Zvarritja e pakuptimtë e rindërtimit të bllokut A3 të Kosovës A

Derisa mos të ketë kapacitete numerikisht më të shumta të energjisë së rinovueshme (qoftë në bazë të erës, qoftë të energjisë solare), ose të rinovimit të tërësishëm, gjegjësisht të rindërtimit të ndonjë blloku të termocentrelave të stërvjetëruara të Kosovës A, do të ketë ende paralajmërime për gjendjet e rënda të pritshme elektroenergjetike, krizat e mospasjes mjaftueshëm rrymë dhe mungesat e furnizimit normal të këtij vendi me energji elektrike.

Mehmet GJATA

Kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë (të gjitha bashkarisht), dihet se nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e konsumit, sidomos gjatë ditëve të acarta të dimrit, edhe po të punonin me parashikimet më ideale.

Reklama e sponzorizuar

Kosova, ç’është e vërteta, nuk pati energji të mjaftueshme elektrike të veten për të furnizuar me rrymë normalisht qytetarët e vet, praktikisht qe 24 vjet, dhe Kosova do të vazhdojë të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet jo pak posa të fillojnë ditët e ftohta, kur rëndom vendi, nuk pati asnjë ditë të vetme të sigurtë sa i përket furnizimit me rrymë. Gjithsesi, përderisa mos të ketë kapacitete numerikisht më të shumta të energjisë së rinovueshme (qoftë në bazë të erës, qoftë të energjisë solare), ose të rinovimit të tërësishëm, gjegjësisht të rindërtimit të ndonjë blloku të termocentrelave të stërvjetëruara të Kosovës A, do të ketë ende paralajmërime për gjendjet e rënda të pritshme elektroenergjetike, krizat e mospasjes mjaftueshëm rrymë dhe mungesat e furnizimit normal të këtij vendi me energji elektrike. Sepse, kapacitetet tona të stërvjetëruara (Kosova A mbi 60 e sa vjet, dhe Kosova B mbi 40 vjet), nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e konsumit gjatë ditëve të acarta të dimrit, edhe po të punonin me parashikimet më ideale. Aq më parë, kur dihet se konsumi i Kosovës kontinentale shtohet vrullshëm dhe paparashikueshëm që në gjysmën e dytë të vjeshtës, dhe veçmas gjatë tërë dimrit, që rëndom është i ftohtë dhe i gjatë për kosovarët e skamur dhe pa para të bollshme për t’u përballur me mungesën e rrymës.

Kosova, në këto dy e më shumë dekada e humbi hapin në zhvillimin elektroenergjetik. U vonua së tepërmi për të pasur një kapacitet të ri në bazë të qymyrit (një termocentral rreth 500 megavatësh), i cili, krahas termocentraleve ekzistuese, do të stabilizonte mjaftueshëm gjendjen elektroenergjetike në vend, dhe në raste jo të pakta, do të prodhonte rrymë edhe për të eksportuar një sasi. Dhe, si rrjedhojë e vonesave të pakuptueshme dhe dështimeve vit pas viti për ta pasur një termocentral të ri deri para 3-4 vjetësh, Kosova tashmë e ka thuaja të pamundur ta ketë këtë termocentral edhe për shkak të përcaktimit thuaja decidiv të botës energjetike për dekarbonizimin e sektorit energjetik. Megjitëkëtë, njohësit e zhvillimeve në energjetikë vlerësojnë se ende nuk janë humbur të gjitha mundësitë për të prodhuar akoma energji elektrike në bazë të qymyrit.

Më konkretisht, edhe tani, kur shumë shtete të botës kushtimisht janë orientuar kah energjia e ripërtritshme, pokështu shumë shtete të tjera, ndër to edhe sish të fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, nuk kanë hequr dorë tërësisht nga qymyri (madje, pas shpërfaqjes së krizës së ashpër energjetike, në shumë shtete të botë iu rikthyen qymyrit, burimit të kahmotshën elektroenergjetik dhe që kishte tendenca evidente për ta shpallur “të dënuar” nga ambientalistët sidomos).

