Në ditët kur u bënë publike të dhënat e ASK-së për çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë në tremujorin e parë të këtij viti, (TM1 2024), çmimet e shumë produkteve, edhe të atyre bimore, edhe të prodhimeve blegtorale, kanë pasur çmime krejtësisht të tjera, dhe po të llogaritej indeksi i çmimeve të produkteve bujqësore në këto ditë, do të dilte krejtësisht i ndyshëm të dhënat e ASK-së.
Buletini Ekonomik
Publikimi i vonuar i të dhënave statistikore të mbledhura dhe të përpunuara nga ASK-ja, për shumë produkte dhe mosazurimi i këtyre të dhënave për një kohë më të gjatë, po krijon paqartësi të shpeshta rreth zhvillimeve të ecurive të çmimeve në tregjet tona. Po ndodhë që çmimet e publikuara me vonesa kohore evidente për periudha të caktuara, të mos përputhen as për së afërmi me ecuritë reale të çmimeve në kohën e publikimit të njoftimeve për këto çmime.
Kështu ndodhi këtyre ditëve, më saktësisht në javën e parë të këtij muaji, kur shumë medie transmetuan informacionin për çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë në tremujorin e parë të këtij viti, që u bënë të njohura kohë më parë nga publikimi më i ri i ASK-së (TM1 2024), ku raportohej se janë rritur çmimet e të gjitha prodhimeve bujqësore në Kosovë.
Më saktësisht, në publikimin e ASK-së, raportohej se në tremujorin e parë të këtij viti, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore është rritur për 2,8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 7,3%, ose indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 5,3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Sipas raportit të ASK-së, “prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Kurse në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.
Por, në ditët kur u bënë publike këto të dhëna, çmimet e shumë produkteve, edhe të atyre bimore, edhe të prodhimeve blegtorale, kanë pasur çmime krejtësisht të tjera, dhe po të llogaritej indeksi i çmimeve të produkteve bujqësore në këto ditë, do të dilte krejtësisht i ndyshëm të dhënat e ASK-së. Sepse, sado që për mundësitë reale financiare të kosovarëve shumicë, edhe këtyre ditëve pemët e perimet e domosdoshme për tryezat e kosovarëve tregtohen me çmime të larta, shumë produkte bujqësore që nga fundi i prillit, dhe sidomos nga fillimi i majit kanë shënuar ulje jo të vogël çmimesh.
Bie fjala, këtyre ditëve, një kilogram domate, që deri vonë kishte çmimin 1,90 e dy e më shumë euro, në tregjet e gjelbra, por edhe në markete e supermarkete tani tregtohet me 90 – 1 euro e shumë shumë 1,30 euro. Vërshimi i tregjeve me qepë të reja ka bërë që të ulet edhe çmimi i qepëve, ndërsa çmimi i patateve të stinës, që janë kryesisht nga importi tashmë janë shumë më të ulëta se sa ato që janë përfshirë në raportin e ASK-së, për periudhën e tremujorit të parë të këtij viti.
Po kështu, qind për qind më i ulët është këtyre ditëve edhe çmimi i lakrës së re, i spinaqit dhe i specave të të gjitha llojeve. Një kilogram i specave djegës, të importuar nga Greqia, të shquar për nga cilësia e tyre, tani në tregun e gjelbër të kryeqytetit tregtohen me 1, 5 euro, ndërsa vetëm para një muaji ky çmim ishte 3, 5 euro. Specat padjegës kanë rënë në 1 euro kilogrami.
Ndërkaq, vezët, që ASK-ja i futë në kuadër të prodhimeve blegtorale, pokështu, këtyre ditëve kanë ulje evidente të çmimit. Një paketim 30 copë vezësh, në dyqanet e specializuara të prodhuresit më të njohur kosovar të prodhimeve të shpezëve, këto ditë ka çmimin 1,90 euro deri në 2,5 euro. Ndërsa kohë më parë ky çmim ka qenë ndjeshëm më i lartë.
Këto janë çmimet aktuale të produkteve bujqësore më shumë të nevojshme dhe shumë të konsumuara nga familjet kosovare. Dhe këto çmime, janë akoma shumë të larta për fuqinë blerëse që kanë kosovarët shumicë. Por, këto çmime, janë shumë më të ndryshme se ato që përmban raporti për tremujorin e parë të ASK-së, të bëra publike këtyre ditëve. Prandaj, për të mos u krijuar paqartësitë evidente, është e domosdoshme përditësimi i çmimeve të produkteve bujqësore nga ASK-ja. Evidentimi i çmimeve të azhuruara dhe të përditësuara, sikur u nis vjet të bëhet, dhe u mirëpritë nga opinioni. Por tani, nuk dihet a po vazhdon kjo praktikë. Dhe është mirë të vazhdojë. Kështu veprojnë statistikat e botës, të rajonit dhe ato në Shqipëri. /Buletini Ekonomik/