Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një konferencë për media ka thënë se punëtorët e sigurimit fizik, ata të mirëmbajtjes dhe higjienës marrin paga minimale prej 292 eurove, raporton Ekonomia Online.
“Gjatë kësaj periudhe kemi pas një zhagitje të madhe të tenderëve vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Punëtorët i kanë humbur 290 mije euro për shkak të tenderëve në vend që këto mjete ligjore duhet të jenë në paga të punëtorëve të sigurimi fizik dhe teknik. Këto mjete janë në QKUK e asnjëherë nuk jemi duke i akuzu sepse kompanitë nuk janë fajtore, janë procedurat e prokurimit publik”, ka thënë ai.
“Tek komunat e Prishtinës e kemi njëjtin problem që ne kemi arritur marrëveshje me komunën e Prishtinës edhe për punëtorët teknik të shkollave fillore dhe të mesme dhe sot asaj dite ne nuk i marrim këto paga për shkak të procedurave burokratike dhe shumë normal që kjo duhet të ndryshohet sepse situata është në dorën tonë dhe jo në dorën e dikujt tjetër”.
“Sipas marrëveshjes që kemi mes institucioneve dhe ministrisë së Shëndetësisë, paga duhet të jetë 500 euro”ka thënë ai.
Azemi ka thënë se në qoftë se nuk paguhen pagat ashtu siç jemi marrë vesh atëherë muaji qershor do të jetë muaj i protestës dhe grevave.
“Muaji qershor do të jetë muaj i protestave dhe grevave nëse nuk ulemi të bisedojmë. Jemi të fokusuar të ngrisim pagat sepse jemi në një pozicion që nuk kemi qenë para dy tri vitesh”, ka thënë Azemi.
Arsim Gjinovci, përfaqësues i shoqatave të sigurimit fizik në universiteti e Prishtinës u ka bërë thirrje kolegëve që të bëhen bashkë për të hyrë në grevë në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje.
“Mas shumti 10-15 qershor do të presim dhe do të hyjmë në grevë në qoftë se nuk na thirrin me bo marrëveshje. I kisha ftuar kolegët të bëhemi të gjithë bashkë se kjo Qeveri veq ka dhënë premtime dhe kurgjo nuk i ka realizu”, ka thënë ai.
Edhe Hakif Sylejmani anëtar i shoqatës së punëtorëve të sigurimit fizik ka shprehur pakënaqësitë rreth pagës.
“Me Qeverinë nuk jemi të kënaqur që tre muaj pa kontrata dhe rritje page nuk kemi fare, kanë premtuar por premtimet nuk janë mbajtur”.