BQE: Bullgaria dhe Rumania nuk përmbushin kriteret ekonomike për të hyrë në Eurozonë

Euro banknotes on the map of Europe, selective focus. Concept for european economy, eurozone countries

Zgjerimi drejt lindjes i Eurozonës, ka ndeshur një pengesë pasi Bullgaria dhe Rumania nuk arritën të përmbushnin kriteret ekonomike të nevojshme për të përdorur euron.

Vendimi i shpallur nga Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian, do të thotë se ambicia e Bullgarisë për t’u bashkuar me Eurozonën në fillim të vitit të ardhshëm, nuk do të përmbushet. Rishikimi i tyre konfirmoi gjithashtu se shpresat e Rumanisë për anëtarësim në euro, mbeten po aq të largëta.

BQE dhe komisioni thanë se të dy vendet në bregun e Detit të Zi – të cilat janë ndër anëtarët më të varfër të BE-së – kishin inflacion shumë të lartë në krahasim me pjesën tjetër të bllokut dhe shprehën dyshime, nëse institucionet e tyre ishin mjaftueshëm të forta për të trajtuar korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Reklama e sponzorizuar

Të dy vendet po kërkojnë të ndjekin hapat e Kroacisë, e cila u bë vendi i 20-të, që miratoi euron në fillim të vitit 2023.

Bullgaria është vendi më i afërt me anëtarësimin në Eurozonë, pasi ka lidhur monedhën e saj vendase me euron për vite me radhë, ka lejuar që bankat e saj më të mëdha të mbikëqyren nga BQE dhe kanë mbajtur nivele relativisht të ulëta të borxhit dhe deficitit buxhetor.

Nëse do të kishte plotësuar kushtet e nevojshme, Bullgaria mund të hynte në euro në fillim të vitit 2025.

Në vlerësimin e komisionit, për gatishmërinë e gjashtë vendeve të BE-së jo-euro për t’iu bashkuar zonës së monedhës së përbashkët, Bullgaria përmbushi çdo kriter, përveç uljes së inflacionit në nivelet e BE-së.

Inflacioni në Bullgari ishte mesatarisht 5.1 përqind deri në maj, nga 5.9 për qind një vit më parë, por ende shumë mbi kufirin maksimal prej 3.3 për qind të llogaritur në lidhje me anëtarët e tjerë të BE, tha BQE.

Ndërsa rezultati i vlerësimit ishte siç pritej, qeveria e mëparshme e Bullgarisë kishte shpresuar se ekzekutivi i BE-së, do të ushtronte tolerancë, duke pasur parasysh se Sofja pritet të përmbushë kriterin e stabilitetit të çmimeve më vonë këtë vit.

Në vend të kësaj, komisioni ka rënë dakord të rivlerësojë përshtatshmërinë e vendit për t’u bashkuar me euron me kërkesë të Bullgarisë, në vend që të presë për shqyrtimin e radhës të rregullt në dy vjet.

Bullgarët janë të ndarë për t’u bashkuar me zonën e euros, me sondazhet e fundit që tregojnë se 49 për qind janë pro dhe një përqindje e ngjashme janë kundër.

BQE tha gjithashtu se Sofja ishte ende “duke punuar për” zbatimin e një numri angazhimesh, duke përfshirë “forcimin e kuadrit të saj kundër pastrimit të parave” dhe ngriti shqetësime rreth një amendamenti kushtetues, që lejon presidentin të emërojë guvernatorin ose zëvendësguvernatorin e bankës qendrore të Bullgarisë, si kryeministër i përkohshëm.

Cilësia dhe qeverisja institucionale po përmirësoheshin, por ende janë “relativisht të dobëta” në Bullgari, Rumani dhe Hungari, tha BQE. BQE përmendi “dobësi në mjedisin e biznesit, një administratë publike joefikase, evazion fiskal, korrupsion, mungesë përfshirjeje sociale, mungesë transparence, mungesë të pavarësisë së gjyqësorit dhe/ose akses të dobët në shërbimet online”.

Sofja ka pasur gjashtë zgjedhje në pak më shumë se tre vjet, që kur ish-udhëheqësi i fortë Bojko Borisov u rrëzua në vitin 2021, pas protestave kundër korrupsionit.

Një tjetër zgjedhje konsiderohet e mundshme këtë vit pasi një votim në qershor, nuk arriti të sigurojë një qeveri të qëndrueshme. Bullgaria mbetet anëtari më i varfër i BE-së, me produktin e brendshëm bruto për frymë një të tretën nën mesataren e bllokut.

Inflacioni në Rumani ishte shumë mbi nivelin e kërkuar, pasi rritja mesatare e çmimeve ishte 7.6 për qind vitin e kaluar. Vendi gjithashtu dështoi në vlerësimin fiskal të BQE-së, pasi kishte shkelur rregullat e borxhit të BE-së, që nga viti 2020 dhe kishte një deficit buxhetor prej 6.6 për qind vitin e kaluar – shumë mbi kufirin prej 3 për qind të BE-së – dhe pak gjasa, që ai të bjerë nën objektivin e Brukselit këtë vit.

Në përgjithësi, BQE tha se kishte pasur “përparim të kufizuar” nga anëtarët jo të Eurozonës në konvergimin drejt bllokut të monedhës së përbashkët, për shkak të “kushteve sfiduese ekonomike” të shkaktuara nga pasojat e pushtimit rus të Ukrainës.

Katër vendet e tjera të vlerësuara – Polonia, Republika Çeke, Hungaria dhe Suedia – gjithashtu kishin inflacion mbi nivelin e kërkuar për t’u bashkuar me euron dhe të gjitha, përveç Suedisë, shkelën rregullat fiskale të BE-së.

Megjithatë, katërshja nuk po kërkon anëtarësim në euro. Rumania vitin e kaluar vendosi një objektiv për t’u bashkuar me euron deri në vitin 2029, por presidenti Klaus Iohannis ka vënë në pikëpyetje caktimin e ndonjë date të caktuar për vendin. /Financial Times