Konsumatori në Kosovë, i pambrojtur edhe në 2024-tën

Fotografi ilustruese

Konsumatori kosovar nuk gëzon të drejtën e informimit, as atë të sigurisë, sikundër që nuk gëzon të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar, të gjitha këto të drejta që përmban Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Thënë ndryshe, sektori i tregtimit, sidomos sjellja e tregtarëve abuzivë dhe manipulimi i tyre me çmimet, dhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, ende janë shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar.

Mehmet GJATA

Pavarësisht se Kosova ka Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve që nga qershori i 2004-tës, konsumatori kosovar, thënë më së buti, është thjeshtë fare i pambrojtur. Asnjërën nga të drejtat ligjore që do të duhej të gëzojë konsumatori dhe që në njëfarë mënyre janë të përfshira në përmbajtjen e Ligjit të apostrofuar, nuk i gëzon ai në Kosovë. Nuk gëzon të drejtën e informimit, as atë të sigurisë, sikundër që nuk gëzon të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar, të gjitha këto të drejta që përfshin Ligji. Me fjalë të tjera, sektori i tregtimit, sidomos sjellja e tregtarëve abuzivë dhe manipulimi i tyre me çmimet dhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma, sot e kësaj dite, janë shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar.

Reklama e sponzorizuar

Thjesht, konsumatorin e Kosovës, sot e këtu, ende nuk e pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, për marzhën super enorme të fitimit për shumicën e produkteve të nevojshme për familjen, për tregtimin e produkteve me afate të skaduara dhe me cilësi të diskutueshme, e as për të ashtuquajturat aksione të uljes së çmimeve tërësisht të manipuluara nga tregtarët abuzivë.

Në këtë mënyrë, konsumatori i varfër kosovar, ende edhe këtyre muajve, javëve dhe ditëve të 2024-tës, përballet me çmimet rekorde-më të lartat në botë, të cilat vazhdojnë t’i aplikojnë tregtarët, por edhe prodhuesit shqiptarë të Kosovës, përfitues të situatave të tregtimit të mallrave domosdoshmërisht të nevojshme dhe si të tilla të kërkuara në tregjet tona, pavarësisht se në botë në të gjitha tregjet ka muaj që çmimet e shumicës absolute të mallrave dhe të shërbimeve, ose janë ndalur së ngrituri, ose kanë zënë të ulen ndjeshëm. Dhe, saktësisht në Kosovë më periudhën 5 mujore të këtij viti, në janar-maj 2024, kanë pasur çmime ndjeshëm më të larta të gjitha produktet e higjienës, shumë produkte elementare ushqimore dhe të veshmbathjes se sa, bie fjala, në Gjermani, në Francë, në Itali, në Spanjë, në Portugali etj.

Pos çmimeve enorme rekorde të shumë produkteve konkrete, të cilat i kanë vendosur dhe vazhdojnë të vënë tregtarët tanë keqëpërdorues të dëshmuar, ata edhe më tutje dhe thuaja për ditë keqtrajtojnë pa asnjë konsideratë konsumatorin e skamur të vendit, edhe me propagandë të parreshtur dhe të rrejshme, edhe nëpërmjet shpalljeve publike të vendosura në shtandet e produkteve qenësore ushqimore për gjoja aksionet e uljes së çmimeve. Ndërkohë që këto manipulime vërehen lehtësisht jo vetëm nga vrojtuesi i vëmendshëm, por edhe nga blerësit e thjeshtë.

Është gënjeshtër shpallja e stërpërsëritur nga shumë markete, dhe sidomos supermarkete, se sasia e produktit me çmim rekord botëror “është e limituar” dhe produket numerikisht janë të kufizuara për blerësit. Tregtarët abuzivë në këtë mënyrë manipulojnë konsumatorin që ka nevojë për produktet e apostrofuara, i cili me të parë shpalljen, ngarend për t’u furnizuar me “çmim të lirë’, sado që ai ka fare pak, ose aspak ulje çmimi. Ose, në shumicën e supermarketeve tona që vazhdojnë të paralajmërohen ulje çmimesh për produkte të caktuara, sidomos për sosh ushqimore (vaj, produkte qumështi, etj) dhe në rafte vendosen vetëm fare pak ekzemplarë, disa dhjetëra sosh, me çmime realisht të ulura, dhe të cilat sa çelë e mbyllë sytë shiten, dhe në raft mbetet vendi bosh, me çmimin e ulur gjithsesi, dhe në pyetjen e ndonjë konsumatori më insistues se “ç’është bërë me produktet, e paralajmëruara me çmime të zbritura”, pason përgjigja refren e personelit se “janë shitur”.

Abuzimi tjetër që vazhdojnë ta bëjnë tregtarët e pandërgjegjshëm është ai i mospërputhjes së çmimit të paralajmëruar si të zbritur në raft me çmimin në arkë. Një konsumator rrëfen për Buletinin Ekonomik se “dje kishte marrë një komplet vezësh me zbritje, ndërsa sot kur mora të njëjtin paketim prej 30 copë vezësh, në arkë më kërkuan plus 50 centë euro, që i binte se sot vezët nuk tregtoheshin me zbritje, edhe pse data e reklamimit për ulje çmimesh vazhdonte.

