Në Kosovë, kaos i çmimeve në të gjithë sektorët, edhe te produktet medicinale

Me çmimet e produkteve medicinale (lexo: ilaqeve) në Kosovë, me rritjen e shpeshtë të çmimeve të tyre edhe disa herë, pati fare pak preokupime të kësaj shoqërie, ndërkohë që tregtarët e produkteve medicinale, ka vite që dëshmohen të shkathët, shfrytëzues të padiskutueshënm të situatës stihike dhe kaotike në tregun kosovar të barnave, dhe përfitues, po kështu, të zotët në situatën e krijuar në këtë sektor si pasojë e lënies pasdore nga institucionet dhe të gjithë të tjerët.

Buletini Ekonomik

Në Kosovë, çmimet e të gjitha produkteve, por edhe shërbimeve, në njëfarë mënyre, kanë qenë fare jashtë kontrollit institucional. Pak kush është marrë me to me seriozitetin e kërkuar dhe me përmasat e pasojave të shkaktuara nga rritja e egër dhe e vazhdueshme e çmimeve nga tregtarët abuziv në vitet e fundit. Kanë munguar në të shumtën e rasteve edhe analizat më komplekse dhe më të gjithanshme edhe të dikastereve përkatëse, edhe të ekspertëve për të elaboruar shkaqet pse në Republikën tonë dhe më tutje vazhdojnë të ngriten çmimet, thuaja te shumica e produkteve, edhe të atyre të shportës, edhe te produktet e higjienës dhe te produktet e tjera të shumta. Dhe pse tregtarët e Kosovës nuk ndiejnë për tendenca dhe trende ulje çmimesh në botë, por, gjithnjë gjejnë ndonjë pretekst, qoftë edhe inekzistent, për të pasur çmime të reja të ngritura.

Siç dihet, fillimisht, pretekst për ngritjen e vrullshme të çmimeve për tregtarët e këtushëm ishte pandemia, pastaj një pretekst tjetër dhe një valë e re ngritje të egra çmimesh ndodhi me nisjen e luftës ruso-ukrinase. Dhe nuk u ndalën pretekstet për ngritje çmimesh. Tregtarët e Kosovës, siç dihet, më në fund, si shkas të çmimeve të reja të ngritura, përmendën krizën e shpërfaqur në Detin e Kuq, si pasojë e sulmeve të rebelëve të Huthit kundër anijeve të ndryshme tregtare dhe të transportimit të mallrave nga Lindja e Largët. Dhe, prandaj në Kosovë nuk vlejtën dhe vazhdojnë të mos vlejnë edhe më tutje trendet e uljes, as të ngadalësimit të rritjes së çmimeve, të ndodhura në shumë vende të botës. Prandaj, sot e këtu, paraqiten çmime të reja të rritura ndjeshëm te shumë produkte ushqimore, madje edhe nga ato elementare (hiç perimet, që sado që shumica e tyre janë nga importi, në këto javët e fundit kanë një ulje evidente).

Reklama e sponzorizuar

Prandaj, një litër vaj i ullirit ka shkuar tashmë në 20.99 euro. Ndërsa dihet, i njëjti vaj, para kësaj ngritjeje, përkatësisht jo më larg se shkurti i këtij viti, ka pasur çmimin 12.79 euro, derisa diku-diku ke mundur ta gjesh edhe me zbritje prej 11.25 euro. Po për shkaqet e sipërpërmendura, sipas vlerësimeve të njohësve të ecurive të çmimeve, çmimi i ushqimit, të të gjitha llojeve, praktikisht në lokalet kur servohet ushqimi në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera të Kosovës, është ngritur për 20 deri në 30 për qind.

Sidoqoftë, në medie të ndryshme, kohë pas kohe dhe në raste, është trajtuar ngritja e egër e çmimeve dhe pasojat nga çmimet e fryra për mirëqenien e kosovarëve të varfër. Ndërsa një sektor i ndjeshëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në standardin e qytetarëve, sidomos të atyre të moshuarëve, siç është ai i produkteve medicinale (lexo: ilaqeve) dhe ecurive të çmimeve në këtë sektor, ka mbetur disi anash, i pa trajtuar mjaftueshëm nga askush. Me çmimet e barnave në Kosovë, me rritjen e shpeshtë të çmimeve të tyre edhe disa herë, pati fare pak preokupime të kësaj shoqërie, ndërkohë që tregtarët e produkteve medicinale, ka vite që dëshmohen të shkathët, shfrytëzues të padiskutueshënm të situatës stihike dhe kaotike në tregun kosovar të barnave, dhe përfitues, po kështu, të zotët në situatën e krijuar në këtë sektor si pasojë e lënies pasdore nga institucionet dhe të gjithë të tjerët.

