KEK është duke deponuar energji elektrike në KESH (në emër të kthimit të borxhit), ku nga data 24 qershor 2024 deri me datë 2 korrik 2024, ka deponuar gjithsej 7 427 megavatë-orë energji elektrike, ose mesatarisht rreth 570 MW energji elektrike në ditë.
Buletini Ekonomik
Ka rinisur këmbimi i energjisë elektrike ndërmjet korporatave energjetike të dy shteteve shqiptare. Pas një ndërprerjeje bukur të gjatë, gjegjësisht që nga 4 prilli i sivjetshëm, të këmbimit të energjisë ndërmjet KEK-ut dhe KESH-it, si rrjedhojë e pasjes së mjaftueshme të rezervave të ujit në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit, (Liqeni i Fierzës, ai i Komanit dhe Vaut të Dejës), dhe pasjes së bollshme të rrymës për nevojat e konsumit të vet, Korporata Energjetike e Kosovës më 24 korrik 2024 ka rifilluar sërish të dërgojë një sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike në Shqipëri, që në fakt është kthim borxhi ndaj KESH-it.
Duhet thënë se në këtë periudhë (prill – korrik 2024), përkundër prodhimit kontinuel dhe stabil, Kosova nuk ka dërguar as gjatë ditës e as gjatë orëve të natës, rrymë në sistemin elektroenergjetik shqiptar, për shkak se në Shqipëri nuk kanë pasur nevojë për sasi shtesë të rrymës. Në liqenet akumuluese të hidrocentraleve në Kaskadën e Drinit, kishte mjaftueshëm ujë të akumuluar, që ka siguruar prodhim stabil në hidrokapacitetet ekzistuese shqiptare.
Për shkak të ndërprerjes së këmbimit, KEK-u nuk arriti ta kthejë borxhin e mbetur ndaj KESH-it, që është diku rreth 36 mijë mijë megavatë-orë.
Skënder Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, i ka thënë të premten Buletinit Ekonomik se “shkëmbimi i energjisë elektrike në mes KEK dhe KESH, bazohet në Marrëveshjen e vitit 2015, në ndryshimet e kësaj Marrëveshje në Aneksin 1 të datës 07.06.2018 – dhe Aneksin 2 të datës 19.05.2023”.
Sipas tij, KEK dhe KESH kanë një bashkëpunim të mirë, andaj me kërkesën e KESH-it, KEK-u është duke deponuar energji elektrike në KESH (në emër të kthimit të borxhit), ku nga data 24.06.2024 deri më datë 02.07.2024, ka deponuar gjithsej 7 427 MW energji elektrike apo mesatarisht rreth 570 MW energji elektrike në ditë”.
Siç dihet, tepricat e energjisë elektrike të prodhuara në termocentralet e Kosovës ndodhin në orët e natës, kur në Kosovë bie ndjeshëm konsumi i rrymës, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për energji shtesë, por ky këmbim i shërben edhe rujatjes së rezervave të ujit në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare.
Sivjet, si rrjedhojë e të reshurave të pasura dhe të shpeshta të shiut, akumulimet e Kaskadës së Drinit u mbushën me ujëra të mjaftueshme, prandaj KESH-i nuk pati nevojë që nga prilli i sivjetshëm, as në orët e natës, të marrë rrymë nga Kosova, që siç dihet, edhe me kapacitetet aktuale të prodhimit (dy blloqe të termocentraleve Kosova A dhe dy të Kosova B) në këto orë (gjatë natës pra), ka teprica relativisht të theksueshme.
Duhet thënë se tepricat e rrymës gjatë natës në Kosovë, varen nga shumë faktorë, por në radhë të parë nga prodhimi kontinuel i termocentraleve ekzistuese, nga moti, që ende dikton konsumin e energjisë dhe nga shpenzimi i konsumatorëve të vendit. Por, në të shumtën, që nga ditët dimërore, që sivjet u shquan me temperatura jo edhe aq të acarta, KEK-u, me kapacitetet e veta prodhuese, krahas furnizimit të konsumit të vendit, ka pasur mundësi reale të dërgojë energji në Shqipëri gjatë natës, kur në Kosovë bie goxha ndjeshëm konsumi i rrymës, mesatarisht rreth 200 e sa megavatë-orë. Po të vazhdonte në këtë mënyrë përditë deri më tash, kjo sasi do të ndikonte që të ulet shumë borxhi i rrymës që Kosova i ka Shqipërisë që nga viti i kaluar.
Inxhinierë të KEK-ut, të kyçur drejtpërdrejt në këmbimin e energjisë elektrike me Shqipërinë, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se më së miri do të ishte që ky borxh të kthehej gjatë verës, kur atje bie prodhimi si rrjedhojë e rënies së akumulimeve të ujit në liqenet e Kaskadës së Drinit, dhe kur në Kosovë rëndom ka teprica evidente të rrymës.
Në ditët në vazhdim, kur në Shqipëri fillon sezoni i vërtetë turistik, dhe kur ngritet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike, pritet të vazhdojë këmbimi i rrymës KESH-KEK. Zyrtarë të KEK-ut, kanë thënë se gjatë sezonit turistik në Shqipëri, që do të thotë gjatë tërë verës dhe disa javë edhe në vjeshtë, pritet që të shtohet konsumi i energjisë elektrike, që nënkupton edhe mundësi për të këmbyer më shumë rrymë me Shqipërinë, të kthehet borxhi dhe mbase të krijohet edhe ndonjë “rezervë” për ditët e dimrit, kur rëndom në Kosovë rishfaqen problemet rreth furnizimit të energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/