Ministrat e Energjisë të 7 vendeve më të industrializuara të botës (G7), në fillim të këtij muaji, nëpërmjet një komunikate kanë njoftuar se ranë dakord për t’i dhënë fund përdorimit të qymyrit në prodhimin e energjisë gjatë gjysmës së parë të dekadës së ardhshme, por kanë “toleruar” Gjermaninë dhe Japoninë, ekonomitë e të cilave varen nga kjo lëndë e parë. Pra deri më 2035, këto shtete do të kenë mundësi lehtësisht të përdorin qymyrin, në bazë të të cilit prodhojnë më shumë se një të katërtën e energjisë elektrike të tyre.

Siç njoftojnë mediat ndërkombëtare, edhe Turqia, vazhdon të përdorë me shumicë qymyrin si resurs të prodhimit të rrymës. Në bazë të të dhënave të paraqitura nga grupi i ekspertëve të energjisë, Ember, Turqia ka kaluar Gjermaninë duke u bërë prodhuesi më i madh në Evropë i energjisë elektrike me qymyr gjatë katër muajve të parë të vitit 2024. Prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri prej 36 teravat (TËh) në Turqi, deri në prill tejkaloi 34.6 TËh të prodhuar nga shërbimet komunale të Gjermanisë gjatë së njëjtës periudhë, si dhe 31.3 TËh të energjisë nga Polonia, që është përdoruesi i tretë më i madh i qymyrit në Evropë. Këtë fleksibilitet të përcaktuesve të kaheve të zhvillimit energjetik në botë, duhet ta shfrytëzojë doemos edhe Kosova, ku akoma prodhimi i energjisë elektrike dominohet mbi 90 për qind nga qymyri dhe nga fakti i pasjes së rezervave kolosale të këtij resursi (vlerësohet se nëntoka e Kosovës përmbanë diku rreth 12-13 miliardë tonelata linjit).

Autoritetet e Kosovës duhet kërkuar me ngulm, që krahas ndërtimit dhe vizioneve të kapaciteteve të reja dhe numerikisht më të shumta të energjisë së rinovueshme (qoftë në bazë të erës, qoftë sosh solare), dhe përpjekjeve për dekarbonizimin e sektorit energjetik sipas rekomandimeve të botës, të vazhdojnë të kenë për disa vite në vazhdim edhe kapacitete prodhuese, të reja, apo të rindërtuara në bazë të qymyrit. Vetëm në këtë mënyrë, Kosova do ta siguronte stabilitetin e sistemit të vet elektroenergjetik.

Në këtë kontekst, është më se e nevojshme që urgjentisht, të fillojë, siç është paraparë edhe me dokumente zhvillimore të energjetikës, rindërtimi i tërësishëm i ndonjërit nga blloqet e termocentralit Kosova A, që nënkupton rindërtim të tërësishëm që do të siguronte edhe për shumë vjet prodhim të rrymës, por edhe ambient më të pastër dhe më të mirëmbajtur, përkatësisht siç kërkojnë kriteret ambientaliste kudo në botë. Pra, ideja për rindërtimin e tërësishëm të ndonjërës nga njësitë e Kosovës A, nuk është e re.

Që në fillimet e nisjes së bërjes së Strategjisë Energjetike të Kosovës 2022-2031, u shpërfaqën ide për nevojën, madje edhe për domosdonë e rindërtimit të termocentraleve Kosova A (të të tre blloqeve A3, A4 dhe A5). Madje jo pak veta (ekspertë dhe shumë inxhinierë të KEK-ut), në këtë rindërtim shihnin shpëtimin-daljen njëherë e mirë të Kosovës nga kriza energjetike.

