Mungesa e përditësimit të të dhënave në sektorin e ndërtimit në Kosovë

Për dallim nga bota, në Kosovë, ka fare pak mundësi për të parë saktësisht (me shifra dhe me përqindje) se sa është varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit, cila është ecuria e çmimeve krahasimtare të banesave, cilat janë parashikimet dhe vizionet konkrete të ndërtimtarëve të vendit dhe sa është numri, së paku i përafërt, i njësive banesore të shitura dhe të pashitura tashmë, dhe sa për qind të paluajtshmërive kanë blerë banorët rezidentë dhe sa mërgimtarët tanë. Në Kosovë, nuk dihet saktësisht sa ishin transaksionet e pasurive të paluajtshme gjithsej më 2023, as në gjashtë mujorin e parë të 2024-tës, as sa janë shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

Buletini Ekonomik

Në Kosovë, për dallim nga shumica e shteteve të Europës dhe të rajonit, ende nuk ka të dhëna të detajuara në shumë fusha zhvillimore, as përditësim të tyre. Nuk ka të dhëna saktësisht të verifikueshme as në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, as në Bankën Qendrore, as në institucione përgjegjëse për ecuri të caktuara ekonomike, siç është, fjala vjen, sektori i ndërtimit…

Reklama e sponzorizuar

Në këtë sektor, nuk ka të dhëna të sakta për numrin e ndërtimeve në nivel të vendit, për ndërrimet në komunat e Kosovës, për koston e këtyre ndërtimeve, por as për çmimin final të produkteve ndërtimore në vend. Të dhënat që publikohen herë pas here nga përfaqësues të ndërtimtarëve, qoftë për vëllimin e ndërtimeve në vend, qoftë për koston e këtyre ndërtimeve, janë shumë të ndryshme nga statistikat e institucioneve zyrtare. Prandaj, në analizat, studimet dhe konkluzionet e pakta, në mungesë të statistikave zyrtare të verifikueshme, janë prezente hamendësimet, supozimet dhe në raste edhe të dhënat e vjetërsuara, të dy-tre vjetëve të mëparshme.

Ndërsa, në studime dhe elaborime të shumta të institucioneve ndërkombëtare, qoftë zhvillimore, qoftë financiare, siç janë Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe Banka Botërore, te të dhënat për Kosovën, boll shpesh has te njoftimi “mungojnë të dhënat për Kosovën”. Kështu, për dallim nga bota, në Kosovë, ka fare pak mundësi për të parë saktësisht (me shifra dhe me përqindje) se sa është varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit, cila është ecuria e çmimeve të banesave në kryeqytet dhe cilat janë çmimet në komuna të ndryshme, cilat janë parashikimet dhe vizionet konkrete të ndërtimtarëve të vendit dhe sa është numri, së paku i përafërt, i njësive banesore të shitura dhe të pashitura tashmë dhe sa për qind të paluajtshmërive kanë blerë banorët rezidentë dhe sa mërgimtarët tanë.

Në Kosovë, nuk dihet saktësisht sa ishin transaksionet e pasurive të paluajtshme gjithsej më 2023, as në gjashtëmujorin e parë të 2024-tës, as sa janë shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Në Shqipëri, por edhe në të gjitha shtetet e tjera të rajonit evidentojnë me të dhëna, pothuajse të gjitha zhvillimet edhe në sektorin e ndërtimit. Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri, dihet, se ishin 19.1%, nga 18.8% në vitin paraprak. Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.

