Prodhimi dhe konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, këtyre ditëve në shpërputhje evidente

Termocentrali 'Kosova B'

Sipas të dhënave të KEDS/KESCO, gjatë këtyre ditëve në konsumin e Kosovës është shpenzuar diku rreth 10 për qind e më shumë energji elektrike, se sa kur në vend kanë mbajtur temperatura më normale. Në anën tjetër, megjithë këtë shtesë të tejdukshme të konsumit, prodhimi në termocentralet e vendit, kushtimisht, është reduktuar për shkakun se blloku B2 i termocentraleve Kosova B dhe ai A4, i termocentraleve Kosova A, gjenden në remont. Sa po importon rrymë mesatarisht Kosova brenda një dite?

Buletini Ekonomik

Sistemi elektroenergjetik i Kosovës, në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme prodhuese të rrymës, vazhdon të jetë i brishtë, i paparashikueshëm dhe në raste edhe i pasigurtë në aspektin e furnizimit të konsumatorëve të vendit me energji elektrike. Një tërheqje nga prodhimi të secilës njësi prodhuese, qoftë nga termocentralet Kosova B, apo të Kosovës A, për shkak të ndonjë defekti teknik, ose për shkak të remontit të planifikuar, e ç’rregullon ndjeshëm punën e sistemit elektroenergjetik të vendit, sidomos në planin e furnizimit të rregulltë të konsumatorëve me rrymë. Po kështu, në situatat kur ndodhin lëvizje të paparashikueshme të shpenzimit të rrymës në konsumin e vendit, qoftë si rrjedhojë e motit të acartë, apo motit me temperatura të larta, paraqiten vështirësi evidente në zingjirin e furnizimit të bollshëm me rrymë të konsumit të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Situatë tipike e ç’rregullimit të funksionimit normal dhe të planifikuar të sistemit elektroenergjetik të Kosovës është kjo e tanishmja, kur, në pikun e verës, por me ditë me temperatura ekstremisht të larta dhe përtej normales së ditëve të ngrohta, në Kosovë është rritur ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike.

Qytetarët, konsumatorë të rrymës në vend, kushtimisht kanë qenë të detyruar të aktivizojnë stabilimente të ftohjes së ambienteve, të klimatizimit, të freskimit të domosdoshëm të shtëpive dhe banesave, dhe si rrjedhojë, natyrisht, është shtuar ndjeshëm shpenzimi i energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të KEDS/KESCO, gjatë këtyre ditëve në konsumin e Kosovës është shpenzuar diku rreth 10 për qind e më shumë energji elektrike, se sa kur në vend kanë mbajtur temperatura më normale. Në anën tjetër, megjithë këtë shtesë të tejdukshme të konsumit, prodhimi në termocentralet e vendit, që vazhdojnë të jenë burimi kryesor (mbi 90 e sa për qind të rrymës në vend prodhohet nga termocentralet), kushtimisht është reduktuar për shkakun se blloku B2 i termocentraleve Kosova B dhe ai A4, i termocentraleve Kosova A, gjenden në remont (B1-shi në remont të planifikuar, ndërsa A4-shi në remont, si rrjedhojë e defekteve teknike).

Zyrtarë të KEK-ut kanë njoftuar sot Buletinin Ekonomik se aktualisht në prodhim gjenden dy blloqe të termocentraleve Kosova A (A3 dhe A5 me gjithsej 260 megavatë-orë) dhe njëri bllok i termocentraleve Kosova B (B2-shi ), me rreth 260 megavatë-orë. Ose, nga termocentralet e Kosovës, këtyre ditëve po prodhohen diku rreth 520 megavatë orë energji elektrike. Sipas njohësve të rrethanave, kur t’i shtohen kësaj sasie të rrymës së prodhuar nga termocentralet e KEK-ut (rreth 520 megavatë) edhe disa dhjetëra megavatë nga kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme (sasia e prodhuar në stabilimentet e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës si dhe në disa minihidrocentralet ekzistuese në vend, nëse ndonjëra nga ta tashmë në këto ditë me temperature ekstremisht të larta është në funksion), del që Kosova duhet të ketë shumë – shumë diku rreth 550-580 megavatë energji elektrike të vetën.

Ndërsa sipas zyrtarëve të KESCO-së, konsumi mesatar ditor në Kosovë, këtyre ditëve me vapë ekstreme ka tejkaluar në raste 800 megavatëshin, që i bie se për të pasur furnizim të të gjithë konsumatorëve gjatë ditës, mesatarisht duhet siguruar, ose më saktësisht duhet të importuar 220 deri në 250 megavatë-orë.

Gjithsesi, kjo është sasi që kërkon shumë para dhe për Kosovën me mundësi të kufizuara financiare, paraqet një sfidë në vete, aq më shumë, kur, siç raportohet në tregjet ndërkombëtare, por edhe në bursën shqiptare të energjisë elektrike, çmimet e rrymës këtyre ditëve kanë kapur qiellin. Një megavat-orë i energjisë elektrike në Bursën Shqiptare ALPEX, në disa orë të mbrëmjes së sotme (22:00) ishte paralajmëruar të ketë çmimin madje 800 euro, ndërsa diku rreth orës 20:00, ky çmim ishte paraparë të jetë 486 euro.

Duhet thënë se inxhinierë të KEK-ut, që nga përvoja e gjatë në Korporatën Energjetike të Kosovës, njohin lëvizjet e mëdha rreth furnizimit dhe shpenzimeve për të importuar rrymë edhe në rrethana të tregut të çrregulluar, kanë kontestuar të dhënat e KESCO-së se “mesatarisht KEDS/KESCO, këtyre ditëve, po importon energji elektrike në vlerë 1 milionë euro”. Sipas tyre, nuk mohohet se për të importuar këto ditë duhen para goxha e madhe, por 1 milion euro është tepër shumë e madhe për t’ia dedikuar importit edhe në këto ditë me temperatura shumë të larta.

Në KEK nuk kanë njoftuar për ndonjë afat më të saktë për rikthimin e B1-shit dhe A4-shit në prodhim, respektivisht për përfundimin e punëve rreth remonteve të këtyre dy njësive. /Buletini Ekonomik/