Me qëllim të mbrojtjes së rrugëve kosovare nga dëmtimi, Ministria e Infrastrukturës ka ndaluar qarkullimin që nga data 14 korrik të automjeteve të transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5 tonë. Mirëpo, ky vendim nuk është pritur mirë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve. AKB-ja po e kundërshton vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Ministria e Infrastrukturës që nga dje ka ndaluar qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me peshë me të madhe se 7.5 tonë.
Ky vendin do të mbetet në fuqi deri më 31 korrik.
“Ndalohet qarkullimi në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale për të gjitha automjetet e transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5T. Ky vendim vlen nga data 14 korrik 2024 deri më 31 korrik 2024 për periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00.” – ka njoftuar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ministria e Infrastrukturës këtë vendim e ka arsyetuar për t’i mbrojtur rrugët nga dëmtimet si rezultat i temperaturave të larta.
“Bazuar në rekomandimet e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rrugëve nga dëmtimet si rezultat i temperaturave të larta kemi marrë vendim”, ka shkruar Durmishi.https://zeri.info/inarticle.html
Mirëpo, Aleanca Kosovare e Biznesit mendon se ndalimi i qarkullimit të automjeteve transportuese të mallrave është kufizim me pasoja negative në ekonominë vendore.
Më tej, ata kanë paralajmëruar se kjo mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve për shërbime dhe produkte.
“AKB-ja e kundërshton vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që ndalon qarkullimin e automjeteve transportuese. AKB-ja e kundërshton vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që ndalon automjete transportuese dhe komerciale me peshë mbi 7.5 tonë nga data 14 korrik deri më 31 korrik të 2024,nga ora 11:00 deri në orën 17:00, ky kufizim është jo i analizuar mirë dhe do te këtë pasoja negative në ekonominë vendore dhe ndërkombëtare me rritjen e kostos së transportit,rritjen e kostos së logjistikës shkarkuese dhe ngarkese të mallrave si dhe rritjen e çmimeve për shërbime dhe produkte”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, kryearti i AKB-së, Agim Shahinu, ka komentuar arsyetimin e MI-së duke thënë se duhet të ndërtohen rrugë më të mira të cilat i përballojnë temperaturave të ulëta e të larta.
“Agim Shahini kryetar i AKB-së thotë se Ministria e infrastrukturës duhet të rrit kriteret e kualitetin të ndërtimit të rrugëve dhe asfaltit, kualiteti i përballon edhe temperaturës së lartë edhe asaj të ulët e jo të ndalon qarkullimi e automjeteve komercial sepse kjo do të krijojë humbje të madhe ekonomik për bizneset kosovare”, thuhet në reagimin e tyre të publikuar në Facebook.
Ndryshe në Kosova janë marrë disa vendime për shkak të temperaturave të larta. Një ndër to është edhe vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë e cila ka kufizuar orarin e punës për disa kategori.
“1. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna. 2. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë. 3. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë. 4. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 5. Varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera”, thuhet në vendimin e MSH-së.
Kujtojmë se vendimi për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me të rënda se 7.5 tonë ka hyrë në fuqi të dielën më 14 korrik dhe do të vlejë deri më 31 korrik.