Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi partia në pushtet e ka miratuar sot në Kuvendin e Kosovës ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave pavarësisht vërejtjeve të shumta për këtë ligj.
AGK e konsideron miratimin e ligjit si një goditje të lirisë së medias dhe tentim për disiplinim dhe kontroll të mediave.
Në reagim AGK thotë se votimi që ka ndodhur sot është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria Kurti dhe Vetëvendosje kanë bërë kundër lirisë së medias.
Reagimi i plotë:
AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.
Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre.
Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës.
AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.