Rexha e Kusari thirrje Qeverisë të tërhiqet nga projektligji për KPM-në: Në të kundërtën do të zvogëlohet pluralizmi medial

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë kritikuar projektligjin për KPM-në dhe përmes një konference për media, sot bënë thirrje që Qeveria të tërhiqet nga projektligji.

Kusari tha se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.

“E ftojmë Lëvizjes Vetëvendosje mos ta votojë këtë ligj, dhe draftimi i tij të bëhet përmes një grupi punues siç ka kërkuar edhe Këshilli i Evropës”, u shpreh ajo.

Reklama e sponzorizuar

“Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, u shpreh tutje Kusari.

Kusari tha se mediat online janë storie suksesi.

“Nëse aprovohet ky projektligj, këshilli i mediave do të dobësohet në një moment kur ka reformë të mirë të brendshme”, u shpreh ajo.

Kërkesa të njëjta pati edhe Rexha, i cili po ashtu ftoi opozitën të ketë zë më kritik kundër projektligjit.

“Kemi parë edhe gjatë diskutimeve që janë bërë për Komisionin e Pavarur të Mediave që nuk ka pasur interesim të opozitës për të qenë pjesë, shpesh ata kanë munguar. Nuk kemi parë interesim të tyre për të ngritur zërin kur është dashur”, tha Rexha.

“Kemi pritur një zë më të fuqishëm të opozitës, dhe presim që ata të reagojnë. Presim që t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore që i ka në dispozicion për ta kundërshtuar këtë projektligj për shkak të dëmit që po ia sjell Kosovës”, tha Rexha

Projektligj për KPM-në  është në rend të ditës për t’u votuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme. Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë në Kuvend, para se të bëhet ligj.

Projektligji, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro po konsiderohet i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Të mërkurën, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ngriti shqetësime për Projektligjin mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, duke deklaruar se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga Opinioni Ligjor i Këshillit të Evropës.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

“Gjithashtu, versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”, u tha në reagimin e BE-së.

Shqetësim për këtë projektligj shprehu edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Ai  në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.

“Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty për gazetën online Reporteri.net.

Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.

Në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.

“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.

Në anën tjetër, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar se  do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nëse ky projektligj nuk ndryshon, atëherë do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky projektligj ka për qëllim kontrollin e mediave të pavarura.