Shtyhet seanca në rastin “Brezovica 1”, Prokurori thotë se do të bëj kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues

Në Gjykatën Themelore të Pejës, të martën është shtyrë seanca në rastin “Brezovica 1”, ku për korrupsion po akuzohen ish-kryetari i Shtërpcës Bratislav Nikoliq së bashku me 11 të tjerët.

Deri te shtyrja e kësaj seance erdhi pasi prokurori i këtij rasti, Rasim Maloku deklaroi se do të bëjnë kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, ngase sipas tij, mbrojtësi i të akuzuarit Arben Çitaku, avokati Besnik Berisha, është mbrojtës në një rast tjetër i njërit familjar të gjyqtares Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Listës së të akuzuarve në këtë rast, i prin ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, duke u pasuar nga Dimitrije Reciceviq, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunalë të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysein Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.

Reklama e sponzorizuar

Fillimisht, trupi gjykues në këtë çështje është ndërruar dhe shqyrtimi gjyqësor kishte filluar rishtazi me kryetaren e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, pas kalimit të kryetarit të kaluar Murat Hulaj në Gjykatën Supreme.

Në këtë procedurë gjyqësore si mbrojtës i të akuzuarit Arben Citaku, është avokati Besnik Berisha, dhe në këtë rrethanë kryetarja Kuka-Mekaj, sqaroi se i njëjti është mbrojtës i njërit familjarë të saj dhe kërkoi nga palët nëse e shohin si rrethanë fakultative përjashtimin e saj nga ky gjykim.

Prokurori Maloku, lidhur me këtë tha se ishte njoftuar edhe nga disa organizata për këtë rrethanë dhe tha se do të parashtron kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues.

Andaj, në situatë të tillë, gjyqtarja ndërpriti seancën ku tha se pas parashtrimit të kërkesës nga ana e prokurorisë do të vendosë kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, lidhur me përjashtimin në këtë procedurë gjyqësore.

Bratislav Nikoliq, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, sipas aktit aktakuzes po akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë. Sipas aktit akuzues të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet për katër vepra penale: Keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.

Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, Prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.

Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon edhe Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajramin dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysein Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.