Segmenti tre kilometra i aksit Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit nga mbikalimi i Gostilit deri te ura e Kukësit është hapur dje për qarkullimin e mjeteve.
Plot tri javë iu deshën kompanisë koncensionare për vendosjen e shtresave të stabilizantit dhe asfaltimin e njërit segment rrugor që lidh dy anët e Urës së Re me Rrugën e Kombit, ndërsa po punohet për përgatitjen për asfaltimin e segmentit tjetër rrugor në hyrje të Urës së Re.
Konstrukti metalik i urës së re mbi Drin, tashmë është pozicionuar në bazamentin përfundimtar të saj ndërsa po punohet për montimin e pjesëve dhe vendosjen e shtresave të nevojshme drejt përmbylljes së projektit dhe vënien në funksion të plotë brenda muajit qershor, e gatshme për sezonin e verës.
I gjithë trafiku i mjeteve nga Shqipëria drejt Kosovës dhe anasjelltas, përgjatë tri javëve u devijua në qytetin e Kukësit përmes tri hyrjeve dhe një dalje.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk u shënuan incidente që kishin të bënin me pengesa në qarkullim për shkak të fluksit, ndërsa u arrit të mirëmenaxhohej siç duhet e me një orar të paracaktuar për mjetet e vogla dhe ato të transportit të mallrave.
Ura e Madhe lidh Rrugën e Kombit dhe dy brigjet e liqenit të Fierzës dhe konsiderohet si një nga urat me hapësirën më të madhe në Ballkan në tipologjinë e saj. /Telegrafi/