Deri më 2027, Kosova parashihet të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori

Fotografi ilustruese

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane (MCC) dhe Qeveria e Kosovës, kanë lansuar këto ditë zbatimin e programit kompakt, që është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër. Me këtë program do të ndërtohen bateri për ruajtjen e energjisë, ndërsa me të parashihet të transformohet sektori i energjisë në Kosovë. Programi, që sipas ambasadorit, Jeff Hovenier, është i vetmi në Evropë që ka MCC-ja, ka koston 236.7 milionë dollarë, dhe nga kjo shumë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera, kontribut i Qeverisë së Kosovës. Përmes këtij projekti, Kosova parashihet të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Buletini Ekonomik

Në ditën e parë të këtij muaji, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane (MCC) dhe Qeveria e Kosovës, kanë lansuar zbatimin e programit kompakt, që është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër. Për ta bërë më të lexueshëm dhe më të kuptueshëm programin e ndërtimit të baterive, Buletini Ekonomik, do të japë shumë detaje dhe të dhëna të apostrofuara nga zyrtarët rreth këtij projekti, që po vlerësohet si shumë i rëndësishëm, jo vetëm nga komuniteti i energjetikës.

Programi, që sipas ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, është i vetmi në Evropë që ka MCC-ja, ka koston 236.7 milionë dollarësh, dhe nga kjo shumë, 202 milionë sigurohen nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Ky program do të ndërtojë vende për ruajtjen e energjisë apo bateri për ruajtjen e energjisë. Ky sistem i ruajtjes do të ndihmojë në tranzicionin, do të mundësojë integrimin e energjisë së ripërtërishme dhe do të lejojë Kosovën që të menaxhojë më mirë fuqinë e shpenzimeve”, ka saktësuar Hovenier në ceremoninë e lansimit të programit.

Kompaktet, tha ai, janë grante pesëvjeçare që lëshohen nga MCC-ja që plotësojnë kriteret për kualifikim për programe të tilla. Ai tha se me këtë program pret që të transformohet sektori i energjisë në Kosovë. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i entuziazmuar me projektin, tha se ky është investimi më i madh i bërë në dekadat e fundit në sektorin energjetik të Kosovës.

“Ne ndajmë me MCC-në vlerat e saj thelbësore: një qasje e orientuar drejt rezultateve me transparencë, llogaridhënie dhe me pronësinë e vendit në qendër”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë, pas hyrjes në fuqi të programit me MCC-në.

“Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë. Programi Kompakt, që është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit, hyri në fuqi nga sot”, tha ai, me këtë rast.

Kurti ka shkruar se është mirënjohës ndaj MCC-së, Qeverisë amerikane dhe popullit amerikan, si dhe Ministrisë së Ekonomisë.

“Mirënjohës Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Qeverisë amerikane, popullit amerikan në njërën anë dhe ministrisë së Ekonomisë në anën tjetër, për besimin, angazhimin dhe punën e jashtëzakonshme deri më sot dhe sot e tutje, për një të ardhme energjetike të sigurtë e të qëndrueshme”, kishte shkruar Kurti.

Ndërkaq, zëvendëspresindeti i MCC-së për Departamentin e Operacioneve Kompakt, Cameron Alford, që ishte i pranishëm në ceremoninë e lansimit vuri në dukje se kompakti do të shërbejë si “gurthemel i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik”.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kompakti i MCC-së synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë për të krijuar burime të besueshme, të ripërtërishme të energjisë të cilat do të integrohen në rrjetin e Kosovës dhe duke reduktuar nevojën që energjia të prodhohet nga thëngjilli.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, deri në fund të vitit 2027, parashikohet që Kosova të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.

Siç dihet, në korrik të vitit 2022 është nënshkruar në Uashington marrëveshja me MCC-në për programin kompakt. Sipas marrëveshjes, projekti kyç i këtij programi është ai i ruajtjes së energjisë. Përmes tij, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas nënshkrimit dhe fuqizimit të projektit, përmes një postimi në “Facebook, të martën është shprehur se “ka hyrë në fuqi programi me MCC-në, i cili e vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve botërore të energjisë”.

Ajo ka thënë se “Programin e kemi dizajnuar dhe përgatitjet intensive i kemi përfunduar me sukses së bashku me ekipet e Kosovës e të MCC-së, në një partneritet të shkëlqyeshëm”.

“Ky partneritet do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim në mënyrë që të ndërtojmë infrastrukturën kyçe për një sektor modern e të pastër të energjisë, e njëkohësisht të sigurohemi që – të parët në rajon – të rinjtë e të rejat tona t’i aftësojmë e t’i përfshijmë në këtë sektor dinamik që do të krijojë vende të punës”, ka shkruar ajo.

Pas nisjes zyrtare të programit Kompakt me Korporatën e Sfidave së Mijëvjeçarit – MCC, Kosova ka pesë vjet për të finalizuar projektin në vlerë 236 milionë dollarë, të fokusuar, siç u tha më lartë, në ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike. Me instalimin e baterive me kapacitet deri në 340 megavatë/orë, Qeveria synon të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtëritshme në sistem.

Në muajin mars, siç dihet, Qeveria ka themeluar Korporatën për Ruajtjen e Energjisë, e cila do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë bateritë. Përveç sistemit të ruajtjes së energjisë, programi Kompakt parasheh investime në rritjen e resurseve njerëzore në këtë sektor, si dhe mbështetjen e bizneseve.

Projektin e ruajtjes së energjisë elektrike nëpërmjet baterive e vlerësojnë edhe njohësit e zhvillimeve energjetike në vend. Sipas tyre, projekti i baterive është nga më të mirët në sektorin e energjisë pas luftës. Por, ekspertët këmbëngulin në kërkesat e vazhdueshme të tyre për nevojën urgjente për shtim në kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë së gjelbër për t’ua rritur rëndësinë baterive. Dhe meqenëse të gjithë e vlerësojnë si projekt shumë të rëndësishëm energjetik programin, i cili, madje, pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë shtetit miliona euro në vit, do të ishte më se e domosdoshme që vendimmarrësit, në radhë të parë të jenë seriozë dhe të përkushtuar karshi realizimit të projektit. Këtë e kërkon, gjithsesi, edhe partneriteti me MCC-në.

Ndër të tjera, ky projekt do të jetë një sprovë për botën energjetike kosovare, dhe këtë sprovë, duhet tejkaluar padiskutueshëm suksesshëm. /Buletini Ekonomik/