Dërgimi i energjisë elektrike nga Kosova në sistemin elektroenergjetik shqiptar është ndërprerë tërësisht që nga 4 prilli 2024, ndërsa borxhi aktual i KEK-ut ndaj KESH-it është saktësisht 40 mijë e 200 megavatë-orë. Shqipëria, qëkur janë mbushur liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit me ujë, (Liqeni i Fierzës, ai i Komanit dhe i Vaut të Dejës), ka mjaftueshëm energji për nevojat e konsumit të vet dhe të prodhuar nga hidrocentralet shqiptare.
Dhe si rrjedhojë e pasjes së energjisë së bollshme, nuk ka nevojë në orët e natës të marrë rrymë nga Kosova, që siç dihet, edhe me kapacitetet aktuale të prodhimit (dy blloqe të termocentraleve Kosova A dhe dy të Kosova B) në këto orë (gjatë natës pra), ka teprica relativisht të theksueshme.
Tepricat e rrymës gjatë natës në Kosovë, varen nga shumë faktorë, por në radhë të parë nga prodhimi kontinuel i termocentraleve ekzistuese, nga moti, që ende dikton konsumin e energjisë dhe nga kursi i konsumatorëve të vendit. Por, në të shumtën që nga ditët dimërore, që sivjet u shquan me temperatura jo edhe aq të acarta, KEK-u, me kapacitetet e veta prodhuese, krahas furnizimit të konsumit të vendit, ka pasur mundësi reale të dërgojë në Shqipëri, gjatë natës, kur në Kosovë bie goxha ndjeshëm konsumi i rrymës, mesatarisht rreth 200 e sa megavatë-orë.
Po të vazhdonte në këtë mënyrë për çdo ditë deri më tash, kjo sasi do të ndikonte që të ulët shumë borxhi i rrymës që Kosova i ka Shqipërisë që nga viti i kaluar. Por, siç u tha më lartë, ritmi i dërgimit të energjisë nga Kosova në sistemin elektroenergjetik shqiptar është ndërprerë tërësisht që nga 4 prilli 2024, ndërsa borxhi aktual i KEK-ut është saktësisht 40 mijë e 200 megavatë-orë.
Në KEK kanë njoftuar sot për Buletinin Ekonomik, se janë të gatshëm që të vazhdojnë t’i kthejnë borxhin e energjisë elektrike shtetit shqiptar, posa të kenë nevojë për rrymë shtesë, sidomos gjatë orëve të natës.
Inxhinierë të KEK-ut, të kyqur drejtpërdrejt në këmbimin e energjisë elektrike me Shqipërinë, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se më së miri do të ishte që ky borxh të kthehej gjatë verës, kur atje bie prodhimi si rrjedhojë e rënies së akumulimeve të ujit në liqenet e Kaskadës së Drinit dhe kur në Kosovë, rëndom ka teprica evidente të rrymës.
Bëhet e ditur gjithashtu se Kosova ka ulur shumë sasinë e borxhit të rrymës ndaj KESH-it, sidomos në periudhën shtator 2023-shkurt 2024, kur Korporata Energjetike e Kosovës ka marrë nga KESH-i gjithsej rreth nëntë mijë e 500 megavatë energji elektrike, ndërsa i ka dërguar shtetit shqiptarë mbi 25 mijë megavatë.
Ndryshe, gjendja elektroenergjetike në Kosovë ka kohë që është relativisht stabile. Prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet Kosova A (dy blloqe me nga 130 megavatë) dhe dy blloqe të Kosovës B (secili me nga 260 megavatë –orë prodhim), ose diku mesatarisht rreth 750 megavatë-orë energji elektrike, plus sasia e prodhur nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme (disa dhjetra megavatë), po del të jetë e mjaftueshme për ta furnizuar konsumin energjetik të vendit, i cili me ngrohjen e motit është reduktuar jo pak. Tepricat gjatë natës, që nga 4 prilli, kur është ndërprerë këmbimi i rrymës me Shqipërinë, KEK rëndom i eksporton kur të gjendet treg për to, ndryshe ato shkojnë “posht” dhe nuk kanë asnjë leverdi materiale për prodhuesin. /Buletini Ekonomik/