Rikthehet çmimi stratosferik i spinaqit në Kosovë

spinaqi
Spinaqi ndikon pozitivisht në shëndet

Çmimi prej 4 deri në 5,5 euro i një kilogrami spinaq që mbanë këto ditë në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, praktikisht, është rikthim te çmimi rekord në Kosovë i këtij perimi që mbajti në periudha të ndryshme gjatë vitit të kaluar, kur në tregjet tona çmimi i një kilogrami të spinaqit kishte arritur në 6 e më shumë euro. Çmimet më të pranueshme të perimeve të tjera…

Buletini Ekonomik

Dje, në tregjet tona të gjelbra, por edhe në shitoret e specializuara të tregtimit të produkteve bujqësore, një kilogram i spinaqit kushtonte 4 deri në 5,5 euro. Praktikisht, ky është rikthim te çmimi rekord në Kosovë i këtij perimi që mbajti në periudha të ndryshme gjatë vitit të kaluar, kur në tregjet tona çmimi i një kilogrami të spinaqit kishte arritur në 6 e më shumë euro. Ky çmim bëhet edhe më i papranueshëm për kosovarët, konsumues të rregullt të këtij produkti, aq më shumë kur dihet se sivjet për një periudhë disa mujore, çmimi i spinaqit në Kosovë ishte i kapshëm, i pranueshëm dhe si i tillë nuk bëhej fare i diskutueshëm nga blerësit e shumtë.

Reklama e sponzorizuar

Fare në fillim të vitit, në fund të janarit dhe gjatë tërë muajit shkurt dhe mars të këtij viti, kilogrami i spinaqit në Kosovë kishte çmimin nga 70-80 centë deri në 1 euro. Nuk ndryshoi shumë ky çmim as gjatë prillit dhe majit. Ndërkohë, që nga fillimi i qershorit, siç thonë edhe frekuentues të rregullt të tregjeve të gjelbra, “çmimi i këtij perimi nisi të ngritet gradualisht në 1,5, 2, 2,5 euro, për të arritur këtu në nivelin e këto ditshëm prej 4 deri në 5,5 euro.

Ç’është e vërteta, edhe me këtë kosto shumë të lartë, këtyre ditëve ka fare pak spinaq në shitje në tregjet tona. Edhe cilësia e tij është e diskutueshme, respektivisht kjo sasi e paktë është e cilësisë mesatare, madje edhe nën të. Në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit, dje ishte ekspozuar në dy rafte gjithsej, branda hapësirave të tregut dhe kushtonte 5,5 euro. Ndërsa në dy-tri shitoret me produkte bujqësore, një kilogram i spinaqit kishte çmimin 4 euro.

“Rëndom, ka vite, që në muajt korrik, gusht dhe shtator, në Kosovë ka fare pak spinaq. Pakësohet ndjeshëm edhe sasia nga importi që është kryesisht nga Shqipëria, por edhe sasia nga kopshtet e vendit, që është fare simbolike”, thotë një tregtar i vjetër në tregun e kryeqytetit.

Ndërsa sa i përket perimeve të tjera, në tregjet tona të gjelbra dominojnë domatet, specat, patatet, shalqini trangujt. Dhe të gjitha këto kanë çmime të pranueshme, ndjeshëm të ulura krahasuar me 1-2 muaj më parë dhe kanë cilësi imponuese. Një kilogram domate kushton nga 50, 60 deri në 80 cent, ndërsa specat kanë standardizuar çmimin 1 deri në 1,5 euro kilogramin.

Trangujt kushtojnë 50 centë për kilogram, ndërsa patatet, sipas ditëve, herë 40, 50 e herë edhe 3 kilogramë, tregtohen për 1 euro.

Kurse shalqini vazhdon ta ketë çmimin nga 30, 35 deri në 50 centë kilogrami.

Krahasuar me vitin e kaluar, sivjet perimet, qoftë ato nga importi, qoftë këto nga arat e vendit, janë shumë më cilësore dhe edhe për nga çmimi, më të pranueshme. Çmimet e perimeve ishin vjet të kripura, dhe në çmimin enorm prinin patatja, qepa, sallatat e gjelbra, trangujt, speci dhe ne veçanti domatja e vendit, e cila edhe në stinën e tyre (gusht-shtator) diti të tregtohej edhe deri në 2 euro për një kilogram.

Më 2023, pra, gjatë tërë vitit, e sidomos gjatë muajve të verës, kur praktikisht është sezoni i prodhimeve bujqësore të arritura edhe nga arat e fermerëve dhe kopshtarëve kosovarë, në tregjet e gjelbra shpërthyen çmimet. U dyfishuan dhe trefishuan sa çel e mbyllë sytë, thyen rekorde e rekorde për të arritur në nivelin e çmimeve ndër më të lartat në rajon dhe për t’u bërë thuaja të paprekshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve të lodhur financiarisht. Çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë “hypën në qiell” sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre.

U ngritën në gusht dhe në shtator çmimet thuaja e të të gjitha produkteve bujqësore, sidomos të perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhën çmimet stratosferike të specave, domateve, trangujve, hudhrës, majdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë. Në tregjet e gjelbra ndodhi shfrenimi i çmimeve, thuaja në përmasa të paimagjinueshme për qytetarët. Ndërsa, sivjet në bazë të ecurive të deritashme, shpresohet të ketë çmime më stabile dhe më të pranueshme të perimeve në Kosovë. Këto ditë të korrikut janë premtuese. /Buletini Ekonomik/