Në ndërkohë, po gjatë diskutimeve publike rreth Strategjisë, sikur u reduktuan synimet për ta rindërtuar Kosovën A. Tani flitet për rindërtimin e një blloku, siç parashihet edhe në synimet zhvillimore të Strategjisë. Por, edhe rindërtimi i një blloku të termocentraleve të stërvjetruara, do të ishte më mirë se sa mos të rindërtohej asnjëri nga këto njësi, dhe gjithsesi do të ishte e mirëseardhur për ta bërë më të sigurtë furnizimin e konsumit të Kosovës me rrymë, por edhe për stabilitet të sistemit elektroenergjetik të vendit. Por, edhe rindërtimi i njërit bllok të Kosovës A po zvarritet pakuptimisht. Zyrtarët e KEK-ut i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ekpertët e korporatës ka disa muaj që kanë nisur të analizojnë variantet më të mira dhe më moderne të rindërtimit të bllokut A3 të Kosovës A (me gjasë, është përcaktim i më shumë vendimmarrësve të vendit që A3 të rindërtohet). Po studiohen përvojat e shteteteve që kanë bërë këso rindërtimesh dhe po llogaritet kostoja financiare. Sipas parashikiemeve paraprake, mendohet që rindërtimi i A3-shit do të mund të finalizohej me rreth 120-130 milionë euro. Dhe nëse është kështu, pra nëse mund të përmbyllet rindërtimi i kësaj njësie prodhuese me kaq para, del të jetë edhe më e pakuptueshme dhe e më e diskutueshme pavendosshmëria e deritashme, hamendësimet jo të pakta, dhe për rrjedhojë prolongimi i gjatë i nisjes së punëve për rindërtimin e këtij kapaciteti. Sepse, edhe për Kosovën e varfër, kjo shumë parash nuk do të duhej të paraqiste ndonjë sfidë të papërballueshme. Ka pasur dhe ka mundësi të sigurohen këto para nga fonde të ndryshme të vendit, të dedikuara për zhvillim dhe për investime, por edhe nga KEK-u, qoftë nëpërmjet ndonjë angazhimi kreditor, qoftë nga eksporti i energjisë elektrike. Duhet ripërsëritur se Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që në gusht të vitit 2021 (19 gusht 2021), ka marrë vendimin për nisjen e procedurave për rindërtimin e termocentralit ‘Kosova A’.

“Përgatitja e draft-dokumentit teknik lidhur me Termocentralin Kosova A dhe përgatitja e draft-letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj. Pas përgatitjes së drafteve do të bisedohet me aksionarin”, thuhej në komunikatën e Bordit të KEK të lëshuar për media.

Po në gusht të 2021-tës, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut kishte marrë vendimin për “zhvillimin e procedurës për zhvillimin e infrastrukturës për projektin e parkut solar dhe energjisë së ripërtëritshme”.

Rindërtimi i tërësishëm i termocentraleve Kosova A, ishte inicuar si projekt edhe nga Qeveria e sotme, qysh në ditët e para të ardhjes së saj në pushtet, si vizion për ringjallje elektroenergjetike të Kosovës. Megjithë këto vizione, në Kosovë, pra, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyrit, mundësia e përdorimit të këtij resursi si burim energjetik edhe në këtë kohë mungesash evidente të rrymës, akoma është e mjegulltë dhe e paqartë. Autoritetet në të shumtën e kohës heshtin, ndonjëherë edhe lansojnë ndonjë parashikim, siç ka ndodhur në këto vite. Fillimisht, me nisjen e mandatit të Qeverisë Kurti, u tha se do të rindërtohet tërësisht Kosova A, pastaj se do të ndërtohen 2 blloqe të këtij termocentrali të stërvjetëruar, dhe së fundi zyrtarët, edhe vetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka potencuar se objektiv i rindërtimit te Kosova A do të jetë vetëm një nga njësitë prodhuese të saj.

Edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031, parashihet vetëm një njësi e A-së të rindërtohet. Në këtë mënyrë, për rikthimin e qymyrit si mundësi dhe si përvojë e që po e shqyrtojnë dhe po e bëjnë pa frikë tashmë shumë shtetete të Europës, sidomos ato të fuqishmet ekonomikisht, nuk flet kush me dëshirë në Kosovë. Madje, ekspertët e shumtë të energjetikës në KEK dhe njohësit e zhvillimeve energjetike më me ëndje heshtin fare, se sa flasin publikisht për nevojat e domosdoshme për të investuar në rindërtimin e kapaciteteve të stërvjetruara elektroenergjetike.

