Telekomi i Kosovës në gjendje të rendë: Llogaritë e bllokuara, s’ka paga, punëtorët në protestë

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, ka njoftuar se sot do të mbajnë protestë. Kjo protestë mbahet për mbrojtjen e punës dhe pagave.

Që nga fundi i muajit shkurt llogaritë bankare të Telekomit janë të bllokuara pas vendimit të Gjykatës Komerciale që obligon ndërmarrjen të paguajë 5.7 milionë euro dëmshpërblim.

Rreth 1.700 punëtorë të Telekomit të Kosovës do të protestojnë të martën para zyrave të kësaj ndërmarrjeje për shkak se nuk i kanë marrë pagat e muajit mars.

Reklama e sponzorizuar

“FSP-PTK ju ka bërë të qartë te gjitha institucioneve shtetërorë edhe me herët por edhe sot se përgjegjësia për një tentim shkatërrim e degradim te Telekomit te Kosovës është komplet e tyre duke mos ndërmarr hapa për ndalimin e kësaj gjendje. FSP-PTK ketë gjendje e cilëson ALARM I KUQ, sepse në çdo moment janë kah rrezikohen edhe mbi 1700 punëtor te Telekomit te Kosovës dhe mbi 1000 punëtor te Postes se Kosovës te cilëve po ju mohohet edhe paga mujore për te cilën punojnë dhe me te cilat mbajnë familjet e tyre. Pagat janë te garantuara me Kushtetutën e Republikës se Kosovës, ndërsa punëtoreve po ju cenohen nga vendimet arbitrare te individëve te korruptuar ne bashkëpunim me krimin e organizuar”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Pagat nuk janë ekzekutuar pasi që Telekomit i janë bllokuar llogaritë në fund të shkurtit pas vendimit të Gjykatës Komerciale që detyron ndërmarrjen t’i paguajë 5.7 milionë euro dëmshpërblim ndaj kompanisë “Dardafon” apo siç njihej në treg “Z-Mobile”.

Feim Kelmendi, zyrtar i lartë financiar në këtë ndërmarrje, ditë me parë ka thënë që vendimin e gjykatës së shkallës së parë presin që ta shfuqizojë ajo e Apelit, e, sipas tij, deri atëherë nuk kanë asnjë zgjidhje për pagesa.

“Aktualisht situata siç po duket mund të zgjasë edhe më shumë. Ne presim që vendimi i shkallës së dytë të vijë sa më shpejt. Mirëpo, nëse bazohemi në praktikat e mëhershme, sepse kjo është hera e katërt që rasti kthehet në rigjykim, ato kanë zgjatur deri në dy muaj e gjysmë deri në vendimin e shkallës së dytë. Pra, mund të ndodhë që deri kah fundi i muajit prill. Deri në atë kohë menaxhmenti i Telekomit nuk e ka asnjë mundësi t’i japë pagat”.

Kurse, zëdhënësi i Telekomit, Fadil Lepaja, në një deklarim për media ka treguar se llogaritë janë bllokuar, por mjetet ende s’janë tërhequr.

“Llogaritë e Telekomit janë bllokuar, por mjetet ende nuk janë tërhequr. Ne do ta kundërshtojmë këtë vendim përmes hapave ligjor pasi e konsiderojmë si te jashtëligjshëm”.

Telekomi ishte ankuar javë më parë për vendimin e Komerciales, duke e cilësuar të jashtëligjshëm e kriminal. Kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, e pati akuzuar gjyqtarin e rastit se është i përfshirë në skemë kriminale.

Aktvendimi i Komerciales e obligon Telekomin t’ia paguajë “Dardafonit” 5.7 milionë euro, dhe kjo pasi mbi 40 milionë sa ia ka paguar më parë po kësaj kompanie.