Për fëmijët që braktisin shkollat, nuk ndëshkohet askush

Rreth orës 11 në një të hënë, përderisa nxënës të tjerë qëndronin të ulur në bankat shkollore, dy djem të rinj silleshin në oborrin e shkollës me biçikletat dhe patinat e tyre me rrota.

Këta dy fëmijë, nga komuniteti ashkali në fshatin Gadime të Lipjanit – pjesa qendrore e Kosovës – thonë se nuk po e ndjekin shkollimin e rregullt, edhe pse ai është i detyrueshëm.

“Pse të shkoj?! Më mirë është këtu me shokë”, thotë njëri nga ta, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtari për arsim në organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE), Bajram Ilazi, thotë se, këtë vit, ka një numër në rritje të nxënësve që po e braktisin shkollimin.

Të dhëna publike lidhur me numrin e rasteve nuk ka. Mirëpo, Ilazi sqaron se, përgjatë këtij viti, numri i raportuar i rasteve nëpër qendrat e mësimit shtesë që financon VORAE, është shqetësues, ndonëse as ai nuk specifikon sa.

“Vitin e kaluar e kemi mbajtur një takim me drejtorinë komunale të arsimit, Qendrën për Punë Sociale, qeverisjen lokale dhe është ngritur ky shqetësim”, thotë Ilazi.

Megjithatë, sipas tij, shumë shkolla nuk i raportojnë rastet e braktisjes së shkollimit pasi që “duan të paraqiten si shkolla më të suksesshme”.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Lipjanit nuk i ka kthyer përgjigje pyetjes e REL-it lidhur me rastet e tilla.

Nga të rinjtë që braktisin shkollimin, sipas të dhënave të publikuara në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në shkurt të këtij viti, vetëm rreth një për qind i përkasin komunitetit shqiptar, rreth 13 për qind komunitetit rom, ndërsa rreth 43 për qind komuniteteve egjiptian dhe ashkali.

Ligji për arsimin parauniversitar në Kosovë përcakton që vijimi i shkollimit nga klasa e parë në të nëntën, është i detyrueshëm dhe përgjegjës kryesor parashihen prindërit e fëmijës.

“Nëse nxënësi pa ndonjë arsye nuk regjistrohet, nuk vijon shkollimin ose ndërpret shkollimin e detyruar, prindërit e tij dënohen për kundërvajtje, nëse mungesa është rezultat i veprimit të paramenduar ose i neglizhencës së prindërve”, thuhet në këtë ligj.

Në Kosovë nuk është raportuar ndonjëherë për ndonjë rast ku prindërit janë ndëshkuar për mosvijueshmërinë e shkollimit të detyrueshëm nga fëmija i tyre.

Edhe drejtoritë e arsimit nëpër komunat e ndryshme në Kosovë kanë thënë për REL-in se nuk kanë ndërmarrë asnjëherë masë ndëshkimi.

Disa prej tyre kanë thënë se rastet e braktisjes së shkollimit në komunat e tyre vijnë shkaku i emigracionit, ndërsa disa kanë thënë se kanë tentuar t’i zgjidhin ato raste në mënyra të ndryshme, si përmes krijimit të ekipeve për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes apo mosregjistrimit në shkollë (EPRBM).

Zyrtari për arsim në Komunën e Ferizajt, Bashkim Bytyçi, tregon se vitin e kaluar kanë pasur disa raste të braktisjes së shkollimit të detyrueshëm – më shumë në mesin e minoriteteve etnike.

“Kemi pasur raste kur i kemi paralajmëruar prindërit që, nëse këta fëmijë nuk rikthehen në bankat shkollore, do t’u ndërpritet ndihma sociale… Kjo është bërë më shumë në kuptimin e ndërgjegjësimit, sepse veprime të tilla nuk kemi ndërmarrë asnjëherë”, thotë ai për REL-in.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e REL-it se pse nuk zbatohet Ligji për arsimin parauniversitar në vend.

Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se, edhe pse pjesëmarrja në arsim në përgjithësi është e lartë, kur vjen fjala te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, “situata nuk është e mirë”.

“Institucionet shtetërore duhet t’i marrin të gjitha masat administrative dhe ligjore, duke pasur parasysh gjithnjë interesin më të mirë të fëmijës, që mos t’u mohohet e drejta e mësimit fëmijëve”, thotë Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim në këtë institucion, për REL-in.

Edhe Ilazi thotë se duhet të fillojë zbatimi i gjobave, por jo pa një vlerësim paraprak se çfarë e ka shkaktuar braktisjen e shkollimit.

Në rastet kur fëmijët kanë lënë shkollimin për shkak të kushteve të vështira financiare, ai thotë se duhet të gjendet një mënyrë për ta ndihmuar familjen nga ana e komunës.

“Nëse e shohim që edhe pas ndihmës, është prindi ai që nuk po e dërgon në shkollë, atëherë jemi pro masave të tjera, si gjobat”, thotë Ilazi.

Por, ai paralajmëron se nëse nuk fillon aplikimi i ndonjë mase, rastet e braktisjes së shkollimit do të rriten edhe më shumë. /REL/