Kompani në gjithë botën raportojnë për ndërprerje të internetit dhe bllokim pajisjesh

Shumë kompani të mëdha ajrore në Shtetet e Bashkuara, i kanë anuluar fluturimet të premten, duke cituar probleme me komunikim, derisa kompani tjera mediale, banka dhe spitale në shumë vende të botës, kanë raportuar që kanë probleme me sistemet kompjuterike dhe që po u pamundësohet puna.

Në Kroaci raportohet të ketë rënë Sistemi Qendror Informativ Shëndetësor.

Televizioni britanik Sky News ka qenë për pak kohë jashtë transmetimit.

Reklama e sponzorizuar

Policia në shtetin amerikan të Alaskës ka raportuar për bllokim të linjës për emergjenca – 911.

Në Australi, mediat, bankat dhe kompanitë kanë thënë se kanë hasur në probleme me internet, për të cilat Qeveria ka thënë se duket që lidhen me kompaninë globale për siguri kibernetike, Crowdstrike.

Kjo kompani krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike dhe ka raportime që një përditësim në sistem ka shkuar keq.

Faqja Downdetector e kompanisë Crowdstrike ka gjetur probleme në qasje në shumë banka dhe kompani telekomunikimi.

Crowdstrike e ka lëshuar një mesazh të incizuar telefonik, me njoftimin se kompania është e vetëdijshme për raportimet e problemeve në sistemin operativ Windows të Microsoftit.

Nuk ka informacione që sugjerojnë që kjo ndërpreje përbën incident të sigurisë kibernetike.

Situata me fluturime në Evropë

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nuk është raportuar për ndonjë vonesë.

Aeroporti në Berlin ka paralajmëruar që vonesa në fluturime do të ketë gjithë ditën.

Zëdhënësi i Aeroportit të Cyrihut ka thënë se nuk ka probleme, por fluturimet për Berlin i ka anuluar për shkak të problemeve atje.

Kompania e fluturimeve Lufthansa ka thënë se operacionet e saj janë prekur pjesshëm, dhe që mund të ketë anulime apo vonesa në fluturime.

Air Franc ka raportuar, gjithashtu, që fluturimet e kompanisë janë prekur si pasojë e problemeve me kompani tjera në gjithë botën.

Ngjashëm edhe linja holandeze KLM./REL/