Qeveria ‘harron’ Trepçën, minatorët mbesin pa paga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para se të vinte në pushtet ishte zotuar se do të siguronte një model të ri të qeverisjes së resurseve minerare, duke premtuar kështu ringritjen dhe avancimin e tyre. Ai  kishte premtuar edhe futjen e teknologjisë së re, për të zhvilluar metalurgjinë, por një gjë e tillë ende s’ka ndodhur.  Minatorët e ndërmarrjes “Trepça”, po vazhdojnë të hasin me probleme të njëjta, duke pasur vonesa me marrjen e pagave me kohë e me kushte të vështira të punës.

Se minatorët nuk janë aspak të kënaqur me punën e Qeverisë e thotë edhe kryesindikalisti i ndërmarrjes “Trepça”, Ibrahim Jonuzi.

Ai thotë se pushteti aktual nuk ka gatishmëri me u taku me sindikatën për problemet e minatorëve. Ai bëri të ditur se minatorët s’kanë marr paga që një muaj.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, ndërmarrja nuk ka kapacitete t’i paguaj punëtorët në “Trepçë” pa ndihmën e Qeverisë.

“Qeveria nuk ka gatishmëri me u taku me sindikatën për t’i dëgjuar problemet. Ende nuk kanë dalë pagat, ata kanë filluar punën me shpresë që dalin pagat. Ne nuk kemi kapaciteti me i realizua pagat për 1200 punëtorë” ka thënë ai.

Më tutje Januzi ka kritikuar Qeverinë për mos përkrahjen ndaj minatorëve.

“Qeveria për momentin për minatorët nuk po bënë asgjë. Pa ndihmën e Qeverisë nuk mund të dalim prej kësaj situate, duhet ta gjejmë mirëkuptimin. Është e pamundur me u rikthye në një stabilitet në prodhim më të lartë”.

Front Online ka kontaktuar edhe kryeshefin e Trepçës për të marr një përgjigje lidhur me mungesën e pagave për minatorët.

Kryeshefi Bashkim Kurti ka deklaruar se në këtë ndërmarrje është funksionale dhe pagat do dalin.

“Gjithçka është duke funksionuar në normalitet. Pagat do t’i marrin”, ka thënë shkurt Kurti.

Punën e Qeverisë për menaxhimin e Ndërmarrjes “Trepça” e ka kritikuar edhe ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj.  Ai ka përmendur premtimin e VV-së për këtë ndërmarrje që nuk e zbatoi.

“Vetëvendosja ka premtuar që ndërmarrja publike sidomos Trepçën do ta ketë në prioritet të lartë, por nuk është”.

Mulaj ka thënë se Bordi i Ndërmarrjes duhet të merren me problemet e minatorëve. Sipas Mulajt, “Trepça” duhet të jetë kompani konkurruese në tregjet e reja.

“Duhet të jetë kontribuues i zhvillimit ekonomik, Trepçës duhet t’i kthehet shkëlqimi i dikurshëm, duhet te jetë një kopani konkurruese në tregjet e reja. Bordi që e ka zgjedhur Qeveria duhet të i zgjedh këto probleme”.

Këto janë ndryshimet që duhet pushteti aktual ti merr kundrejt ndërmarrjes “Trepça”, sipas ish-ministrit Mulaj.

“Rikonstruimi në aspektin organizativ të Trepçës të ketë strategji analizën e kapaciteteve mineraleve që posedon dhe tregjet ku mundën t’i shesin ato minerale. Të rregullohen përformanca menaxheriale”.

Anëtari i Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi, Industri e Tregti, Pal Lekaj vlerëson se Qeveria ‘Kurti’ me vepra nuk e donë “Trepçën” por me fjalë. Lekaj thotë se gjendja është rënduar në këtë ndërmarrje.

“Qeveria e do Trepçën me fjalë dhe jo me vepra. Të gjithë e dinë që gjendja e Trepçës është e rënduar, pasi makineritë, teknika dhe infrastruktura është shumë e amortizuar dhe mungojnë investimet bazë e të reja për të funksionuar”.

Deputeti thotë se minatorët nuk kanë kushte të punës.

Minatorët janë lënë anash, të cilëve ju mungojnë veshmbathjet, pagat, sigurimet e nevojshme, e shumë benefite të tjera që ju takojnë”.

Lekaj deklaron se me “Trepçën” s’ka lojë sepse rrezikohet zhvillimi ekonomik. Sipas tij, pushteti aktual kjo ndërmarrje nuk ju sjellë vota politike.

“Qeveria duhet me prioritet të merr vendime konkrete që do ta ndihmonin dhe zhvillonin Trepçën. E vërteta për pushtetin është që Trepçën nuk e shohin si vend që ju sjellë votë por nuk duhet të eksperimentohet, sepse rrezikohet zhvillimi ekonomik”.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Me rreth 20.000 punëtorë, ai është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, nga viti 1945 deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.