Kapaciteti solar prej 100 megavatësh, ndër projektet e para prodhuese që do të ndërtohet edhe me para të diasporës

Kapaciteti i parë solar serioz edhe për nga sasia e prodhimit (100 megavatë energji solare), është praktikisht projekti i parë prodhues dhe ndër projektet kapitale goxha të kushtueshme (do të investohen diku mbi 70 milionë euro) që do të finalizohet edhe nga paratë e mërgimtarëve tanë.

Mehmet GJATA

Nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e projektit të ankandit të parë solar prej 100 megavatësh me konsorciumin “Orllati’, të përbërë nga Orllati Group nga Zvicra, Holdigaz nga Zvicra, ZPV nga Gjermania dhe Jaha Solar nga Kosova, ka rëndësi të madhe, jo vetëm pse është kapaciteti i parë që do të prodhojë energji elektrike nga dielli, por edhe për faktin se do të ndërtohet edhe me paranë e diaporës sonë, që ndër vite është investuar kryesisht për mirëqenie familjare dhe për blerjen e banesave, ose ndonjë patundshmërie tjetër.

Reklama e sponzorizuar

Më konkretisht, kapaciteti i parë solar serioz edhe për nga sasia e prodhimit (100 megavatë energji solare), është praktikisht projekti i parë prodhues dhe ndër projektet kapitale goxha të kushtueshme (do të investohen diku mbi 70 milionë euro) që do të finalizohet edhe nga paratë e mërgimtarëve tanë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas nënshkrimit të kontratës, në një postim në Facebook, ka shkruar se “ky investim prej mbi 70 milionë euro, nuk do të ishte i mundur pa iniciativën e vullnetin e Avni e Destan Orllatit, ndër ndërmarrësit më të suksesshëm e respektuar në Zvicër”.

“Shembujt si ky demonstrojnë më së miri se sa me fat është shteti i Kosovës që ka një mërgatë të suksesshme e të fuqishme, të gatshme për të kontribuar në zhvillimin e vendit dhe marrëdhëniet mes vendlindjes dhe shteteve ku jetojnë. Me një qeverisje të pastër, ambient të të bërit biznes gjithnjë më fer, e me zhvillim të shpejtë ekonomik, Kosova po bëhet vend ku mërgata jonë, por jo vetëm, po rikthen besimin për të investuar. Kosova është e tyre po aq sa e jona, dhe është koha që ata Kosovën ta shohin edhe si vend të sigurtë e tërheqës për investime, me përfitime të dyanshme”, shkruante Rizvanolli, me këtë rast.

Kjo nismë, gjithsesi, është një hap më konkret se Kosova dhe institucionet e saj, po fillojnë më në fund ta trajtojnë mërgatën e saj më shumë dhe përtej rasteve kur diaspora sjellë shuma të mëdha parash në vendlindje, kur prurjet financiare të këtyre njerzëve tejkalojnë rekordet ekzistuese, dhe në muajt e verës, kur kthimin e vëmendjes e imponojnë vet ata, me ardhjen masovike në vendlindje.

Nisma e ndërtimit të projektit të ankandit të parë solar prej 100 megavatësh me konsorciumin “Orllati’, tani në prag të ardhjes së tyre të numërt dhe tok me ardhjen e tyre, prurjen e një fluksi të ri parash aq të dëshirueshme dhe të pritshme nga kosovarët, është përmbushje domethënëse e autoriteteve të Republikës e premtimeve të kahershme për mundësitë reale që sasia kolosale e remitancave (sipas të dhënave të vjetshme të Bankës Qendrore të Kosovës, në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje), pos për buxhetet familjare dhe mirëqenien e tyre, të dedikohet edhe për investime që do t’i sillnin fitim investuesit nga diaspora, për të përfituar kështu të dy palët edhe Kosova edhe mërgata jonë.

Gjithsesi, kjo nismë është një satisfaksion për mërgatën tonë shumë të madhe dhe një ndjesi për rolin e pakontestueshëm të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë që ajo në gjithë këto vite ka pasur. Edhe një herë po e ripërsërisim se remitancat, prurjet financiare të mërgatës sonë pra, po të kihet parasysh diaspora jonë numerikisht goxha e madhe dhe shteti i vogël i Kosovës, janë kolosale, të imponueshme, përtej shifrave që do të mund t’i imagjinonte ndokush vite më parë dhe burimi i vetëm i sigurtë financiar për vite të tëra dhe për çdo vit veç e veç.

Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind, ose më konkretisht, që nga paslufta dërgesat e diasporës vazhdojnë të përbëjnë burimin ndër më të mëdhenjtë të të ardhurave në Kosovë. Këto janë para e madhe. Dhe, siç dihet, deri më tash, këto mjete janë investuar kryesisht në buxhetet familjare, për mbijetesën e familjeve të diasporës në Kosovë dhe në vitet e fundit, mërgimtarët, janë përcaktuar që paranë e tyre ta investojnë goxha shumë edhe në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave në qendra të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet.

Për këtë flasin faktet: Blerja e banesave, shtëpive e tokave nga mërgimtarët tanë kanë përbërë në këto vitet e fundit, 65, 68, madje deri në 70 për qind të investimeve nga jashtë. Dhe, këto të dhëna flasin se deri më tash ishin të pa efektshme deklarimet e shumta të zyrtarëve se “duhet që mjetet e diasporës të orientohen në jetësimin e projekteve investuese, dhe në këtë kuptim, duhet inkurajuar mërgatën tonë për të investuar paranë e tyre në vendlindje”.

