Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve iu ka bërë thirrje shoqërive tregtare në Kosovë se tashmë mund të dorëzojnë ankesat e tyre ndaj vendimeve të shkallës së dytë të lëshuara nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës në mekanizmin e veçantë për trajtimin e tyre.
Sipas kësaj ministrie, ky mekanizëm i MFPT-së do t’i trajtojë ankesat e palëve brenda 30 ditëve dhe synon të kursejë palët nga procedurat gjyqësore që mund të zgjasin më shumë.
“Pra, duke filluar nga data 29.07.2024, shoqëritë tregtare mund të kenë qasje në këtë mekanizëm duke i dorëzuar ankesat e tyre pranë pranë Arkivës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që gjendet në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, apo edhe në formë elektronike në : bordi.ankesa@rks-gov.net”, thuhet në njoftim. /Buletini Ekonomik/