Hapet tenderi për Portin e ri të Durrësit në Porto Romano, fondi limit 390 milionë euro

Autoriteti Portual Durrës çeli këtë të martë procedurën që ka në objekt ndërtimin e “Porti i Ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano – Faza I” me një fond limit 39.3 miliardë lekë apo rreth 390 milionë euro.

Faza e parë e punimeve për portin llogaritet në 1220 ditë apo rreth 3.5 vite. Ndërtimi i portit do të shtrihet në disa faza dhe në këtë fazë të parë sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën janë parashikuar një sërë punimesh.

Fusha e punës për kontratën përfshin:

Reklama e sponzorizuar

* Kanalet e afrimit, portin e jashtëm duke përfshirë zonën e kthimit/manovrimit të anijeve dhe pellgun e portit lindor. Ndarësin me ujin në pjesën veriore.

* Rehabilitimi dhe zgjerimi i ndarësit ujor jugor

* Shpatet e rikuperuara rreth basenit të portit lindor

* Mbushja e tokës për zhvillimin e terminalit duke përdorur materiale të përshtatshme mbushëse së bashku me punimet e përmirësimit të tokës që përfshijnë kolona guri dhe ngarkim paraprak

* Kalata me dy shtretër

* Ndihmë për navigimin

* Ndërtesat (ndërtesa e administratës dhe ndërtesat e zonës para portës)

* Drenazhimi i ujërave të stuhive, furnizimi me ujë të pijshëm dhe furnizimi me ujë kundër zjarrit së bashku me stacionet e depozitimit dhe pompimit përkatës, furnizimi në tension të mesëm të ndërtesave, ndriçimi i rrugëve dhe rrethimit, lidhja me një nënstacion kryesor që do të ndërtohet nga të tjerët, komunikimet e të dhënave dhe atyre zanore, rrethimi dhe porta kryesore së bashku me sigurinë përkatëze.

* Rrugë aksesi

Porti i Durrësit me fonde buxhetore dhe PPP

Qeveria mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri në Porto Romano, ku do të zhvendoset aktiviteti i atij aktual në Durrës, ka zgjedhur modelin C2.

Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det.

Në fund të vitit 2022 gjatë prezantimit të projektit u nënvizua se projekti ka një kosto të konsoderueshme ndaj do të kërkojë angazhimin e fondeve buxhetore, fondeve të Autoritetit Portual, grante por edhe sektorin privat duke lënë kështu të hapur mundësinë e PPP.

Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat.

Në prezantimin e projektit nga përfaqësuesi i kompanisë Royal Haskoning DHV në atë kohë u nenvizua se ky investim është i konsiderueshëm dhe normalisht duhet të jetë qeveria që të mbajë një pjesë të mirë të peshës së tij. Ndërkohë sipas një kontrate ndërto dhe financo edhe operatorët e sektorit privat do të duhet të sigurojnë një shumë jo të vogël.

Projekti i Durrës Marina & Yachts

Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin.

Në fokus të saj ishin tre pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.

Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit.

Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.

Në vitin 2022 kompania zhvilluese nisi shitjen e apartamenteve në ajër që është shtrirë në disa faza godinë pas godine sikurse është parashikuar në projekt. Gjatë 2024 u njoftua hapja tjetër e shitjeve më 8 Mars përmes prenotimeve për apartamentet në rezidencën “ParkView”.

Konkretisht bëhet fjalë për godinën e 7 të projektit e pozicionuar në rreshtin e dytë të ndërtimeve. Në brendësi të rezidencës parashikohen të ndërtohen 233 apartamente me 1, 2 ose 3 dhoma gjumi./Monitor.al/