Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët se nga data 10 maj 2024 do të fillojë procesi i konvertimit të patentë shoferit të lëshuar nga strukturat jolegale serbe në ato të Republikës së Kosovës dhe do të zgjasë deri me 9 gusht 2024.
MPB ka dhënë edhe linkun për aplikimin online, ndërsa ka treguar se çfarë dokumente duhet të kenë me veti nëse shkojnë për të aplikuar fizikisht.
“Të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në ueb faqen https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës”.
Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë këto dokumente:
Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës,
Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe,
Certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer,
Certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës;
Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: Për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është njëzetë euro (20.00€); Për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është pesëdhjetë euro (50.00€).
Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
MPB thotë se procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat 15 ditë.
“Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës”.