Rritja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore, vazhdon të rëndojë xhepin e varfër të konsumatorit kosovar. Të dhënat zyrtare tregojnë se në pesë vitet e fundit, çmimet e produkteve bazë si mielli, vaji apo qumështi, kanë pësuar rritje të vazhdueshme.
“Të arsyshme nuk janë hiç, të shtrejta janë pak por pa to spo bon spo ki qare pa i ble”.
Kështu po ankohen qytetarët për çmimet e larta të produkteve ushqimore.
“Për neve pensionerat po a për ata që marrin rroga 500,600 euro nuk janë të larta”, tha pensionisti Ruhan Maliqi.
“Vallai për ditë, këto të përditshme që shkojnë po janë me çmime të larta, po spo ki qare”, u shpreh Halime Kozmaqi, qytetare.
“Këto çmime nuk janë edhe shumë të larta për kategorinë e qytetarëve që kanë paga të larta por logjikisht tu e ditë me çka jemi duke u përballë, me ç’farë varfërie dhe papunësie momentale atëherë këto çmime janë të larta”, deklaroi qytetarja Merita Bajraktari.
Ekonomistët deklarojnë se çmimet e larta rëndojnë edhe më shumë familjet me të ardhura të ulëta, të papunët dhe pensionistët.
“Kosova vazhdon të jetë nën ethet e inflacionit në këto 3 vite të fundit dhe ky inflacion ka bërë qrregulle me të mëdha në jetët sociale të Kosovës”, tha Muhamet Sadiku, profesor i ekonomisë.
Profesor Sadiku thotë se rritja e çmimit të disa produkteve ushqimore është bërë thuajse e padurueshme për kosovarët. Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, brenda një periudhe 5 vjeçare, ka pasur rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale ushqimore, siç janë buka, qumështi, vaji dhe mielli.