Refuzohet ankesa, Kosova do t’i paguajë ContourGlobalit 20 milionë euro

Gjykata Komerciale në Londër ka lënë në fuqi një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC) që urdhëron Kosovën t’i paguajë 20 milionë euro një kompanie britanike për një projekt të ndërprerë të termocentralit afër Prishtinës.

Në tetor të vitit të kaluar u mor vesh se Kosova e kishte humbur arbitrazhin me kompaninë “Contour Global” (CG), me ç’rast detyrohej të paguante dëmshpërblim 20 milionë euro, raporton Klankosova.tv.

Ndërkaq, në Ministrinë kosovare të Drejtësisë asokohe patën thënë se Avokatura Shtetërore dhe Përfaqësuesi i kontraktuar Ligjor e kanë analizuar vendimin final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe se do të ankoheshin ndaj tij në Gjykatën Civile në Mbretërinë e Bashkuar.

Reklama e sponzorizuar

Por, si duket as kjo përpjekje nuk u finalizua në favor të Kosovës.

Gjykata Komerciale e Londrës më 25 prill ka marrë vendim për të refuzuar ankesën e Qeverisë së Kosovës (QK), duke e lënë në fuqi vendimin paraprak të ICC-së.

Sipas këtij vendimi, Kosova detyrohet t’ia paguajë kompanisë “Contour Global” 20 milionë euro si dëmshpërblim.

Contour Global, që parashihej ta ndërtonte termocentralin e ri “Kosova e Re” me fuqi 500 megavatë në orë, u tërhoq nga projekti më 2020 dhe e paditi Kosovën në Arbitrazh për mosrespektim të kontratës komerciale të nënshkruar më 2017.

Procesit gjyqësor i paraprinë një varg zhvillimesh, nga vështirësia e gjetjes së 1.3 miliard eurove për ndërtim, uljes së interesit për energji me thëngjill, e deri te ardhja në pushtet e partive VV-LDK, që s’e përkrahnin projektin.

Kontesti qeveri-Contour Global ishte tentuar të zgjidhet edhe përmes dialogut, por investitori kishte zgjedhur mjetet juridike, për çka shpejt mund t’ia marrë shtetit 20 milionë euro.

Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë për këtë çështje. /Klankosova.tv