Shifër rekord e investimeve kapitale për 2023-në, Murati: Këtë vit pritet të kemi “boom”

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se investimet kapitale në vitin 2023 kanë shënuar rritje prej 33 përqind, që sipas tij është niveli më i lartë ndonjëherë.

Murati në një postim në Facebook, ka shkruar se raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë.

Pas viteve të pandemisë 2020-2021, dhe vitit 2022 kur punëkryesit kishin probleme me koston e materialeve ndërtimore, duket se më në fund viti 2023 ka rikthyer investimet kapitale në binarët e duhur”, ka shkruar Murati.

Ministri ka shtuar se lajm akoma më i mirë është se tendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale.

“Ky rezultat është i mirëpritur pas shumë e shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin trashëguar, me projekte të padizajnuara si duhet dhe pa kryer obligimet e shpronësimit, probleme të cilat për shumicën e projekteve tashmë janë zgjidhur”, ka theksuar Murati.

Murati ka shtuar se deri në vitin 2019, shumica dërrmuese e investimeve kapitale, 150-200 milionë euro në vit, kanë qenë pagesa për vetëm një projekt, atë të autostradës.

“Prandaj nëse merret edhe ky fakt parasysh, i bie që shuma e investuar për shkolla, spitale, kulturë, sport, siguri e ushtri, ka qenë shumë më e vogël sesa që mund të mendohet në shikim të parë”, ka theksuar ministri. /Telegrafi/