Nuk është se u mor ndonjë vendim, ose masë paraprake për të bërë ndonjë zgjidhje, as ndonjë preventivë në sektorin kaotik të produkteve medicinale as në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e së hënës (10 qershor 2024), ku u diskutua për Listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës. Megjithatë, këtu u dëgjuan të dhëna të frikshme për ngritjen e çmimeve të barnave dhe lënien e barnave të shumta jashtë listës zyrtare të çmimeve të barnave.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, siç kanë raportuar mediet, ka thënë se rreth 40 për qind të barnave kanë mbetur jashtë Listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, duke shtuar se ka rritje të çmimeve për 50 për qind.

“Kemi analizuar listën e çmimeve dhe jemi zhgënjyer sepse ka pas ulje të çmimeve dhe ngritje, na del rritje 50 për qind dhe 300 për qind për disa produkte. AKPM-ja të njoftoi për mazhën e fitimit në tregtinë më shumicë dhe pakicë, nëse shkoni në barnatore nuk ka aspirin me 2 euro”, tha Haxhiu.

Ndërsa, Virtyte Krasniqi, nga AKPPM, duke bërë përpjekje për ta arsyetuar përmbajtjen e Listës së barnave, ka thënë se “komisioni ka verifiku çmimet që janë të deklaruara me mirëbesim, kjo listë është dinamike, çdo listë duhet të rigjenerohet çdo muaj rishqyrtim kemi me pas gjatë gjithë kohës. Nuk kam bazë ligjore për me iu referu produkteve në treg, vetëm importit”.

Praktikisht, po dalin të parealizueshme premtimet se më në fund, në këta muaj të verës do të unifikohen çmimet e barnave në barnatoret e Kosovës. Kjo do të mundësohet, siç thuhet, nga implementimi i Ligjit për Çmimin e Produkteve Mjekësore, ligj ky i miratuar që në verën e vitit 2023 (13 korrik 2023).

Sipas këtij Ligji, siç thotë zyrtari i Agjencisë së Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale, Sejdë Tolaj, është duke u bërë një punë e madhe nga Komisioni dhe Ministria dhe se do të ketë edhe ulje të çmimit të barnave, pasi parashihet marzha e fitimit edhe për barnatoret. Fundja, ky Ligj, që po vonon së zbatuari ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me çmimet e larta për barna nga çmimet abuzuese, të papërballueshme e të paunifikuara të barnave”.

Madje, kur ishte inicuar ky akt normativ, kreu i shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, pati thënë se “për herë të parë në vendin tonë po krijojmë një sistem rregullativ për çmimin e barnave”.

Ndërsa, në mungesë të zbatimit të tij (Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë një datë se kur do të fillojë zbatimi i Ligjit e as nuk ka apostrofuar arsyet e mosfillimit të zbatimit deri më tani), barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme në farmaci të ndryshme, në kryeqytet dhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës. Ndërsa Ligji për çmimin e produkteve medicinale do të parashikonte metodologjinë e përcaktimi të çmimit të barnave.

“Burimet e të dhënave në lidhje me çmimin me shumicë të produkteve medicinale janë publikimet e raporteve zyrtare më të reja të kohës, portali zyrtar në rrjet i institucioneve përgjegjëse zyrtare të këtyre shteteve referente: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Kroaci dhe vendi i origjinës” – thuhet në nenin 8.2 të këtij Ligji, i cili do të rregullonte edhe lartësinë e marzhës, publikimin zyrtar të çmimeve, mbikëqyrjen, të drejtën e ankesës dhe sanksionet kundërvajtëse.

Dhe, kjo është pak a shumë gjendja në sektorin e çmimeve në Kosovë, ku tashmë edhe më shumë po evidentohen si problem i ndjeshëm dhe i diskutueshëm edhe çmimi e produkteve medicinale, krahas çmimeve të ngritura egërsisht në sektorë të tjerë. Ndërkohë, as që mund të parashikohet ndonjë përmirësim i gjendjes kaotike në sektorin e çmimeve në Kosovë, i cili, praktikisht, në gjithë periudhën e pasluftës ka qenë jashtë kontrollit institucional.

Tendenca anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çrregulluara dhe jo normale në këtë sektor, po mbretërojnë në vendin tonë (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej), që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi. Dhe po vazhdon të mbretërojë edhe sot e kësaj dite. /Buletini Ekonomik/