Afro 8 mijë euro është paga me të cilën Muharrem Mustafa do të paguhet nga Posta e Kosovës, për pozitën konsulent i jashtëm. Angazhimi i Mustafës si konsulent i jashtëm për mbështetjen e procesit të ristrukturimit në NPQ do të zgjatë vetëm dy muaj.
Posta e Kosovës ka 19 korrik ka nënshkruar kontratë për “Angazhimin e një konsulenti të jashtëm për mbështetjen e procesit të ristrukturimit në NPQ, Posta e Kosovës sh.a”.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 10 mijë euro.
Posta e Kosovës e ka angazhuar si konsulent të jashtëm Muharrem Mustafa, me çmim total prej 7 mijë e 779 euro.
Në detajet e kontratës, theksohet se angazhimi i këtij konsulenti nga ana e Posta e Kosovës, afati kohor i kontratës është 60 ditë, apo dy muaj.
Do të thotë, Muharrem Mustafa, fitues i tenderit për konsulent i jashtëm për mbështetjen e procesit të ristrukturimit në NPQ, do të paguhet 7 mijë e 779 euro për dy muaj angazhim.
Kalkuluar kjo i bije që konsulenti Muharrem Mustafa për një muaj do të paguhet 3889 euro.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Postën e Kosovës, që ta pyesë më në detaje, lidhur me pozitën e konsulentit dhe pagën e tij, por të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.