Zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës kanë kryer një operacion të përbashkët kontrolli në pesë argjendari në Prizren, ku kanë konfiskuar mallra në vlerë rreth 450 mijë euro, raporton Express.
Në njoftimin e Doganës, thuhet se janë sekuestruar 10 kilogramë ari pa dokumentacion të rregullt dhe 3 kilogramë argjend pa dokumentacion të rregullt.
“Kontrollet u kryen në disa lokacione të ndryshme brenda qytetit të Prizrenit. Zbulimi i këtyre mallrave u bë falë punës së palodhur dhe përkushtimit të zyrtarëve të Doganës dhe Administratës Tatimore. Dyshohet se këto mallra janë kontrabanduar.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që mund të ndihmojë në luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme. Bashkëpunimi juaj është thelbësor për të siguruar një shoqëri të drejtë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.