Mundësitë e pashfrytëzuara për më shumë energji të rinovueshme në Kosovë

Panele solare dhe turbinat me erë

Sot e kësaj dite, Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektorë të energjisë në të ardhmen në Kosovë. Por, prapë, ka fare pak vepra. Pse në Kosovë, vazhdojnë t’i tremben ndërtimit të kapaciteteteve të sistemit të çative?

Mehmet GJATA

Qeveria e Kosovës, kjo aktualja, u tregua dhe u dëshmua fort e ‘dëgjueshme’ ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtarë për dekarbonizimin energjetik, respektivisht për zbatimin e tranzicionit energjetik të vendit, duke i pranuar pa një pa dy, kërkesat e ndërkombëtarëve për të pasur kapacitete ambicioze të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2031. Dhe, në këtë mënyrë, u bë Strategjia e zhvillimit energjetik për periudhën 2022-2031, e vlerësuar nga shumëkush, si tejet e guximshme dhe ambicioze, sidomos në parashikimet për të pasur më shumë megavatë të energjisë së rinovueshme.

Siç dihet, objektivat kryesore të Strategjisë Energjetike të Kosovës parashikojnë reduktimin e emetimeve të gazrave serrë në sektorin e energjisë me një minimum prej 32 për qind deri në vitin 2031, dhe synojnë të përmbushin së paku 35 për qind të konsumit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) deri në të njëjtin vit, dhe nxitja e zhvillimi i kapaciteteve të reja të BRE. Kjo do të thotë që deri në vitin 2031, Kosova të ketë 600 MW energji të erës, 600 MW energji diellore fotovoltaike, 20 MW energji nga biomasa dhe të paktën 100 MW kapacitet prodhues. Strategjia synon gjithashtu të arrijë një kapacitet total të instaluar të BRE-ve prej 16 mijë megavatësh deri në vitin 2031. Dhe pos të dhënave pretencioze të përfshira në Strategjinë energjetike 2022-2031, në këto dy tre vjetët e fundit, qëkur nisi presioni ndërkombëtar për dekarbonizim të sektorit energjetik të Kosovës, nuk pranë vendimmarrësit së prokalamuari vizione të mëdha të energjisë së gjelbër, qoftë asaj në bazë të erës, qoftë solare. U shpallën edhe projekte goxha tërheqëse dhe atraktive që do të ndërtonte Kosova në këto vite.

Akoma, sot e kësaj dite, Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së re. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektorë të energjisë në të ardhmen në Kosovë. Por, ka fare pak vepra. Praktikisht, pos ndërtimit të dy kapaciteteve që ia vlen të përmenden – ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në Kamenicë, me kapacitet diku 36 megavatësh, dhe disa minihidrocentraleve me fuqi prodhuese minimaliste, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar. Tashmë është shpalluar vetëm fituesi i ankandit të parë për ndërtimin e një kapaciteti solar 100 megavatësh dhe janë nënshkruar kontrata për të pasur bateri për ruajtjen e energjisë elektrike dhe për ndërtimin e paneleve solare për të siguruar ngrohje qendrore për një pjesë të kryeqytetit. Kjo është e tëra, pavarësisht se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vazhdon të shfrytëzojë çdo rast për t’u mburrur para publikut kosovar, por edhe para ndërkombëtarëve, duke prezantuar projekte, siç thotë ajo ‘të mëdha energjetike”.

Reklama e sponzorizuar

Edhe në Forumin Ekonomik Kosovë-Portugali, të mbajtur në dhjetë ditëshin e fundit të qershorit, Rizvanolli prezantoi projektet energjetike, që, sipas saj, “kanë filluar duke shfaqur suksesin e ankandit të parë solar 100 MW dhe ankandet tjera të radhës që janë pjesë e pakos investive, ku ministria e Ekonomisë synon të ndërtojë 950 MW kapacitete të reja të energjisë së ripërtërishme, me një investim total prej 1.2 miliardë euro”.

Fjalët pompoze dhe premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës kanë vazhduar gjatë tërë 2023-tës dhe gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 maj 2023, me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar (Ankandi Solar 100 MW) kishte ripërsëritur se “ky potencial do të shtojë beneficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtëritshme. Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“.

Edhe në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, të mbajtur në Prishtinë më 24 maj 2023, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme. Dhe prap, të gjitha këto mbetën vetëm fjalë dhe vizione të mira. Sepse, po e përsërisim: Në Kosovë, pos vizioneve të mira, as më 2022, as më 2023 dhe as në këta muajt e 2024-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë të së ardhmes.

