Problemet e Valës me valë e internet, Telekomi del me sqarim

Qytetarë të shumtë janë ankuar veçanërisht ditën e djeshme se po kanë probleme kohëve të fundit me operatorin “Vala”, në thirrje por edhe në internet.

Nga Telekomi i Kosovës thonë se një gjë e tillë ka të bëjë me disa ndryshime “moderne” që ata janë duke bërë e që herë pas herë sipas tyre po afektojnë shërbimet e këtij operatori.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepaja i ka cilësuar këto probleme “minimale”.

Reklama e sponzorizuar

“Telekomi i Kosovës aktualisht është duke zhvilluar disa projekte të mëdha të modernizimit, modernizimi i rrjetit mobil dhe atij optik që po rrjedhin paralel, të cilat herë pas herë, qoftë për shkak të migrimeve apo testimeve, do të afektojnë përkohësisht në shërbimet tona. Deri tani, afektimet kanë qenë minimale dhe presim që kështu të jetë edhe në të ardhmen”, tha ai për Reporteri.net.

Ani pse dita e djeshme ishte vështirë funksionale për ata që kanë këtë operator, zëdhënsi i Telekomit të Kosovës tha se ato probleme ishin të përkohshme, dhe se u tejkaluan po gjatë ditës së djeshme.

Ai tha se s’mund të përjashtohen problemet e ngjashme kur dhe do të bëhet ndrrimi i antenave të vjetra me ato të rejat, gjatë muajit korrik.

“Problemet e djeshme ishin pasojë e përkohshme e këtyre proceseve në rrjetin mobil, por këto probleme momentale gjatë ditës së njëjtë, janë tejkaluar. Deri në përmbylljen e procesit të migrimit që do të ndodhë në pjesën e parë të qershorit dhe ndërrimit të plotë të antenave të vjetra me ato të reja, që do të ndodhë gjatë muajit korrik, nuk përjashtohen probleme të ngjashme të cilat vlerësojmë se do të jenë minimale dhe do të tejkalohen shpejtë”, tha Lepaja.