Deri tani, gjegjësisht deri në nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e impiantit solar 100 megavatësh, në Kosovë nuk ka pasur ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të diasporës, as ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe nuk pati as ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh. Investimet e diasporës, gjegjësisht remitencat deri tash, siç u tha më sipër, janë shquar në angazhimet e tyre me shumicë absolute në paluajtshmëri dhe më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet dhe në konsumin për mirëqenie familjare. Vlerësohet se diku rreth 70 për qind e parave të diasporës që arrijnë në Kosovë, deri tani janë shpenzuar për buxhete familjare.

Asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës, sado të deklaruara dashamirëse dhe premtuese në favor të konkretizimit të investimeve me para të diasporës, nuk u tregua këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Prandaj, zyrtarët aktual të vendit dhe pasardhësit e tyre, tani e tutje duhet ta kenë obligim të padiskutueshëm që të jenë më kreativ dhe më intrigues në politikat vijuese për trajtimin e diasporës në përgjithësi dhe parasë së tyre në veçanti. Vetëm përkushtimi i zyrtarëve dhe institucioneve tona përkatëse për t’i përmbushur premtimet dhe trajtimi gjithanshëm më i mirë i bashkatdhetarëve tanë në botë, mund ta joshin diasporën, paratë e biznesmenëve të suksesshëm të margatës sonë.

Në njëfarë mënyre, projekti solar prej 100 megavatësh, është një nismë e realizimit të premtimeve të kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, të bëra në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur kohë më parë në Prishtinë, se “janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor, dhe se janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit”.

Kurti, me këtë rast, nuk e ftoi diasporën për të investuar në emër të patriotizmit, atdhedashurisë, dashurisë për vendlindjen, siç ishte praktikë thuaja standarde e deritashme, në të gjitha rastet e takimeve me përfaqësues të mërgatës. Kryeministri ftoi diasporën drejtëpërdrejt, duke ua bërë të ditur se “investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë”.

“Tanimë, me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë. Ejani, kontribuoni dhe fitoni. Nuk jemi në të kaluarën kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, po kontribut përmes përfitimit të dyanshëm”, kishte thënë Kurti.

Me këtë rast, kryeministri i bëri ftesë diasporës pa ndonjë kompleks e keqardhje se Kosova ka nevojë për ta, për dijen dhe përvojën e tyre: “Jemi duke shikuar mënyrat si ta përdorim dijen dhe eksperiencën e marrë jashtë për të zhvilluar vendin…. Jemi në situatë kur kemi nevojë jo pak për dijen, shkathtësitë, përvojën, etikën e punës së mërgatës e jo vetëm për financat e bazën e tyre materiale”.

Kështu po. Por, ftesën e drejtpërdrejtë të kryeministrit duhet zbatuar pa humbur shumë kohë institucionet e shumta të vendit, ministritë përkatëse, si dhe pushtetet lokale nëpër qendrat komunale. Të ketë rezultate të investimeve nga mërgata jonë. Në rrethanat kur vendit i nevojiten aq shumë paratë e mërgatës dhe kur zhvillimi i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejtë dhe në masë relativisht të madhe me paranë e diasporës, krahas ftesës ndryshe nga herat e tjera, do të duhej të veprohej institucionalisht, pa humbur kohë, për të krijuar të gjitha kushtet e favorshme për investimin e parasë së mërgimtarëve tanë. Sepse, nuk mjafton vetëm pozita gjeografike e Kosovës, aeroporti modern, infrastruktura rrugore, afërsia e porteve që e bëjnë vend të volitshëm tregtar e transportues. Nuk mjaftojnë as ftesat me fjalë të mira. Mërgatës, tani, sikundër çdo investitori të jashtëm, i duhet garanci për qenë i bindur se investimi i tyre do të jetë qind për qind i sigurtë. Më e rëndësishmja tani, është të mbahen premtimet e dhëna ndaj tyre në takimet me rastin e ardhjes këtu, por edhe të vizitave të ndryshme të zyrtarëve të Kosovës në mesin e diasporës. Në asnjë mënyrë mos të lihen jashtë rrjedhave të zhvillimeve ekonomike e shoqërore, siç ndodhi në shumë raste deri më tani. Askush nuk mund ta mohojë se nuk pati deri tash anashkalime të bisnesmenëve nga diapora, qoftë në procesin e privatizimit të Kosovës, qoftë në procesin e tenderimit të punëve të ndryshme, në procesin e prodhimit dhe në kryerjen e shërbimeve, për çka kompanitë e ndryshme të diasporës sonë po vlerësohen tashmë si shumë kompetente dhe profesioniste në vendet ku po afarojnë me bizneset e tyre. Realisht, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e kapacitetit solar prej 100 megavatësh, është një shkëndijë e trajtimit më të barabartë të diasporës në garat e deritashme konkurruese investive. Dhe është më se e domosdoshme të vazhdojnë të jenë më pikante investimet e mërgatës sonë në projekte prodhuese, në vend se të vazhdojnë, sikundër deri më tash, në blerjen e banesave. /Buletini Ekonomik/