“Arkatarja, pasi që i kërkova sqarim për këtë, shkurt më tha se kanë qenë tjera vezë ato, sado që ngula këmbë që çmimi i ulur ende ishte nën vezët për të cilat bëhet fjalë, dhe për vezët krejtësisht të njëjta, që një ditë më parë i kisha blerë me zbritjen e paralajmëruar”, rrëfen konsumatori.

Në shumë raste të këtilla, konsumatorët ose protestojnë duke e lënë produktin pa e blerë, ose heshtazi pranojnë çmimin shumë të lartë në arkë.

Në tregtimin e produkteve elementare ushqimore në Kosovë, ndodhin edhe të tjera veprime abuzive me çmime. Një qytetar, klient i rregulltë i marketeve dhe supermarketeve që tregtojnë gamë të gjerë produktesh, ndër to edhe sosh elementare ushqimore, në kushte rreptësisht anonimniteti, i ka thënë Buletinit Ekonomik se këto ditë i ndodhi që në njërën nga qendrat tregtare të zinxhirit të megamarketeve të shumta në kryeqytet, kur shkoi të furnizohet me jogurtin e një prodhuesi të njohur të vendit, të reklamuar për ulje të madhe çmimi (sipas sintagmës “merr dy, paguaj vetëm një”), e pa që jogurtit të ofruar sipas paralajmërimit, madje edhe të lidhur me një shirit najloni të dy jogurtëve, i skadon afati i përdorimit në ditën e nesërme. Në Kosovë, shqetësuese mbetet, gjithsesi, edhe shitja e produkteve me afat të skaduar.

“Personalisht disa herë më ka ndodhur që një produkt ta paguaj në arkë më shtrenjtë se që ka shkruar çmimi në raft. Por, dukuri shumë më e keqe se kjo është shitja e produkteve pa afat, siç edhe ka ndodh ta blej. Kjo është shqetësuese, pasi tregon se ka tregtarë që për pak pare janë në gjendje të rrezikojnë jetën e dikujt”, thotë N. B., një konsumator më i vëmendshëm.

Raste të abuzimit me çmimet e ulura, njohësit e rrethanave i konsiderojnë edhe ca aplikacione në telefon të ndonjë marketi të madh, të cilin duhet ta kenë klientët pavarëssisht moshës, gjinisë dhe aftësisë së tyre për të komunikuar me telefonat e mençur. Edhe pse klienti e merr produktin në raft me çmim saktësisht të ulur, kur të shkojë në arkë, nëse nuk ka aplikacionin e kërkuar, ose nëse nuk di të përdorë telefonon celular, atëherë ai detyrimisht duhet të paguajë tjetër çmim, jo atë që i ofrohet në raft.

Organizatat që merren me të drejtat e konsumatorëve, në të shumtën e rasteve të keqpërdorimeve me abuzimin me çmime, pos konstatimit se “ka keqpërdorime”, nuk kanë ndonjë mundësi reale për t’i ndihmuar konsumatorët. Sipas tyre “parregullsitë dhe mashtrimet po bëhen për shkak të mungesës së inspektorëve”. Ndërsa, telefonat publik të shpallur edhe në medie nga zyrtarët dhe asociacione të ndryshme për t’u ankuar nga konsumatorët në raste të konstatimeve të abuzimeve me çmime, apo për tregtimin e produkteve me afat të skaduar, në të shumtën janë të papërdorshëm. Në raste shumë të rralla, ndodhë që t’i përgjigjet ndokush ankuesit eventual.

Selatin Kaçaniku, i cili prej vitesh drejton Organizatën “Konsumatori”, me të cilën promovon të drejtat e qytetarëve konsumatorë, ka thënë kohë më parë për medien se shkeljet e të drejtave të konsumatorëve janë të mëdha.

“Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve nuk zbatohet në shumë pika. Ne jemi të pa mbrojtur. Gjykatat janë përplot me ankesa të qytetarëve konsumatorë. Reagim edhe më të keq se ankesën e kemi heshtjen. Prandaj MINT, Qeveria e Parlamenti, duhet të kujtohen e të mos mendojnë se i kanë zgjidhur punët pse ka pak ankesa, por le ta dinë se kjo heshtje dikur mund të shpërthejë”, ka thënë Kaçaniku.

S’do mend se manipulimet me gjoja uljen e çmimeve të reklamuara me pompozitet, janë evidente edhe në këta muaj të 2024-tës, sidomos te produktet bazike ushqimore, të cilat për rrethanat e Kosovës së varfër janë ekstremisht të shtrenjta. Dhe, në shumicën e rasteve, edhe në këta muaj të 2024-tës, konsumatorët mbeten të zhgënjyer me të parë çmimet e paralajmëruara si të zbritura, e sidomos me rastin e pagesave në arkat e qendrave tregtare. /Buletini Ekonomik/