domosdoshme zyrtare rreth shumë projekteve të energjisë së rinovueshme në Kosovë?

Për shumë aktivitete jo pak të rëndësishme rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme, paralajmërimeve të projekteve të mundshme që do ta shpejtonin tranzicionin energjetik dhe dekarbonizimin e synuar të Kosovës si dhe për shpalljen e fituesit të ankandit të parë solar dhe të marrëveshjes së nënshkruar më 22 mars 2024 – ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Kosovës dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për zhvillimin e ankandit të erës, mungojnë të dhënat elementare të domosdoshme për informimin e publikut.

Mehmet GJATA

Kanë ndodhur disa aktivitete jo pak të rëndësishme rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme, paralajmërime të projekteve të mundshme që do ta shpejtonin tranzicionin energjetik dhe dekarbonizimin e synuar të Kosovës. Më konkretisht, në kohët e fundit janë nënshkruar marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime (EIB), në vlerë dhjetëra milionëshe dhe është shpallur më në fund edhe fituesi i ankandit elektronik të një impianti diellor prej 100 megavatësh. Është nënshkruar gjatë marsit të sivjetshëm edhe marrëveshja, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Kosovës dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për zhvillimin e ankandit të erës.

Më 2 prill 2024, opinioni i vendit është njoftuar nga autoritetet qeveritare se Konzorciumi “Orllati” bashkë me kompani nga Gjermania dhe Kosova janë shpallur fitues të ankandit elektronik diellor prej 100 megavatësh. Me rastin e shpalljes së fituesit të këtij ankandi, që është i pari në Kosovë për të ndërtuar një kapacitet të energjisë së rinovueshme në bazë të diellit, u thanë edhe të dhëna si këto: “kompanitë kanë ofertuar kundër ofertës më të lirë dhe përgjatë procesit të ofertimit kanë qenë katër sesione. Sesioni i parë ka qenë me 43 bida me çmim përmbyllës 57.00 euro, sesioni i dytë ka përfunduar me 35 bida dhe me çmim përmbyllës 49.89 euro, sesioni i tretë ka numëruar 20 bida me çmim përmbyllës 48.88 euro, ndërsa sesioni i katërt ka përcaktuar fituesin me çmim përmbyllës 48.88 euro euro/MË h, ku fitues u shpall Konzorciumi Orllati”.

Kryeministri Albin Kurti, me këtë rast, tha se me shtimin e 100 MË të rinj në prodhimin e energjisë, do të ulet varësia nga importi, e për realizimin e këtyre kapaciteteve – kompania që do të dalë fituese do të investojë mbi 70 milionë euro, me çka e bën një ndër parqet solare më të mëdha në Evropë. Por, me këtë rast, por edhe gjatë shumë njoftimeve paraprake të zyrtarëve kompeteentë, nuk u dhanë dhe as u bënë publike asnjëherë detajet e tjera të domosdoshme për t’u njofuar opinioni, i cili e ka mirëpritur këtë ankand, edhe pse u stërgjatë rreth një vit të plotë.

Reklama e sponzorizuar

Nuk pati njoftime as se sa do të kushtojë tërësisht finalizimi i këtij projekti, respektivisht, pos 70 milionë eurove që do të investojë konzorciumi fitues, a do të ketë shumë tjetër investimesh në këtë projekt dhe kush do të investojë shumën tjetër nëse është e nevojshme. Nuk është shpallur saktësisht as vendi i ndërtimit të këtij kapaciteti (pos fare në fillim kur u bë publike ideja e projektit, kur u tha se ndërtimi i tij parashihet të bëhet në komunën e Rahovecit).

Po kështu, nuk është thënë as se kur do të nisin punët rreth ndërtimit, as kur parashihet të përfundojnë ato, sikundër që opinioni nuk e di se tokat ku do të ndërtohet impianti a janë të gjitha të shtetit, apo ka edhe sosh private dhe a kanë nisur procedurat rreth kompenzimit të këtyre tokave.

