Raporti i Qeverisë: Për vitin 2023, menaxhmenti i Trepçës larg realizimit të planit për rimëkëmbjen e ndërmarrjes

Ndërmarrja Trepça e mbylli vitin 2023 pa e arritur planin e të hyrave në asnjërin prej indikatorëve që ishin planifikuar nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje.

Në një raport të Qeverisë për këtë ndërmarrje që e ka siguruar Buletini Ekonomik, shihet se kjo ndërmarrje realizoi vetëm 73 për qind të planit në vitin 2023.

Prrej 35.3 milionë euro sa parashihej të arketoheshin nga shitjet dhe të hyrat nga qiratë, Trepça arkëtoi vetëm 25.7 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Menaxhmenti dështoi sidomos në të hyrat që realizohen nga shitja e koncentratit të Plumbit dhe Zinkut, prej nga Trepça i ka të hyrat kryesore. Prej 34.3 milionë euro sa ishte planifikimi, nga shitjet e këtyre mineraleve u arkëtuan vetëm 16.3 milionë euro, apo 48 për qind e planit.

Dështim pati edhe nga shitjet që realizohen prej mbetjeve industriale. Nga 220 mijë euro sa ishte plani, u realizuan shitje rreth 67 mijë euro, apo vetëm 39 për qind e planit.

Plani nuk u arritë as nga të hyrat e realizuara prej shitjeve të sulfatit të aluminit. Prej 300 mijë euro sa ishte plani, u arkëtuan 213 mijë e 595 euro.

Realizim të planit dhe tejkalim të tij ndërmarrja pati vetëm nga të hyrat prej qirave, ku realizoi 212 mijë e 669 euro prej 192 mijë euro sa ishte planifikuar.

Në përgjithësi raporti përshkruan gjendje të vështirë të kësaj ndërmarrje e cila ende subvencionohet nga aksionari, Qeveria e Kosovës, për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet. /Buletini Ekonomik/