Dihet, po kështu se vendi i dytë pas Shqipërisë ishte Rumania, me 17.9%, i ndjekur nga Suedia, me 15.7%. Në rajon, pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut, me 13.3%, e ndjekur nga Bosnja me 2.5%, Mali i Zi 11.4% dhe në fund Serbia me 9.6%. E fundit në Europë është Greqia, shpenzimet nominale të së cilës për ndërtimin ishin vetëm 4.9% e PBB-së. Dhe, nuk dihet se në cilin vend renditet Kosova.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme në Shqipëri ndikuan në gati 50% të rritjes ekonomike prej 3,44 për qind të shënuar më 2023. Por ende nuk është bërë publike se sa në Kosovë ka ndikuar sektori i ndërtimit në rritjen ekonomike, as në vitin a kaluar, as sivjet, deri më tash. Sidoqoftë, nga të dhëna të ndryshme të ndërtimtarëve, të agjencive të shitblerjes së paluajtshmërive, të vrojtuesve dhe njohësve të tregut të banesave dhe të paluajtshmërive në përgjithësi në vend, në Kosovë, përkundër të gjitha sfidave me të cilat po përtballet ndërtimi, po ndërtohet jo pak, si në kryeqytet, në periferinë e Prishtinës, por edhe në qendrat komunale.

Ndërsa disa statistika të para tre-katër muajve të Eurostat-it, flasin se në asnjë vend të Europës sektori i ndërtimit nuk po lulëzon si në Shqipëri dhe në Kosovë. Përkundër ngopjes së tregut me banesa dhe rënies evidente të shtitblerjes së tyre, çmimeve vazhdimisht në ngritje të një metri katror të banesave kolektive, lëvizshmërisë së çmimeve të materialit ndërtimor, por edhe emigracionit evident dhe numerikisht tronditës, në Kosovë vazhdon të ndërtohet shumë dhe pandalshëm.

Të dhënat që vijnë nga asociacione të ndryshme europiane, që përcjellin dhe regjistrojnë më detajisht lëvizjet e ndërtimit në shtetet e Europës, tregojnë se në të gjithë kontinentin e vjetër dhe në rajon ndërtohet goxha shumë, por sektori i ndërtimit prijnë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në një raport për strehimin, të bërë publik në fillim të këtij viti, Eurostat ka paraqitur të dhëna më konkrete të madhësisë së matur të sektorit të ndërtimit për gjithë Europën. Kjo matje është bërë përmes vlerës së shtuar bruto (VSHB) të gjeneruar nga ky aktivitet ekonomik si pjesë e VSHB-së totale (prodhimi në ekonomi pa përfshirë taksat). Sipas raportit të Eurostatit, treguesi i shkallës së ndërtimeve është ndër më të lartit në Shqipëri. Në vitin 2022, ndërtimi në Shqipëri zinte 11.1% të vlerës së shtuar bruto, më e lartë në Europë dhe dy herë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Ndërsa, i vetmi vend që “konkurron” Shqipërinë dhe që rangohet shumë afër saj, si e dyta, është Kosova, që praktikisht vazhdon të shfaqë të njëjtën tendencë si Shqipëria me ndërtime të larta në kryeqytet dhe në qendrat e shumta komunale. Ndërtimi në Kosovë, sipas raportit të Eurostatit zinte 10.7% të vlerës së shtuar bruto në 2022. Ndërsa, në vendet e tjera të rajonit, ku është bërë e njëjta matje, sipas raportit, ndërtimi zë një peshë shumë më të ulët në ekonomi.

Maqedonia e Veriut, bie fjala, e kishte këtë tregues në 6.2% të VBSH-së në 2022, Mali i Zi, 4.8% të VBSH-së, Serbia 6.6%, Bosnjë Hercegovina 5.2%. Sipas Eurostat, për Bashkimin Europian, kjo përqindje ishte midis 5 dhe 6% në periudhën 2010-2022 (treguesi ishte më i larti në 5.8% në 2010, duke rënë në 5.1% në 2014-2017 dhe më pas duke u rritur përsëri për të arritur në 5.5% në 2020, 5.4% në 2021 dhe 5.5% 2022).

Ndërsa njohësit e tregut të banesave dhe të paluajtshmërive në përgjithësi në vend kanë pohuar për Buletinin Ekonomik, se pavarësisht rënies në përqindje goxha të madhe të shitblerjeve të banesave dhe patundshmërive në vitin që shkoi (sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore, nga ASK-ja, në gjashtë muajt e parë të 2023-tës janë shitur 1.628 banesa, krahasuar me 4.967 sa janë shitur në krejt vitin 2022 dhe me 6.561 në vitin 2021).

