Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se katër ndërmarrje publike dhe RTK-ja vazhdojnë të kenë mangësi në raportimin financiar dhe pajtueshmërisë ligjore.
Rezultatet e auditimit për RTK-në, dhe katër ndërmarrje publike: Ndërmarrja Publike Banesore, Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër – Lepenc”, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos, si dhe Kompania Rajonale e Mbeturinave ”Uniteti”, tregojnë se këto institucione publike kanë mangësi të theksuara si në fushën e raportimit financiar po ashtu edhe në kuadrin e pajtueshmërisë ligjore.
“Për shkak të dobësive të identifikuara në raportim financiar për vitin 2023, katër prej tyre kanë opinion auditimi të modifikuar dhe një të pamodifikuar”, njofton ZKA.
Bazuar në gjetjet e auditimit ZKA-ja ka dhënë opinion të kundërt për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ”Uniteti” si dhe konkluzion të kualifikuar të pajtueshmërisë. Ndërsa Radio Televizionit të Kosovës i është kualifikuar edhe opinioni i auditimit edhe konkluzioni i pajtueshmërisë. Kurse Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër – Lepenc” e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Edhe ndërmarrja Hekurudhat e Kosovës – Infrakos e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Ndërsa Ndërmarrja Publike Banesore e ka të pamodifikuar opinionin e auditimit kurse konkluzionin e pajtueshmërisë e ka të kualifikuar.
“Procesi i auditimit në këto institucione ka evidentuar mangësi te Sistemi Informativ i Kontabilitetit dhe në shënimet shpjeguese si dhe dobësi tek të hyrat operative. Ndërsa te llogaritë e arkëtueshme dhe të pagueshme është hasur në mbivlerësim të llogarive të arkëtueshme, mos harmonizimi në mes të shënimeve kontabël të llogarive të arkëtueshme dhe letër konfirmimeve, prezantim i llogarive të arkëtueshme të paidentifikuara, mbivlerësim i detyrimeve tatimore ndaj ATK-së, si dhe detyrimeve tjera afatshkurtra, mos prezantimi i saktë i obligimeve në regjistrin e kompanisë, nënvlerësim i detyrimeve dhe të hyrave nga grantet si dhe mungesë e të dhënave të plota për grantet”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se edhe proceset e prokurimit dhe proceset e rekrutimit janë përcjellë me dobësi. Gjithashtu janë identifikuar mangësi të tjera në sistemin e kontrollit të brendshëm të shpalosura në raportet individuale të auditimit.
“Me qëllim të përmirësimit të qeverisjes, këtë vit ZKA-ja ka dhënë 33 rekomandime si: për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ”Uniteti” janë dhënë dhjetë rekomandime, për Ndërmarrjen Publike Banesore tetë, për Radio Televizionin e Kosovës shtatë, për Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër – Lepenc” katër si dhe për ndërmarrjen Hekurudhat e Kosovës – Infrakos janë dhënë katër rekomandime”, thuhet në njoftim.
Në fund thuhet se pavarësisht mangësive të identifikuara, krahasuar me vitin paraprak këto institucione kanë shënuar progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve. Përderisa për vitin 2022 kanë qenë 63 rekomandime këtë vit ka zvogëlim të numrit të tyre për 30 sosh.