Me fjalë të tjera, rikthimi i mundshëm i qymyrit në Kosovë në njëfarë mënyre është bërë temë e padiskutueshme brenda institucioneve, por edhe te komuniteti elektroenergjetik i vendit. Që në fillim të Strategjisë energjetike 2022-2031, bëhet fare pak fjalë për qymyrin. Ky dokument për zhvillimet e ardhshme energjetike mbështetet kryekëput në prodhimin e energjisë së rinovueshme, duke potencuar si objektiv strategjik dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Vendimi për rinovimin e njësisë së dytë të Termocentralit Kosova A, do të merret më së voni në vitin 2024. Njësia (njësitë) e rinovuar e termocentralit “Kosova” A”, do të punojë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo (këto) njësi do të jetë (jenë) e disponueshme në sezonin e ngrohjes kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike.

“Njësitë e Kosovës A të cilat nuk janë aktualisht në përdorim (A1 dhe A2) do të dekomisionohen, ndërsa njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, sqarohet në Strategjinë energjetike 2022-2031, nga ku nënkuptohet, se deri më 2024 as që bëhet fjalë për investime eventuale në rindërtimin e ndonjë blloku të Kosovës A.

Dhe kjo nënkupton se as që do bëhet fjalë për rikthim të vëmendjes te qymyri si resurs energjetik, pa të cilin Kosova realisht do ta ketë shumë të vështirë të ketë energji të mjaftueshme dimrave në vazhdim, as deri më 2025, dhe as pas këtij viti, kur parashihet që kapacitetet e energjisë së rinovueshme të arrijnë 500 megavatë. Sepse, edhe po qe se Kosova më 2025 do të kishte arritur të ketë 500 megavatë nga energjia e ripërtëritshme, kjo sasi është e barabartë sa prodhimi aktual i një blloku e gjysmë të Kosovës A. Dihet se fuqia e instaluar e paneleve solare dhe të centraleve në bazë të erës, asnjëherë nuk mund të arrihet dhe ato rëndom prodhojnë diku të gjysma e fuqisë së instaluar, ndërsa në Kosovë edhe më pak, për shkak të mungesës së bollshme të erës dhe të diellit.

Edhe një fakt tjetër tepër i rëndësishëm, dhe për shumë punonjës e ekspertë të KEK-ut, i domosdoshëm, që po anashkalohet nga zyrtarët dhe vendimmarrësit, është rreziku shumë i madh që paraqesin blloqet e aktivizuara të stërvjetruara të Kosovës A, të cilat janë në prodhim që nga vitet e gjashtëdhjeta dhe sot e kësaj dite ato prodhojnë, por paraqesin rrezik permanent për punonjësit dhe popullsinë përrreth, nga vjetërsia dhe amortizimi i stabilimenteve të tyre. Dhe, për këtë shkak, këto blloqe të Kosovës A, ose duhet urgjentisht të rinovohen tërësisht, ose duhet vënë dryrin. Tjetër zgjidhje nuk ka, potencojnë në unison ekspertët e KEK-ut.

“Termocentralet Kosova A duhet ose të mbyllen fare, ose të rindërtohen. S’ka asnjë alternativë tjetër”. Kjo ishte përgjigjja e prerë e një njohësi të dëshmuar të zhvillimeve energjetike në vend dhe në botë, në interesimet e mëhershme të Buletinit Ekonomik për “fatin” e mëtejshëm të këtij kapaciteti elektroenergjetik të stërvjetruar tashmë, dhe si i tillë edhe jo pak i rrezikshëm për 700 punëtorët e angazhuar aty, por edhe më se të nevojshëm për stabilitetin e sistemit eketroenergjetik të vendit dhe për përmbushjen e mbi një të tretave të nevojave të konsumit kosovar për rrymë.

Dihet, Kosova A-tre blloqet (A3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës dhe për të mos u futur në qorrsokak, që pastaj vështirë t’i dilet mbanë nga importi me çmime stratosferike të rrymës. Sepse, Kosova A akoma prodhon 35 për qind të energjisë elektrike të vendit. Dhe kjo sasi nuk është pak edhe për nga vlera financiare. /Buletini Ekonomik/