Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka shkruar për bilancin negativ të performancës së Qeverisë në tremujorin e parë të vitit të katërt të saj.
Bajrami ka shkruar në Facebook se janë shënuar mbi 200 milionë euro më pak investime kapitale, mallra dhe shërbime e subvencione dhe transfere.
“Dobët, shumë dobët 128 milionë euro më pak investime kapitale, 59 milionë euro më pak mallra dhe shërbime, 77 milionë euro më pak subvencione dhe transfere dhe 14 milionë euro MË SHUMË në paga dhe shtesa, Kjo është përformanca e Qeverisë Kurti II, në tremujorin e parë të vitit të katërt të Qeverisë së “shpresës”. Ministria e Financave paska publikuar raportin financiar të shpenzimeve të buxhetit, për tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e konfirmojnë edhe njëherë përformacën shumë të dobët të kësaj Qeverie, për me tepër këto të dhëna konfirmojnë se qeveritarëve përpos për paga të veta, për asgjë tjetër nuk ku bëhet vonë”, shkroi Bajrami.
“INVESTIME KAPITALE – projekte inftastrukturore keto në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve: Nga 859 milionë euro sa janë të planifikuara për investime kapitale për vitin 2024, deri me 31 mars janë investuar vetëm 87 milionë euro ose vetëm 10%, thënë me qartë 128 milionë euro me pak se planifikimi”, shkroi ajo.
Në mallra dhe shërbime, Bajrami shkruan se “nga 519 milionë euro të planifikuara për vitin 2024”, deri me 31 mars “janë shpenzuar vetëm 70 milionë euro ose vetëm 14%”.
“SUBVENCIONE DHE TRANSFERE: Pensione për kategori të ndryshme shoqërore dhe subvencione për bujqësi, biznese, art, kulturë dhe sport: nga 1 miliardë e 105 milionë euro sa janë të planifikuara për subvencione dhe transfere për vitin 2024, deri me 31 mars janë dhënë 188 milionë euro apo vetëm 17%, thënë me qartë 77 milionë euro më pak”, shkroi deputetja.
“PAGA DHE MEDITJE: Pagat e rritura të ministrave dhe kabineteve të tyre, pagat e të gjithë zyrtarëve publik, meditjet dhe shtesat për “përformancën e treguar” etj: Nga 805 milionë euro të planifikuara për paga dhe meditje për vitin 2024, deri me 31 mars janë shpenzu 216 milionë euro ose 27% ose thënë me ndryshe 14 milionë euro më shumë, nuk është gabim janë 14 milionë euro më shumë se planifikimi sepse këtu nuk janë në pyetje qytetarët por janë pushtetarët”, shtoi ajo.
Bajrami thotë se në kuadër të këtyre shpenzimeve të Qeverise sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Institutit INPO “janë 108 kontrata në vlerë prej 30 milionë euro tendera që për bazë kanë korrupcionin – “tendra të negociara pa publikim të njoftimit për kontratë””.
“Ja humbet Kosovës 4 vjet!”, shkroi Hykmete Bajrami në fund të postimit.