Në botë pra, por edhe në shtetet e rajonit, që nuk janë kush e di sa më të pasura dhe me më shumë financa se Kosova, është bërë revolucion në pasjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme. Me fjalë të tjera, derisa në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, vrullshëm u ngritën me dhjetëra impiante me fuqi të imponueshme megavatësh, vendimmarrësit në Kosovë, ministritë kompetente dhe dikasteret tjera, u kënaqën me ide të mira, parashikime të lakmueshme dhe vizione të papërmbushura.

Thënë ndryshe, mundësitë e shumta për të pasur kapacitete të energjisë së rinovueshme në Kosovë, së paku deri më tash, nuk janë shfrytëzuar, edhe pse autoritetet kosovare nuk ndalen së deklaruari se “për Kosovën është urgjencë zëvendësimi sa më shumë i kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme, edhe si obligime nga bota energjetike ndërkombëtare”. Ndërsa, siç janë deklaruar parreshtur në këto vitet e fundit ekspertët, ka mundësi goxha të shumta edhe në Kosovë, për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme.

Potenciali më i i favorshëm për energjinë e së ardhmes, gjithsesi është nga era dhe dielli. Ka diga, madje edhe sosh të mëdha (ajo e Liqenit të Batllavës dhe e Badovcit, bie fjala), ka sipërfaqe të panumërta të kulmeve të objekteve komerciale, komunale dhe private dhe me orientimin e duhur dhe të preferuar lindje-perëndim, apo të rrafshta, ku lehtësisht mund të instalohen panele solare. Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut, ku ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe hapësirat përgjatë autostradave (asaj Ibrahim Rugova dhe Arben Xhaferi), të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare…

Në botë, sipas shumë të dhënave, performuesi më i mirë në tregun e PV-ve të vitit 2022 ishte sektori i sistemeve në çatisë. Projektet në shkallë të gjerë vazhduan të ishin kontribuesi më i madh në shtimin e kapaciteteve, por të dy sektorët ishin pothuajse të barabartë: instalimet në çati në të gjithë botën përbënin 49.5% të 118 gigavatëve të kapaciteteve të reja në 2022. Kurse në Kosovë, sikur vazhdojnë t’i tremben ndërtimit të kapaciteteve të sistemit të çative. Dhe, pos iniciativave individuale, në Kosovë, deri më tash as që është provuar të ndërtohen panele solare në një vendbanim të tërë. Rahoveci, mbulimi i kulmeve me panele solare të këtij qyteti, me shumë ditë me diell brenda një viti, bie fjala, do të ishte një projekt i realizueshëm, me kosto të përballueshme edhe për shkak të shtrirjes së shtëpive dhe rendimenteve premtuese të energjisë solare të kësaj treve.

Ndërkohë, në shtetet e rajonit, siç u tha më sipër, shfrytëzohet pa shumë hezitime çdo potencial premtues për energjinë e pastër, dhe sidomos të asaj solare, dhe në bazë të erës. Dhe thuaja në shumicën e shteteve të Ballkanit Perndimor janë rritur ndjeshëm investimet në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë së gjelbër. Qytete të ndryshme të shteteve të Ballkanit tani janë bërë kantiere të mëdha ndërtimi të kapaciteteve të energjisë solare. Krejt e kundërta e këtyre zhvillimeve ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Kosovë. Sado që sektori i energjisë së rinovueshme, rrjedhimisht, në këtë kuadër edhe të asaj diellore dhe në bazë të erës, në Kosovë, ka tre-katër vjet, ose qëkur nga institucionet ndërkombëtare energjetike, thëngjilli, si burimi kryesor i prodhimit të rrymës në shumë vende të botës, u apostrofua si “i ndaluar” në mjediset e sektorit energjetik, për shkak të paralajmërimeve të sanksioneve për përdoruesit e tij, ishte një shpresë, se edhe Kosova e varfër, nuk do ta prekë fundin e botës sa i përket prodhimit të energjisë së rinovueshme, vendi jonë, fatkeqësisht, e humbi hapin për të përmbushur sado pak shpresën. Kosova, kështu po vonohet shumë për të përmbushur parashikimet e tranzicionit energjetik, dekarbonizimit të sektorit më të rëndësishëm industrial të vendit. /Buletini Ekonomik/