Nuk janë dhënë njoftimet elementare për publikun as me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së investimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime (EIB) në shumën 33 milionë euro, me të cilën parashihet ndërtim i impiantit fotovoltaik diellor me kapacitet deri në 100 MË, duke siguruar prodhim vjetor prej rreth 152 GËh energji elektrike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, çka është e vërteta, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes (18 mars 2024), tha se “Projekti në fjalë parasheh ndërtimin e impiantit fotovoltanik në një kapacitet deri në 100 MË të prodhimit të energjisë elektrike. Rëndësia e këtij projekti qëndron në faktin se pas finalizimit të projektit, impianti do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 160 Gigavat orë energji në vit, dhe të zëvendësojë mbi 170 mijë tonë të dioksidit të karbonit në baza vjetore. Kjo i kontribuon edhe më tutje pavarësimit të Kosovës nga përdorimi i burimeve tradicionale të energjisë, gjithashtu ia mundëson Kosovës që të bëjë përkitazi me agjendën e gjelbër të BE. Ky projekt, më i madhi i llojit të tij jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, garanton zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë si parakusht për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit”.

Por, as ministri Murati, as ndonjë zyrtar tjetër dhe as një ekspert i këtij sektori, nuk kanë njoftuar asnjëherë dhe në asnjë rast deri tash se ku dhe kur do të nis të ndërtohet ky kapacitet fotovoltaik, i vlerësuar si më i madhi në rajon. Nuk u njoftua, po kështu, sa do të kushtojë finalizimi i tërësishëm i këtij projekti, dhe nga cili burim do të sigurohen paratë e tjera pos atyre të EIB-it, sikundër që nuk u njoftua edhe për detaje të tjera të domosdoshme për të pasur dhe për të ditur më gjërësisht për projektin në fjalë.

Nuk përmban as për së afërmi të dhënat e domosdoshme as marrëveshja e nënshkruar më 22 mars 2024, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Kosovës dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për zhvillimin e ankandit të erës. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me këtë rast, tha se “viti 2024 ka qenë fantastik për energjinë në Kosovë”.

“Sot po nënshkruajmë marrëveshjen me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) për zhvillimin e ankandit të radhës të Republikës së Kosovës, ankandin tonë të parë të erës”, tha Rizvanolli.

Ajo ka theksuar se kanë paraparë në këtë projekt një komponent të partneritetit publiko-privat.

“Ky është një shembull që do të ndiqet edhe në projektet tjera në të ardhmen, është mënyrë që në rast të krizave që mund të përjetojmë të kemi edhe një sasi të energjisë të prodhuar në publike për të ndërhyrë më lehtë”, theksoi Rizvanolli.

Por, ministrja nuk dha asnjë detal tjetër: Nuk saktësoi se cili është roli dhe detyra e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për zhvillimin e ankandit të erës, se sa kohë do të vazhdojë ky ankand, kur parashihet të përzgjedhet fituesi, sa do parashikohet të kushtojë projekti, ku parashihet të ngritet ai, si dhe se çfarë teknologjie preferon Kosova të implementohet në energjinë në bazë të erës. Kanë munguar, edhe me këtë rast, një numër informacionesh që janë të domosdoshme jo vetëm për kureshtarët, por edhe për medien, për asociacionet kompetente të involvuara drejtpërdrejt, apo tërthorazi në realizimin e këtij projekti dhe më në fund për opinionin kosovar.

Këta janë vetëm disa nga shembujt e projekteve, që gjenden qoftë në fazën ideore, qoftë në atë të parashikimeve, apo edhe në faza më konkrete të realizimit, siç janë shpallja e fituesve apo nënshkrimi i marrëveshjeve për të investuar, apo bashkëinvestuar ndonjë nga projektet konkrete të parashikuara për t’i realizuar në një të ardhme të afërt, të cilat dalin goxha të mjegulluara dhe të paqarta në opinion për mungesë të të dhënave elementare. Prandaj, njerëzit, nuk shprehen edhe aq optimist për të ardhmen e këtyre projekteve të energjisë së rinovueshme, janë mosbesues dhe shprehin përplot rezerva rreth fatit të tyre si dhe rreth përmbushjes së premtimeve për zbatimin e tranzicionit të parashikuar energjetik. Ndërsa, autoritetet, duhet të shpallin publikisht të dhënat e domosdoshme për këto projekte, të jenë më transparentë, sikundër veprohet në mbarë botën dhe te të gjitha shtetet normale. /Buletini Ekonomik/