Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka ndryshuar strategjinë e investimeve, duke e ulur riskun e investimeve për të gjithë kontributdhënësit që janë afër pensionimit. Synohet që për pjesëmarrësit e moshës para-pensionale (63+), të ulet risku i investimeve të tyre, në mënyrë që të ketë sa më shumë stabilitet për përfitimet investuese të akumuluara.
Sipas një njoftimi për media nga ky institucion, thuhet se me këtë FKPK është “duke synuar ta avancojë interesin e pjesëmarrësve përmes trajtimit të riskut investues, kthimit afatgjatë nga investimet dhe ruajtjes së mjeteve të akumuluara”.
FKPK-ja beson se përderisa toleranca për risk dhe horizonti investues ndryshon për pjesëmarrësit me kalimin e kohës, strategjia investuese dhe portofolat përkatës gjithashtu duhen përshtatur.
FKPK-ja kishte filluar nga shkurti 2022 t’i investojë mjetet në dy strategji investuese të ndara në portofolat: 1) Portofoli Standard për pjesëmarrësit deri në 62 vjeç; 2) Portofoli Konservativ për pjesëmarrësit 63 vjeç e sipër. Ndërsa duke filluar nga prilli 2024, FKPK-ja filloi me investimin e mjeteve në një strategji shtesë të quajtur Portofoli i Balancuar, i krijuar për pjesëmarrësit e moshës 58 deri 62 vjeç, për të përshtatur kështu edhe më shumë riskun investues me moshën e pjesëmarrësve.
– Portofoli Standard, gjegjësisht strategjia qendrore, do të ketë ekspozim më të lartë në aksione meqë kjo ofron mundësi për kthime më të larta në afatgjatë dhe mosha e pjesëmarrësve, deri në 57 vjeç, lë hapësirë për ndërmarrjen e një risku më të lartë. Përveç aksioneve, ky portofol do të ketë investime edhe në obligacione (të Kosovës dhe jashtë), multi-asete, asete reale, tregun e parasë së gatshme dhe depozita bankare.
– Portofoli i Balancuar do të shërbejë si strategji tranzitore nga ajo qendrore në atë konservative. Do të ketë ekspozim më të ulët në aksione sesa Portofoli Standard, por më shumë në obligacione (të Kosovës dhe jashtë), multi-asete, tregun e parasë së gatshme apo depozita bankare; duke synuar kështu risk më të ulët sesa strategjia standarde por kthim më të lartë sesa strategjia konservative. Numri i pjesëmarrësve që do të bëhen pjesë e Portofolit të Balancuar është mbi 40 mijë, të cilët së bashku kanë kursime në vlerë prej mbi 300 milionë euro.
– Portofoli Konservativ nuk ka ndryshime madhore, meqë vazhdon të ketë shumicën dërrmuese të investimeve në obligacione (të Kosovës apo jashtë), por mund të ketë edhe plasmane në tregun e parasë së gatshme, depozitat bankare dhe në masë shumë të ulët në aksione. Me këtë përbërje, strategjia pritet të ofrojë shumë më pak risk investues gjë kjo e përshtatshme për pjesëmarrësit e moshës para-pensionale (63+), kohë përgjatë të cilës do të synohet të ketë sa më shumë stabilitet për përfitimet investuese të akumuluara.
Me zbatimin e strategjisë së tretë investuese, Bordi Drejtues i FKPK-së e përmbylli një cikël shumë të rëndësishëm të avancimit dhe përshtatjes së politikave investuese me moshën e pjesëmarrësve, e paraparë me Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës dhe e rekomanduar për industrinë e kursimeve pensionale si praktikë e mirë. /Buletini Ekonomik/