Nivel dramatik i varfërisë në Kosovë

Përkundër përqindjeve që tregojnë rritje ekonomike, minimaliste gjithsesi, në periudhën gjashtëmujore të këtij viti (2024-tës), shkalla e varfërisë në Kosovë ka mbetur kokëfortësisht e lartë dhe dramatike. Dhe kjo e dhënë vihet re te Bruto Produkti i Brendshëm (BPB), nga të ardhurat për frymë, nga mirëqenia e kosovarëve, nga shtresat numerikisht të shtuara që kërkojnë ndihma sociale, nga numri i kosovarëve që përditë ikën nga vendi i tyre…

Buletini Ekonomik

Në Kosovë nuk ka rritje të efektshme ekonomike, as me ndonjë rrjedhojë me rezultate. Janë fjalë dhe promovime politike të zyrtarëve për rritjen ekonomike, ndërsa parashikimet e institucioneve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare për rritjen e sivjetshme ekonomike ndërmjet 3 dhe 4 për qindëshit, edhe po të realizohen tërësisht nuk reflektojnë në ndonjë zhvillim ekonomik për të qenë, as për ta ngritur mirëqenien e popullatës, të përfshirë si shumicë në varfëri.

Me fjalë të tjera, përkundër rritjes ekonomike, minimaliste gjithsesi, në periudhën gjashtëmujore të këtij viti (2024-tës), shkalla e varfërisë në Kosovë ka mbetur kokëfortësisht e lartë dhe dramatike. Dhe kjo e dhënë vihet re te Bruto Produkti i Brendshëm (BPB), nga të ardhurat për frymë, nga mirëqenia e kosovarëve, nga shtresat numerikisht të shtuara që kërkojnë ndihma sociale, si dhe nga numri i kosovarëve që përditë ikën nga vendi i tyre…

Kosova, siç dihet, në vitin e shkuar, ishte renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

Reklama e sponzorizuar

Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur të fundit në Evropë, më 2023 ishin saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Shqipëria, që FMN-ja së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha ende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë. Ndërsa për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtarë për kokë banori.

Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në vitin 2023 e kishte 5.600 dollarë, po kështu e rendit të fundit Kosovën (mesatarja e BPB-së në BE është rreth 26 mijë euro për kokë banori). Dhe, ç’është më keq, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës.

Dhe, njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, nuk e kanë fare të qartë se çka pastaj, a do të zbuten në vitet pas 2028-tës përmasat tronditëse të varfërisë, a do të ketë më pak të varfër numerikisht, apo kategori të ndryshme varfanjakësh që presin vazhdimisht dorën e ndihmës së shtetit.

Me këtë ritëm të rritjes ekonomike, thënë më së buti, numri i kosovarëve që rrezikojnë të bien në varfëri vetëm sa vie e shtohet. Dhe, në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse. Dihet, fuqia blerëse është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) Kosova vijon ta ketë 30-33 për qind të mesatares së Bashkimit Europian, që është ndër më i ulëti në rajon, në Ballkanin Perëndimor, pra. Nivelin më të lartë në rajon vitin e kaluar e pati Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje, e vendos Kosovën ndër të fundit, me diferencë të ndjeshme nga rajoni. Ky tregues vitin që shkoi ishte për Shqipërinë sa 40% e mesatares europiane. Në Bosnjë-Hercegovinë raporti është 42%. Rekordin e mban Mali i Zi me 64%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 51%.

Sipas Eurostat, konsumi aktual individual përbëhet nga mallra dhe shërbime të konsumuara aktualisht nga familjet, pavarësisht nëse ato janë blerë dhe paguar nga familjet drejtpërdrejt, ose nga qeveria apo nga organizatat jofitimprurëse.

Në këtë mënyrë, Kosova, edhe më 2024 vazhdon të mbetet realisht e varfër, më e varfëra në rajon. Mbase, vetëm Shqipëria është shumë pranë, madje thuaja ngjitas, për nga varfëria. Akoma të dhëna dhe statistika alarmante flasin për numra të pafund të njerëzve, të kosovarëve pra, që kërkojnë ndihmë dhe përkujdesje nga shteti i vet edhe për mbijetesë.

Për numrin e personave që kanë nevoja reale për ndihmë institucionale, në këto vitet e fundit ka raportuar në shumë raste Buletini Ekonomik. Sipas të dhënave statistikore, në fund të 2023-tës, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë.

Në të gjitha komunat e Kosovës, statistikat e varfërisë janë alarmuese.

Sipas statistikave nga ASK, nga skema e pensioneve bazike të moshës më 2023 ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues. Dhe të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër).

Sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës, janë pensionistët, afro 200 mijë veta, bashkarisht pensionistët me pension të pleqërisë, që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht). Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.

Me 100 euro pension (numri dërmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare. Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht.

Përfaqësues të UNDP-së kanë treguar për medien se të gjeturat kryesore nga një anketë e realizuar në korrik të 2023-tës, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind. Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfëra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë.

S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madh ka pasur edhe ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos të produkteve esenciale ushqimore. Dhe, këto fakte dhe shifra që pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen sociale aktuale në Kosovë (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 24 vjet ), do të duhej të jenë mjaftueshëm alarmuese për zyrtarët e Republikës, që edhe në këto rrethana të mungesës evidente të potencës financiare të shtetit, të jenë shumë më të ndjeshëm, që nënkupton, shumë më të vëmendshëm, për t’u përkujdesur për shtresat e varfëra të vendit. Ndërsa, për të qenë më të ndjeshëm, dhe më të vëmendshëm ndaj këtyre kategorive të shtetasve të vet, Kosova duhet të nisë krijimin dhe zbatimin e politikave ekonomike të efektshme, të tilla që gjenerojnë vende të reja pune, prodhime për treg të brendshëm dhe të jashtëm dhe investime dobiprurëse për këtë vend. Me rritje reale ekonomike, gjithsesi do të kishte mundësi reale për të zbatuar edhe politika më të efektshme sociale. /Buletini Ekonomik/