Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë ka njoftuar sot se ka nisur procedurë hetimore ndaj ndërmarrjes Artmotion për çrregullim të konkurrencës në tregun përkatës, si dhe për nisjen e monitorimit të ndërmarrjeve mbi dyshimet të përqendrimeve të pa-notifikuara dhe tregun e sigurimeve.
Me anë të një komunikate për media, nga Autoriteti kanë sqaruar se kanë pranuar një ankesë nga një ndërmarrje kundër Artmotion Sh.p.k me pretendimin se ka kushtëzuar padrejtësisht lidhjen e kontratave për transmetim të kontentit (përmbajtjes) së disa kanaleve televizive në Republikën e Kosovës, ka penguar zgjerimin e saj në zona tjera gjeografike dhe kushtëzime tjera. Sipas AKRK-së, kjo praktikë konsiderohet në kundërshtim me rregullat për promovimin e konkurrencës së lirë, të hapur dhe të drejtë.
Pas shqyrtimit paraprak, Autoriteti i Konkurrencës thotë se ka filluar hetimin ndaj Artmotion për shtrembërim të konkurrencës në treg dhe vendosje të kushteve diskriminuese ndaj ndërmarrjeve tjera, duke i vendosur të njëjtat në pozita të pafavorshme konkurruese.
“Ky hetim synon të sigurojë që të gjitha praktikat e biznesit në treg të jenë të drejta dhe konkurruese”, thuhet në komunikatën e AKRK-së.
Gjithashtu, në bazë të njoftimit, Komisioni ka vendosur edhe për monitorimin e përqendrimeve të pa notifikuara nga ndërmarrje të ndryshme në tregun e Republikës së Kosovës
Mos-njoftimi për një përqendrim nënkupton mos informimin e Autoritetit të Konkurrencës për transaksione që mund të ndikojnë në strukturën e tregut. Këto përqendrime përfshijnë bashkimet, blerjet apo marrëveshjet e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve, të cilat mund të krijojnë apo forcojnë pozitën dominuese në treg dhe të pengojnë konkurrencën e lirë.
“Autoriteti i Konkurrencës edhe njëherë njofton palët e interesit se sipas Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, ndërmarrjet kanë obligim ligjor të njoftojnë njehrit të kërkojnë aprovimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo përqendrim që përmbush pragjet e përcaktuara në ligj. Dështimi për të bërë këtë njoftim mund të rezultojë me masa ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe anulimin e transaksionit. Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të monitorojë dhe të hetojë çdo shkelje të mundshme të ligjit që mund të ndikojë në konkurrencën e drejtë në tregun e Kosovës”, përfundon tutje komunikata nga AKRK. /Buletini Ekonomik/