Sivjet, këmbimi i rrymës Kosovë-Shqipëri ndjeshëm më i ulët

Fotografi ilustruese

Në këta muaj të 2024-tës, siç e ka njoftuar Buletinin Ekonomik, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, KEK ka deponuar në Shqipëri 40,960 megavatë-orë energji elektrike, ndërsa borxhi i KEK-ut kundrejt Korporatës Energjetike të Shqipërisë më 1 janar 2024, ka qenë 56,474 megavtë-orë. Ndërkohë, po gjatë këtyre muajve, Kosova ka huazuar nga Shqipëria edhe 6, 320 megavatë. Në këtë mënyrë, akoma borxhi i përgjithshëm i KEK-ut ndaj KESH-it mbetet sasia prej 21,834 megavatësh.

Buletini Ekonomik

Në gjashtëmujorin e sivjetshëm, këmbimi i energjisë elektrike ndërmjet korporatave energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës, ka qenë relativisht më i paktë se në vitet 2022 dhe 2023. Për shkaqe të ndryshme, në radhë të parë për shkak të pasjes së mjaftueshme të energjisë elektrike në shumicën e periudhës janar-qershor, si rrjedhojë e të reshurave të bollshme të shirave dhe akumulimit të mjaftueshëm të ujërave në liqenet e Kaskadës së Drinit, këmbimi i rrymës KEK-KESH është bërë me ndërprerje, madje edhe disa mujore, kështu që edhe sasia e këmbyer e energjisë elektrike në këta muaj është ndjeshëm më e vogël se sa në vitet e sipërpërmendura.

Reklama e sponzorizuar

Më saktësisht, deri tash në këtë vit, siç e ka njoftuar Buletinin Ekonomik, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, KEK ka deponuar në Shqipëri 40,960 megavatë-orë energji elektrike, ndërsa borxhi i KEK-ut kundrejt Korporatës Energjetike të Shqipërisë më 1 janar 2024, ka qenë 56,474 megavatë-orë. Ndërkohë, po gjatë këtyre muajve Kosova ka huazuar nga Shqipëria edhe 6, 320 megavatë. Në këtë mënyrë, akoma borxhi i përgjithshëm i KEK-ut ndaj KESH-it mbetet sasia prej 21,834 megavatësh.

Siç u tha më lartë, këmbimi rrymës ndërmjet dy shteteve shqiptare sivjet është bërë me hove, dhe kushtimisht ka pasur këmbim në sasi shumë më të pakët se sa në vitet paraprake. Si rrjedhojë e tejmbushjes së liqeneve të hirocentraleve të Fierzës, të Komanit dhe të Vaut të Dejës dhe pasjes së bollshme dhe rekorde të ujërave, KESH ka operuar vazhdimisht me të gjitha hidrocentralet e veta dhe me kapacitetet thuajse gjithnjë të plotë. Kështu, ka prodhuar edhe përtej nevojave të konsumit të Shqipërisë, ndërsa në shumë raste ka eksportuar teprica të theksueshme të rrymës. Kështu, nuk ka pasur nevojë për energji shtesë, respektivisht për huazime të rrymës nga Kosova për muaj të tërë, as ditën – as natën.

Në anën tjetër Kosova, me termocentralet e veta, ka plotësuar nevojat e konsumit edhe në muajt e dimrit të butë dhe pa shumë ditë të acarta, prandaj pos në disa raste, nuk pati shumë nevojë për huazim shtesë nga KESH. Praktikisht, sipas të dhënave, për shkak të këtyre rrethanave klimatike dhe të reshurave, sivjet, pati një ndërprerje bukur të gjatë të këmbimit të rrymës. Kjo ndërprerje e tërësishme e këmbimit të energjisë elektrike ndërmjet KEK-ut dhe KESH-it, ka zgjatur që nga 4 prilli i sivjetshëm deri më 24 qershor 2024, kur KEK-u rinisi për të deponuar energji elektrike në KESH (në emër të kthimit të borxhit).

Po sipas të dhënave të KEK-ut, nga data 24 qershor 2024, dhe deri me datë 2 korrik 2024, nga Kosova në Shqipëri janë deponuar gjithsej 7 427 megavatë-orë energji elektrike, ose mesatarisht rreth 570 megavatë në ditë. Duhet thënë se në këtë periudhë (prill – korrik 2024), përkundër prodhimit kontinuel dhe stabil, Kosova nuk ka dërguar as gjatë ditës e as gjatë orëve të natës, rrymë në sistemin elektroenergjetik shqiptar, për shkakun siç u tha më lartë, se në Shqipëri nuk kanë pasur nevojë për sasi shtesë të rrymës. Ndërsa, për shkak të ndërprerjes së këmbimit, KEK-u nuk arriti ta kthejë borxhin e mbetur ndaj KESH-it, që është diku afërsisht 22 mijë megavatë-orë.

Dihet se shkëmbimi i energjisë elektrike në mes KEK-ut dhe KESH-it, bazohet në Marrëveshjen e vitit 2015, në ndryshimet e kësaj Marrëveshje në Aneksin 1 të dates 07.06.2018 – dhe Aneksin 2 të dates 19.05.2023”.

Sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK dhe KESH kanë një bashkëpunim të mirë, dhe lehtësisht arrihen ujditë për këmbim. Rëndom, në këtë proces, tepricat e energjisë elektrike të prodhuara në termocentralet e Kosovës ndodhin në orët e natës, kur në Kosovë bie ndjeshëm konsumi i rrymës, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për energji shtesë, por ky këmbim i shërben edhe ruajtjes së rezervave të ujit në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare. Ndërsa sivjet deri në qershor, praktikisht, si rrjedhojë e të reshurave të pasura dhe të shpeshta, akumulimet e Kaskadës së Drinit u mbushën me ujëra të mjaftueshme, prandaj KESH-i nuk pati nevojë në këtë periudhë as në orët e natës të marrë rrymë nga Kosova.

Duhet thënë se tepricat e rrymës gjatë natës në Kosovë, varen nga shumë faktorë, por në radhë të parë nga prodhimi kontinuel i termocentraleve ekzistuese, nga moti që ende dikton konsumin e energjisë dhe nga shpenzimi i konsumatorëve të vendit. Por, në të shumtën, që nga ditët dimërore, që sivjet u shquan me temperatura jo edhe aq të acarta, KEK-u, me kapacitetet e veta prodhuese, krahas furnizimit të konsumit të vendit, ka pasur mundësi reale të dërgojë në Shqipëri energji gjatë natës, kur në Kosovë bie goxha ndjeshëm konsumi i rrymës, mesatarisht rreth 200 e sa megavatë-orë.

Po të vazhdonte në këtë mënyrë përditë deri më tash, kjo sasi do të ndikonte që të ulet shumë borxhi i rrymës që Kosova i ka Shqipërisë që nga viti i kaluar. Në ditët në vazhdim, deri në fund të shtatorit, kur në Shqipëri është sezoni turistik, dhe kur ngritet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike, ka mundësi të vazhdojë këmbimi i rrymës KEK-KESH dhe në këtë mënyrë të kthehet borxhi dhe mbase të krijohet edhe ndonjë “rezervë” për ditët e dimrit, kur rëndom në Kosovë rishfaqen problemet rreth furnizimit të energjisë elektrike.

Gjithsesi këmbimin e energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri e dikton edhe gatishmëria e termocentraleve të Kosovës dhe prodhimi standard i këtyre kapaciteteteve.  /Buletini Ekonomik/