Në Kosovë po ndërtohet, madje jo pak. Dhe kur ka ndërtim kaq shumë, logjikisht ka edhe treg, përkatësisht ka shitje të banesave, megjithë faktin se çmimet e tyre në të gjitha qendrat e vendit vazhdojnë të jenë të larta dhe nuk ka as tendencë për uljen eventuale të tyre, siç po veprohet në Europë, bie fjala.

Një nga ndërtimtarët e njohur, që e kërkon anonimitetin, i ka thënë Buletinit Ekonomik, se nuk është se nuk ka shitje.

“Jo si më parë, gjithsesi, por, po të mos kishte shitblerje të banesave edhe në këtë periudhë, nuk do të kishte ndërtime kaq të shumta”, tha ai.

Tashmë, hovi i ndërtimit sikur ka rënë paksa në kryeqytet, edhe në periferinë e tij, por po ndërtohet akoma shumë në disa qendra komunale, sidomos në ato, ku deri së voni nuk kishte shumë ndërtime. Në këto qendra, komunale, ku po ndërtohet hovshëm, sipas ndërtuesve dhe agjencive të tregtimit të paluajtshmërive, ka edhe shitblerje numrikisht të imponueshme. Në Podujevë, bie fjala, një qendër komunale me 71 mijë banorë sipas regjistriimit të fundit të popullsisë, por deri në 3-4 vjetët e fundit e pa shquar për nga vrulli i ndërtimeve të banesave, tani po ndërtohet shumë, madje vrullshëm, por edhe çmimet e banesave janë po ashtu të ngritura hovshëm. Nga shtatori i vitit që shkoi në këtë qendër komunale kanë nisë të ndërtohen dy komplekse banesash nga kompanitë ndërtimore “Malësia” dhe “Flori” në një zonë, që vlerësohet si shumë atraktive dhe joshëse dhe që shtrihet përgjatë lumit Llap në ish-prona të Blakqorëve dhe që gjenden shumë pranë qendrës së qytetit.

Sipas një ndërtimtari të këtyre banesave, që e do anonimitetin, interesimi për to është shumë i madh, dhe shumica e tyre janë kontraktuar nga blerësit që në fillim të nisjes së ndërtimit të tyre. Një metër katror i një banese në këto komplekse kushton mbi 1 mijë euro, dhe sado që ky çmim është ndjeshëm më i lartë se sa çmimet e banesave në fillim të 2023-tës dhe gjatë tërë vitit 2022 (në Podujevë më 2022 dhe në fillim të 2023-tës, çmimi mesatar i një metri katror ka kushtuar 600 deri në 650 euro, e shumë-shumë edhe 700 euro), blerësit e shumtë, praktikisht kanë ngarendur për t’i blerë ato.

Dhe, sipas ndërtimtarëve, as që mund të bëhet fjalë për ndonjë ulje çmimi të banesave në Kosovë.

“Ato vetëm mund të shkojnë më lartë. Tani janë shumë me çmime më të larta shumica e materialeve ndërtimore, por edhe tokat e dedikuara për ndërtime kanë çmime “të kripura’ dhe pronarët ose kërkojnë çmim shumë më të lartë, ose në rast të këmbimit të trollit me banesë, sipërfaqe më të madhe banesash”, thotë ndërtimtari podujevas.

Pastaj, thotë ai, çmimin tani po e dikton edhe tregu dhe këtë e dëshmon interesimi i madh për të pasur banesa në komplekset  reja të nisura në Podujevë. Po ndërtohet vrullshëm dhe numerikisht shumë njësi banesore edhe në Lipjan, në Ferizaj, në Obiliq, në Vushtrri, në shumicën e qendrave komunale të Dukagjinit, në Anamoravë.

