Prishtinë-Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve, me dyshimin se nga 2015-a deri në 2023-n kanë kryer veprën penale shpëlarje e parave.
Sipas njoftimit të PSRK-së aktakuza është ngritur ndaj E.K, Xh.Xh., A.H., R.B., M.V. dhe F.T, të cilët ngarkohen për këtë vepër, derisa E.K. dhe M.V. edhe për veprën penale në bashkëkryerje “falsifikim i dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurorisë çështja e shpëlarjes së parave, është e ndërlidhur edhe me Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit së terrorizmit.
Për këtë rast janë sekuestruar edhe mbi 1.629 milionë euro, duke i propozuar Gjykatës që ta konfiskojë shumën.
“Vlera pasurisë së sekuestruar në këtë rast është 1,629,929.77 Euro., për të cilën Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ta bëj konfiskimin e saj. Ky rast ka qenë i shënjestruar dhe i emërtuar ZHURI’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./BetimipërDrejtësi