Qytetarët serbë kanë filluar ngadalë ta zbatojnë rregulloren e BQK-së

Në veri të Kosovës, qytetarët kanë filluar të zbatojnë rregulloren e BQK-së mbi përdorimin e valutave. Shumë prej tyre sot u panë duke i këmbyer paratë nga dinari në euro. Kryeministri Kurti, në deklarim për RTK-në ritheksoi se rregullorja e BQK-së nuk është kundër asnjë komuniteti, por është për euron, si e vetmja valutë pagese në Kosovë.

Në veri të Kosovës, qytetarët kanë filluar të zbatojnë rregulloren e BQK-së mbi përdorimin e valutave. Shumë prej tyre sot u panë duke i këmbyer paratë nga dinari në euro. Kryeministri Kurti, në deklarim për RTK-në ritheksoi se rregullorja e BQK-së nuk është kundër asnjë komuniteti, por është për euron, si e vetmja valutë pagese në Kosovë.

Përdorimi i dinarit për pagesa, sipas rregullores së re të BQK-së, nuk lejohet më. Por banorët e komunitetit serb në veri të Mitrovicës, prapa kamerës i deklaruan RTK-së se pagesat ende i kryejnë me këtë valutë, derisa janë të informuar edhe për vendimin e BQK-së.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, disa prej tyre më në moshë, thonë se janë konfuzë.

“Nuk mendoj asgjë, le të bëjnë çfarë të duan, unë do të paguaj ashtu siç di dhe dua”, tha një banor i veriut.

“Po dëgjoj diçka, por nuk është që po kuptoj”, tha një e moshuar në veri të Mitrovicës.

Megjithatë, shumë prej qytetarëve atje, u panë gjatë ditës edhe para bankës postare të kursimeve, duke tërhequr para.

Në anën tjetër, këmbimoret kanë filluar të frekuentohen më shumë, për këmbim të valutave në euro.

Në dyqane të ndryshme në veri janë hequr çmimoret, që në të kaluarën, të vendosura në rafte, figuronin në dinarë.

Analisti Branislav Kërstiq thotë se në terren gjërat janë identike.

“Sot zyrtarisht ka skaduar afati, por në terren gjërat janë plotësisht identike. Dallimi i vetëm është se në Bankat Postare të Serbisë limiti i deritashëm prej 100 euro është rritur në 400 euro”, ka thënë ai për RTK-në.

Sipas tij mungesa e transparencës më së shpeshti përfundon në kurriz të popullit dhe i tillë sipas Kërstiq është edhe rasti i tanishëm.

“Nëse duam të analizojmë se  çfarë mund të na presë në të ardhmen atëherë Prishtina zyrtare duhet të jetë e vëmendshme për paralajmërimet që i vijnë nga Administrata amerikane dhe BE-ja. Por, në anën tjetër edhe Beogradi zyrtar duhet të jetë i vëmendshëm se një pjesë e Marrëveshjes së Brukselit e ka paraparë edhe një mundësi të tillë”, ka shtuar ai.

Kërstiq ka shfaqur shpresën për një periudhë shtesë të zbatimit të qetë të vendimit të BQK-së.

“Realiteti është ky, ose Serbia duhet ta pranojë një propozim ekuivalent ose të arrihet diçka që kushtimisht e siguron qetësinë sociale brenda komunitetit serb në Kosovë. Vendimi i BQK-së nuk është pezulluar, por ai vendim duhet të ketë një afat më të gjatë kohor për t’u zbatuar sepse nuk mundet për tre muaj gjithçka të ndryshojë”, ka theksuar Kërstiq.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti sqaroi se rregullorja e BQK-së nuk është kundër dinarit, por është për euron, si i vetmja valutë pagese në Kosovë.

“Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit të euros si mjet pagese”, ka theksuar Kurti për RTK-në.

Ndërkohë, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.