Dhe, duhet thënë se sado që në Kosovë nuk ka statistika të sakta rreth lëvizjeve të çmimeve të patundshmërive (tokave, shtëpive dhe banesave në ndërtesa kolektive), edhe në Republikën tonë është evidente se ka ngritje të ndjeshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme, sidomos të tokave në disa vende të Kosovës dhe të banesave thuaja në të gjitha qendrat komunale e sidomos në kryeqytet. Në Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe agjencitë e patundshmërive, thonë se rritja e çmimeve të shitjes dhe qirave të banesave ka ndodhur për shkak të çmimeve të ngritura të materialeve ndërtimore. Ata madje theksojnë se kjo rritje e çmimeve të materialeve ndërtimore është pothuajse 100 për qind në krahasim me vitin 2020.

Ndërtimtarët, kompanitë ndërtimore që kanë treg më të madh në Prishtinë, theksojnë se çmimi i ngritur i banesave është kryekëput si pasojë e ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor dhe i kostos së ndërtimit të një banese. Mirëpo, për koston e lartë të banesave, ndërtimtarët tani e llogarisin si ndër më vendimtarin çmimin shumëfish të ngitur të tokave, që po kështu ka shkuar në qiell dhe si i tillë është bërë përcaktues i çmimit të një banese.

Çmimi i tokave, sikundër ai i të gjitha patundshmërive, ç’është e vërteta është shumë heterogjen dhe si i tillë ndryshon shumë nga qyteti në qytet, nga rajoni në rajon, nga vendbanimi në vendbanim, madje edhe nga lagjja në lagje. Por, tokat në kryeqytet dhe përreth dhe në disa qendra të tjera komunale tashmë thuaja janë bërë të paprekshme. Aktualisht një ari troll në pjesë me afër qendrës së Prishtinës tregtohet me çmim marramendës, por çmimet e tokave tashmë kanë arritur në qiell edhe në disa vendbanime më herët të vlerësuara fare periferike nga Prishtina.

Këto ditë, bie fjala, në Bresje të Fushë-Kosovës dhe në Çagllavicë një ari troll në një vend paksa më pikant nuk mund ta gjesh nën 20 mijë euro. Ka shkuar në qiell, sidomos çmimi i tokave që tani janë bërë të afërta me komplekset e ndërtimit të banesave kolektive, por edhe të hapësirave dhe godinave për biznes. Në këtë mënyrë, çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur vazhdimisht. Tani një metër katror i një banese në afërsi të drejtëpërdrejtë me qendrën, por edhe në zonat thuaja periferike të kryeqytetit, siç është zona e Arbërisë, andej kah Kosovafilmi, një metër katror ka arritur në 1.800 euro, çmim ky që në vitin 2021 sillej nga 750 deri në 850 euro.

Me fjalë të tjera, sektori i ndërtimit në Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë një aktivitet ende të hovshëm. Edhe numri i kompanive ndërtuese, përkundër vështirësive evidente për të gjetur punëtorë dhe mjeshtër ndërtimesh, është akoma i madh. Por, po kështu është evidente se në mbarë Kosovën, në kryeqytet sidomos, por edhe në qendrat e tjera komunale, ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, dhe trendi i ndërtimeve po vazhdon hovshëm, sado që ndërtimtarët pretendojnë ta minimizojnë ritmin imponues të ndërtimeve banesore.

Në Kosovë, gjithandej, në kryeqytet, në qendra të tjera komunale më të mëdha, por edhe në ato më të vogla, po ndërtohet shumë, megjithë faktin se ka kohë që në tregun e banesave në vendin tonë dominon në përmasa goxha të mëdha oferta karshi kërkesës. Me fjalë të tjera, krahas dominimit të ofertës dhe çmimeve enorme të larta për rrethanat kosovare, ka edhe goxha kërkesa për shit-blerje. Gjithsesi, ndërtimtarët kosovarë shpresat më të mëdha vazhdojnë t’i kenë te mërgata jonë, te përcaktimi i deritashëm i tyre që të investojnë lehtësisht në paluajtshmëri, e sidomos në blerjen e banesave. /Buletini Ekonomik/