Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, do të zhvillojnë një rund të ri dialogu në Bruksel më 15 maj, në një përpjekje të re për të gjetur zgjidhje për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.
Takimi i 15 majit, do të jetë takimi i shtatë në nivel të kryenegociatorëve për çështjen e dinarit serb, pasi në gjashtë takimet paraprake ata nuk arritën pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.
Një ditë më herët, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u shpreh se pret që palët të jenë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje praktike.
Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku pret që palët të dëshmojnë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i BQK-së.
Serbët në Kosovë për vite me radhë marrin asistencë sociale dhe pagesa të tjera nga buxheti i Serbisë.
“Presim që palët të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra evropiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”, tha Stano më 13 maj, kur konfirmoi mbajtjen e rundit të ri të dialogut.
BE-ja preferon që takimi i 15 majit të jetë i fundit për çështjen e dinarit, por kjo, siç thonë në bllok, do të varet nga gatishmëria e palëve për të pranuar një zgjidhje.
Lajçak ka paraqitur para palëve një propozim, që në BE thonë se është “praktik dhe ofron një zgjidhje të përkohshme kalimtare”, por për propozimin nuk janë dhënë detaje.
Në BE thonë se koha dhe energjia që po shpenzohen në kërkim të zgjidhjes për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse takimi i së mërkurës është thirrur për një çështje specifike, atë të dinarit, në këtë takim mund të ngrihet edhe çështja e vizitave zyrtare nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, pas disa refuzimeve që janë bërë, e që BE i ka cilësuar si shkelje të obligimeve të marrëveshjes që ka të bëjë me vizita zyrtare. si shkelje të obligimeve nga marrëveshja.
Më 14 maj, BE-ja kritikoi vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar vizitën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, duke e cilësuar si shkelje të Marrëveshjes për vizitat zyrtare të arritur në kuadër të dialogut. /REL/